Komplote

Mossadi në veprim: Shitja e armëve Iranit dhe Contras-ve

mossadi irani

Gjatë mbretërimit të Shahut, Izraeli i shiti armë Iranit. Por kësaj marrëveshje i erdhi fundi, kur lidhjet diplomatike dhe eksportet e naftës në Izrael u ndërprenë pas Revolucionit Islamik. Megjithatë, Izraeli rifilloi fshehurazi shitjen e armëve në Iran, kur Iraku e pushtoi këtë të fundit në vitin 1980. Ndonëse të dyja vendet ishin teknikisht armiq, Irani kishtë dëshpërimisht nevojë për armë, dhe Izraeli kishte armë të tepërta si dhe kishte nevojë për valutë të huaj, në një kohë që krerët e të dyjave vendeve e urrenin Sadam Huseinin.

Sipas kujtimeve të Zbigniev Brzhezhinskit, që ishte këshilltar për sigurinë kombëtare nën presidencën e Xhimi Karterit, administrata e këtij të fundit ishte në dijeni të kësaj tregtie, ndërsa bëri një sy qorr, pavarësisht embargos tregtare ndaj Iranit. Në vitin 1981, një avion që transportonte armë nga Izraeli në Iran, u rrëzua në Bashkimin Sovjetik në afërsi të kufirit me Turqinë.

Dëshmitë se Izraeli furnizonte me armë Iranin u rritën, kur gazeta britanike “The Observer” siguroi dokumente nga tregtari i armëve i lidhur me Mossad-in, Jakov Nimrodi, që kishte lidhje të ngushta me ushtrinë iraniane të para revolucionit. Nuk dihet nëse ishte SHBA-ja, Izraeli, apo Irani që propozoi i pari marrëveshjen.

Pati ndërkohë një tjetër operacion të Mossad-it, të quajtur “Tipped Kettle”, që grabiti armët nga Organizata për Çlirimin e Paletsinës dhe i shiti ato për “Contras”-it në Nikaragua në vitet 1983-1984. Të mbështetur nga CIA dhe financuar nga Kongresi i SHBA-së, mendohet se u dërguan mbi 6.000 armë vetëm në vitin 1983. Gazetarët raportuan se kishin parë artilerinë e OÇP-së, armët antitank, dhe mitralozët e rëndë, të cilët u përdorën në Nikaragua, pavarësisht terrenit të papërshtatshëm, për shkak të kamuflazhit që ishte prodhuar për t’u përdorur në shkretërirë, por edhe materialit të dobët sovjetik./Bota.al

Leave a Reply

Back to top button