Trajneri i Manchester United, Jose Mourinho, do të pranojë një dënim me burgim një vit për kryerjen e dy krimeve fiskale në Spanjë, sa ishte trajner i Real Madridit, që përmblidhen në mashtrimin me taksat në shumën prej 3.3 milionë euro. Portugezi ka pranuar ta bëjë këtë gjë për të mbyllur çështjen gjyqësore të hapur nga Thesari, njofton gazeta “El Mundo”.
Prokuroria dhe Thesari i Shtetit do të konfirmojnë në ditët e ardhshme, në Gjykatën e Udhëzimit nr 4 të “Pozuelo de Alarcón”, se kanë nënshkruar tashmë një marrëveshje me “Special One”, në përputhje me të cilën ai pranon fajësinë.
Siç njofton “El Mundo”, Mourinho do të pranojë me shkrim se ka fshehur nga Thesari të ardhurat e tij për të drejtat e imazhit, që korrespondon me periudhën mes viteve 2011 dhe 2012.
Mourinho ka rënë dakord, duke ndjekur shembullin e Cristiano Ronaldos për një marrëveshje zgjidhjeje të problemit në fjalë, e cila shmang shkuarjen në gjyq dhe garanton një dënim me burg, që kovertohet me gjobë financiare, shkruan Telesport.
Në total, trajneri, i përfaqësuar nga Jorge Mendes, duhet të paguajë vetëm 669,323 euro në Thesarin Spanjoll.
Me këtë pagesë, ai do ta mbyllë plotësisht rastin, pas mbajtjes së seancës, në të cilën do të shpjegohet marrëveshja e përshkruar.
Kështu, ish-trajneri i Real Madridit më në fund e mbyll marrëveshjen me dorën e të njëjtit avokat, i cili e ka mbyllur edhe paktin e bashkatdhetarit të vet, Ronaldo: ish-gjyqtarin Jose Antonio Choclán.