Analiza

Mrekulli amerikane

Bret Stephens

Inovacioni varet më pak prej zhvillimit të ideve specifike, dhe më shumë prej krijimit të hapësirave të gjera. Autokracitë mund të kultivojnë gjithmonë kampionët e tyre të shahut, gjenitë e pianos dhe inxhinierët bërthamorë; ato mund të angazhojnë gjithmonë 1% të atyre në majë për të realizuar disa detyra. Problemi i autokracive është se çfarë të bëjnë me 99%-shin tjetër. Ato nuk kanë një përgjigje, përveçse të administrojnë, diktojnë dhe shtypin.  Një shoqëri e lirë, e cila është e gatshme të vërë miliona “baste” të vegjël për persona të panjohur dhe gjëra që nuk janë parë nuk e ka këtë problem

Statue

Imagjinoni një historiane që merret me ekonominë në vitin 2050, duke u folur studentëve të saj për shpikjet më të rëndësishme të fillimit të shekullit 21 – domethënë “Modelet TS”, “fluturakët ëright” dhe Penicilinat e kohës sonë. Cila do të ishte lista e saj?
Sigurisht, “fracking” – shkurtimi për kombinimin e shpimeve horizontalë dhe copëtimit, një proces që po e bën Amerikën prodhuesin numër një të naftës dhe gazit në botë – do të jetë në listë. Po kështu mediat sociale – “farmaku” i autokratëve si Erdogani apo i prindërve si unë – gjithashtu do të përmenden. Aplikacionet e celularëve? Patjetër. Shkenca në zhvillim e imunoterapisë së kancerit? Të shpresojmë.
Pasi të ketë hartuar këtë listë, historiania jonë të vërejë më pas që, secila prej këtyre risive ka të stampuar mbi vete “Made in USA”. Sa e çuditshme, mund të thotë ajo, që kaq shumë amerikanë në atë kohë kanë harxhuar kaq shumë nga dita e tyre duke u qarë për gjendjen e mjeruar të shkollave të tyre, natyrën e paralizuar të politikës, barrat fiskale si dhe parashikimet për rënien e afërt. Ndoshta ngaqë jam rritur si një amerikan që jetonte jashtë vendit të tij, unë vetë kam qenë gjithmonë tejet i habitur prej largësisë mes arritjeve të Amerikës dhe perceptimit që amerikanët kanë për vetveten. Edhe sot e kësaj dite jam i çuditur që, në SHBA, unë mund të pi ujë direkt nga rubineti, që një polic nuk më ka kërkuar asnjëherë një “kontribut”, që valixhja ime nuk është vjedhur asnjëherë, që askush nuk rrëmbehet për para, që spastrimet politikë të llojit Maoist ndodhin vetëm në editorialët e New York Times.
Provoni të thoni të njëjtën gjë për jetën e përditshme në Brazil, Rusi, Indi, Kinë apo Afrikën e Jugut – të ashtuquajturit vende Brics, që dikur një guru i Goldman Sachs i ka quajtur ekonomitë e të ardhmes.
Por t’i kthehemi historianes sonë në të ardhmen. Përse, mund të pyesë ajo studentët, SHBA dominoi të tjerët kur realizoi gjithë këto shpikje të mëdha?
“Fracking” do të ishte një rast studimor shumë i mirë. Revolucioni ndodhi në SHBA jo për shkak të ndonjë avantazhi të madh në gjeologji – Kina, Argjentina dhe Algjeria kanë secila rezerva të mëdha shtresash argjilore prej ku mund të nxjerrin naftë dhe gaz. Nuk ndodhi për shkak se kompanitë e mëdha energjetike të Amerikës janë unike për nga aftësitë, dijet apo financat: Hidhini një sy raportit vjetor të ExxonMobil për vitin 2004 dhe vështirë se do të gjeni të përmendur “copëtimin” apo “shpimin horizontal”.
Nuk ndodhi as sepse mandarinët e iluminuar në burokracinë federale dhe laboratorët kombëtarë po vështronin në qoshet e të ardhmes. Në pjesën më të madhe, ata ishin të fiksuar pas etanolit qelizor dhe teknologjive të tjera që as nuk patën një start.
“Fracking” ndodhi në SHBA sepse amerikanët, pothuajse unikë në botë, kanë të drejta pronësia për mineralet që ndodhen poshtë “bahçeve” të tyre. Dhe sepse qeveria federale as nuk po kushtonte vëmendje. Dhe sepse federalizmi i lejon shtetet të bëjnë çfarë të duan. Dhe sepse sipërmarrës kundër rrymës si George Mitchell dhe Harold Hamm nuk përkulen përpara konsensusit të ekspertëve. Dhe sepse tregjet tanë të kapitalit ishin të gatshëm që të “vinin bast” kundër atyre ekspertëve.
“Kur flas me të huaj, ata janë edhe më të impresionuar se sa shumë amerikanë prej kësaj rilindjeje”, thotë kolegu im gazetar, Gregory Zuckerman, autor i “The Frackers”. “Ata e kuptojnë se një gjë e tillë mund të kishte ndodhur vetëm në Amerikë”.
“Fracking”-u tashmë ka ngritur në këmbë tregjet e energjisë, ka tronditur petro-diktatorët, ka shastisur OPEC-un, ka forcuar lidhjet ekonomike amerikano-veriore, ka reduktuar në nivelet më të ulët që nga viti 1995 lëshimin e gazrave në atmosferë si dhe ka ngulur një gozhdë në arkëmortin e shumicës së skemave të energjive të rinovueshme (ndonëse ai lloj zombie vështirë se mund të asgjësohet, gjë që me siguri historiania jonë e ardhshme do ta dijë).
“Fracking” është një industri. Me kalimin e kohës, avantazhet që kjo teknologji i ka dhënë SHBA do të zbehen teksa ajo sa do të vijë e më shumë do të përhapet. Më pas, do të kalohet në shpikjen tjetër. Gjë që, mund ta themi se do të jetë me siguri amerikane në origjinë dhe projektim.
Këtu pra, është leksioni i madh për studentët i historianes sonë të ardhshme: Inovacioni varet më pak prej zhvillimit të ideve specifike, dhe më shumë prej krijimit të hapësirave të gjera. Autokracitë mund të kultivojnë gjithmonë kampionët e tyre të shahut, gjenitë e pianos dhe inxhinierët bërthamorë; ato mund të angazhojnë gjithmonë 1% të atyre në majë për të realizuar disa detyra. Problemi i autokracive është se çfarë të bëjnë me 99%-shin tjetër. Ato nuk kanë një përgjigje, përveçse të administrojnë, diktojnë dhe shtypin.
Një shoqëri e lirë, e cila është e gatshme të vërë miliona “baste” të vegjël për persona të panjohur dhe gjëra që nuk janë parë nuk e ka këtë problem. Fleksibiliteti dhe jo ngurtësia është prova e vërtetë e forcës. Suksesi është rezultat i eksperimentimit dhe jo projektimit. Dështimi është i tolerueshëm deri në atë masë sa përshtatja është e mundshme.
Ky është sekreti amerikan, që shpesh herë harrohet në Amerikë, sepse amerikanët nuk e imagjinojnë dot ndryshe. Eshtë arsyeja përse ne jemi pakëz të habitur kur shohim që jemi të parët – edhe atëherë kur, apo sidomos atëherë kur presidentët tanë janë të kotë dhe politikat tona marrëzi.
Ne jemi më të mëdhenj se politikanët tanë. Jemi më të mirë se politika jonë. Jemi më të zgjuar se kultura jonë. Jemi më të mençur se idetë tona. Shijojini pushimet. /The Wall Street Journal/
e.gj./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button