Analiza

A mund të ekzistojë një luftë e drejtë?

Edward Luttwak*

just warAi i luftës së drejtë, e konceptuar si një lloj kategorie, është një koncept me të drejtë teologjik, që u përket feve, dhe mbi të gjitha Kishës katolike. Ndërkohë që, nëse analizon në kuptimin laik, nëse mund të jetë e drejtë një luftë, atëherë përgjigja me mbështetje më të gjerë është “po, në rrethana të caktuara”. Parimi i parë themelor për të cilin bien dakord të gjithë ka të bëjë me idenë që agresioni nuk justifikohet, ndërkohë që mbrojtja duhet të konsiderohet legjitime. Në këtë rast, etika humanistike është të paktën në dukje e thjeshtë dhe e qartë, ndonëse shpesh herë realiteti është më kompleks: agresori shkel të drejtën, ndërkohë që i sulmuari ushtron të drejtën e tij të mbrojtjes legjitime. Së dyti, sa i përket temës së pranueshmërisë së luftës, futet parimi pragmatist i proporcionalitetit.
Një etikë humanistike mund të thotë që, nëse për të shpëtuar 100 mijë vetë duhen vrarë 1 mijë, atëherë lufta mund të jetë e drejtë. Ndërkohë, vrasja e 100 mijëve për të shpëtuar 1 mijë nuk ka proporcionalitet, e si pasojë është e padrejtë.
Eshtë një çështje numerike, e cila megjithatë transformohet në çështje politike, sepse sido që të jetë, dikujt i duhet të vendosë nëse proporcioni është i pranueshëm. Kështu që, mund të thuhet se mund të jetë e drejtë të bëhet luftë, nëse respektohen kriteret e mbrojtjes legjitime dhe proporcionalitetit.
Janë kritere etikë dhe pragmatistë, që dallohen prej asaj që është tradita fetare e “luftës së drejtë”, mbi të gjitha në Kishën katolike. Tek baballarët e Kishës – eruditët e krishterë të shekujve të parë – dënimi i luftës ishte shumë i prerë, por duke filluar nga Shën Agustini e duke kaluar tek Shën Tomasi, nisi të bëhet dallimi. Edhe sepse duke u rritur pesha kohore, Kishës iu desh të bjerë në realitet. Pastaj në praktikë, duke ditur që në Kishën katolike autoriteti i vetëm është papa, për shekuj të tërë përtej përcaktimit të kritereve, një luftë konsiderohej e drejtë nëse autorizohej prej Papës dhe nuk ishte e tillë, nëse Papa ishte kundër. Prandaj në historinë e katolicizmit, jo vetëm janë bekuar luftërat, por edhe besimtarët kanë rrëmbyer armët.
Për shembull, Papa Xhulio II i Roveres, në vitet Pesëqind ishte një luftëtar i vërtetë. Ky aspekt ka qenë në fakt një pikë e rëndësishme moskuptimi mes botës latine dhe botës bizantine, marrëdhëniet e të cilave e patën kulmin në krizën që erdhi si pasojë jo vetëm e ndarjes së 1054-ës, por mbi të gjitha në pushtimin e Kostandinopojës në 1204-ën. Sado që bizantinët kishin kërkuar ndihmën e katolikëve kundër myslimanëve turq, për ortodoksët në kohën e Kryqëzatave ishte tronditëse të shihnin besimtarë që mbanin armë të destinuara të vrisnin njerëz të tjerë. Për ta, që gjithësesi e mbështesin perandorinë dhe pushtetin politik, ishte absolut detyrimi që të kthenin faqen tjetër, që të mos praktikonin dhunën.
Për priftërinjtë ortodoksë bizantinë do të kish qenë të paimagjinueshëm institutet e kapelanëve ushtarakë, të cilët ekzistojnë edhe sot në Kishën katolike. Në fakt, sipas vijës logjike, për çdo të krishterë e vetmja zgjidhje e mundshme përballë dhunës është që të dorëzohet. Por Kisha Katolike – që mbi të gjitha ka patur edhe një Shtet Papnor, i cili ka bërë edhe ai luftërat e tij – në shekujt e kaluar e ka zbehur këtë pozicion, përmes konceptit të luftës së drejtë. Por në këtë kuptim, koncepti katolik i luftës së drejtë mua personalisht nuk më duket logjik, ndërkohë që është i tillë parimi laik i bazuar mbi proporcionalitetin.
Edward Luttwak është Senior Associate i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare
PERSHTATUR NE SHQIP NGA www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button