Analiza

A mund të jetohet në një botë pa atdhe?

Enrst Nolte

E hamendësueshmja «ne» e një njerëzimit të bashkuar, por dhe për shumë kohë akoma konfliktual, nuk mund të zëvendësojë «në»-në e një patriotizmi shpirtmadh si dashuri për një atdhe të kufizuar dhe të shënuar nga një kulturë specifike – përveç se në rastin në të cilin një rrezik i madh vjen nga kozmosi apo pasoja të rënda dhe jo të qëllimshme të të vepruarit njerëzor kërcënojnë ekzistencën njerëzore në tërësinë e saj. Nëqoftëse kjo e ardhme e njerëzimit do të përkthehet në një shpëtim apo në një shkatërrim, është një çështje së cilës mund t’i jepet përgjigjia me një farë saktësie vetëm pas shumë kohësh

nolte

Në konceptet e «atdheut» të gjuhëve latine, në gjermanike fatherland e Vaterland apo në sllavisht otjetschestwo shprehet, siç ndodh në konceptin e «gjuhës mëmë» (apo në irlandisht mutterland), domethënia themelore që raporti i derivacionit breznor ka për njerëzit. Por «atdhe» apo Vaterland ka nënkuptuar gjithmonë diçka më shumë se «familje» e thjeshtë. Realiteti më elementar i një «toke baballarësh» është klani, i cili drejtohet nga një «patriark» dhe që pranë nomadëve nuk ka nevojë për ndonjë raport me një vend specifik dhe që nuk është gjë tjetër përveçse një komunitet kushërinjsh të breznive të ndryshme, jeta e të cilëve vërtitet rreth tij. Por qysh në epoka shumë të vjetra dhe më pas pothuajse kudo hynë në lojë vendi dhe, sëbashku me të, toka. Klani bëhet një «komunitet fshati», që përfshin në vetëvete edhe individë jo me lidhje fisnore. Në procesin e një zgjerimi të parë hapësinor lindin më pas «qytete» dhe «principata», por kryesori vazhdon të jetë babai i popullit të tij dhe, si në qytete, zgjerimit në hapësirë i pason ai në kohë: e kaluara bëhet e gjallë në gojëdhënat e në mitet, por edhe e ardhmja merret në konsideratë, të paktën si preokupim për t’u mbrojtur nga rreziqet. Por mbi të gjitha sqarohet raporti me botën në tërësinë e saj, me kozmosin, me «zotat» që dominojnë botën dhe mund të flitet kështu për një «shenjtërim» të qytetit të lindjes apo të territorit ku ke lindur. Në qytet – shtetet antike (poleis-et) shfaqet për herë të parë në histori një patriotizëm i plotë forcash jetike dhe vargu i Horacit dulce et decorum est pro patria mori mendohej akoma disa dhjetëvjeçarë më parë të ngrihej si paralajmërim apo të luftohej ashpërsisht, përpara se të futej përfundimisht në letërsi. Hyjneshes Athina i dedikohej çdo vit festimi i «Panatenee»-ve dhe Sokrati, sipër përshkrimit të Platonit tek “Apologjia”, refuzoi që të ikte nga burgu sepse donte të vdiste në qytetin e baballarëve saktësisht ashtu pse për të kish jetuar. Ciceroni qe vetëm një midis atyre që në mënyrë eksplicite apo sipas ndjenjës përdorën konceptin e amor patriae. Perandoria Romake qe një mbretëri planetare e formuar nga atdhera dhe, kur në periudhën e saj të fundit të gjithë banorëve të saj ju dha e drejta e qytetarisë, nuk flitej për një amor imperii, por individi i veçantë, siç kish bërë dikur Apostulli Pal, quhej civis romanus.

Pavarësisht kësaj, krenaria për qytetin e baballarëve dhe për zotat e tij nuk qe fjala e fundit. Ai zgjerim i parë perandorak gjeti një vazhdim të pakalueshëm në «kozmopolitizmin» e shkollës filozofike stoike dhe në konceptin kristian të patria caelestis, që i privonte të gjitha atdherat konkretë, domethënë të gjitha atdherat materialë, nga autonomia dhe pavarësia e tyre. Ama jo vetëm kristianizmi, por edhe të gjitha fetë e tjera të botës linin të kuptohej se qyteti i baballarëve apo rajoni i lindjes nuk ishte as i «shenjtë», as autonom, por se njeriu është një qënie universale që krijon raport me një Zot të vetëm dhe me një kozmos të vetëm. Në Mesjetën kristiane kjo fe ishte e natyrshme, por, pavarësisht kësaj, koncepti i një atdheu material nuk humbi. Vendlindjet vazhdonin të quheshin «atdhera», si për shembull në shprehjen la Bourgogne est ma patrie. Edhe kur u formuan shtetet kombëtare të Anglisë dhe të Francës, mbeti e gjallë ideja e afinitetit fizik, sepse Mbreti shikohej si babai i vendit, siç e gjejmë të formuluar për shembull në një seksion të Enciklopedisë së vitit 1785: «Një Mbret është kreu i një vendi dhe babai i popullit». Por qysh në Iluminizmin e parë bëri rrugë ideja e lirisë individuale, aq sa Volteri mundi të shkruante: «Ka një atdhe nën një Mbret të mirë; nuk ka asnjë nën një Mbret të keq». Dhe polemika e Monteskjësë kundër despotizmit lindor tregonte në mënyrë të paekuivokueshme armiqësinë kundër absolutizmit në vendin e tij. Shprehja e Shatóbrianit «kur liria zhduket, mbetet një vend, por nuk ekziston më një atdhe», mund të ishte shkruar edhe nga mesi i Gjashtëqindës.

Por këtij «liberalizimi» mund t’i kundërvihej tani një «rishenjtërim», që autorë si Ruzhé dë l’Il, poeti i Marsejezës, himn i ardhshëm kombëtar francez, e shikonin ngushtësisht i lidhur me konceptin e lirisë: «Dashuri e shenjtë për atdheun (…) liri, e dashur liri». Pak gjëra e karakterizojmë Revolucionin Francez sa kundërvënia midis «mbretëri» dhe «komb», domethënë atdhe. Në shkrimin e tij mbi «shtetin e tretë», Siejè, qysh përpara marrjes së Bastijës, e ndante dukshëm si mbretërinë, ashtu dhe aristokracinë, të cilën e konsideronte të huaj, domethënë derivuese nga frankët gjermanikë, nga «kombi». Për pasojë, revolucionarët «borgjezë» mund të quheshin patriotë, aq sa në Francë për dekada me radhë termat «patriotizëm» dhe nacionalizëm mbetën koncepte republikane, domethënë të majta. Zhozef dë Mestrë drejtoi kështu një betejë të kotë mbrojtëse, kur shkruante në kuptimin tradicional: «Po çfarë është një komb? (…) Është sovrani dhe aristokracia». Por fisnikëria e bërë parti mund të shtinte në dorë, nga mesi i Tetëqindës, konceptin komb dhe atë patriotizëm të ndarë nga ai i mbretërisë, sepse pasuesit e nacionalistëve jakobinë qenë bërë në pjesën më të madhe «internacionalistë»; ndërsa në Gjermani një «parti patriotësh» bavareze i kundërvihej nga viti 1866 në mënyrën më të zjarrtë konceptit të bashkimit të Bismarkut. As patriotizmi shumë i vjetër i klanit, megjithëse thellësisht i transformuar, ishte zhdukur, ndërsa patriotizmit kombëtar kudo predominues nga koha e bashkimit të Italisë dhe atij të Gjermanisë i kundërvihej kudo në formën e internacionalizmit (socialist dhe radikal-liberal) kozmopolitizmi i shndërruar në fenomen politik. Megjithatë, edhe konceptet metapolitike të atdheut dhe kombit qëndruan të gjalla, si për shembull në tezën e Viktor Kuzinit, sipas të cilit në filozofi nuk ka atdhe tjetër përveç njerëzimit; ose në bindjen e formuluar qysh nga romakët, sipas të cilës patria est ubicumque bene est. Ky evolucion u përhap në vendet kryesore europiane në mënyra shumë të ndryshme sepse ju zbatua shteteve të ndryshme në epoka shumë të ndryshme dhe pikërisht për këtë është e domosdoshme të vërehet në mënyrë sintetike situata e këtyre vendeve dhe e këtyre shteteve.

Anglia u bë shtet kombëtar përpara dhe vetë Francës, sepse monarkia e saj mundi ta kryejë luftën e 100 vjetëve kundër Francës duke filluar nga bastioni i qëndrueshëm i përbërë nga ishulli i ndarë nga kontinenti dhe vetëdija kombëtare e saj, sidomos më pas, krijoi rrezikun e përfaqësuar nga fuqia në dukje predominuese e «Papizmit» dhe e Spanjës katolike, tentativa e pushtimit e të cilës në vitin 1588 u shpartallua më shumë nga natyra ishullore sesa nga përpjekjet ushtarake, duke u bërë kështu në pjesën më të madhe të saj një vetëdije ndërkombëtare – protestante.

Por rreth të njëjtës periudhë, poeti i madh anglez, Uilliam Shekspir, i dha zë në njërën prej dramave të tij një patriotizmi si të thuash pararrëfyes, duke vënë në buzët e plakut Xhon di Gaunt, Dukë i Lankasterit, pak përpara vdekjes së tij, fjalët e mëposhtëme lidhur me Anglinë: This royal trhone of kings, this sceptred isle…. / This other Eden, demi-paradise… / This precious stone set in the silver sea… / This blessed plot, this earth, this realm, this England… / This land of such dear souls, this dear, dear land… (anglisht në origjinal) Nuk bëhet fjalë për një himn ndaj Anglisë të kohës së tij, që Gaunti e akuzon se ka bërë një shameful conquest of herselfs, megjithatë mund të thuhet se patriotizmi i vetëvetëdijshëm i banorëve të Ishullit ka mbetur deri më sot tipari me karateristik i jetës angleze, pavarësisht se Anglia masakrohej pothuajse gjithmonë nga luftëra të brendshme. Por as himni falenderues i Shellit ndaj njeriut të së ardhmes, që do të bëhet «i barabartë, pa klasa, pa klane, pa komb», as kritika e fuqishme e Xh.E.Hobsënit, pararendësi kryesor anglez i Leninit, ndaj influencës së madhe të një kapitalizmi ndërkombëtar në pjesën më të madhe të tij hebraik mbi Sitin financiar londinez, nuk mundën të ndryshojnë ndonjë gjë në këtë konceptim. Himnet ndaj Francës dhe patriotizmit të saj qenë më të dëgjuara në vendet limitrofe, veçanërisht në Gjermani dhe në Itali, sesa nuk qenë në vetë Francën. Faktikisht, në këta vende liberalët e bindur e dinin se në Francën e revolucionit «miqtë e progresit dhe të lirisë» kishin marrë emrin e «patriotit» dhe admironin unitetin midis kombit, popullit dhe patriotizmit që haset në Francë. Por francezët e dinin më mirë se të tjerët se patriotizmi i jakobinëve kish qenë jashtëzakonisht gjakatar dhe ekspansionist dhe se vazhdonin të ekzistonin «dy Franca»: ajo e «progresistëve» dhe ajo e «reaksionarëve» pjesërisht akoma besnikë ndaj mbretit. Këto dy parti qenë agazhuar në një përplasje të ashpër, nga e cila lindi një figurë kaq e pasur me dritë dhe hije si Perandori Napoleoni i III-të dhe pikërisht, për pasojë, francezët nuk u çuditën kur në agimin e Nëntëqindës, në kontekstin e aferës Drejfus, këto dy Franca hynë sërish në konflikt të ashpër, që ishte njëkohësisht një luftë midis dy tipeve të ndryshme të patriotizmit.

Deri në 1870 dhe në pjesë të madhe edhe në vijim, «partia e lëvizjes» ishte sforcuar shumë për t’u diferencuar nga jakobinizmi, duke ruajtur tek përfaqësuesit kryesorë të saj si Gizó dhe Hygó ndjenjën e sigurtë të së drejtës historike, jo sepse nuk i kundërvihej as kozmopolitizmit, domethënë idesë së bashkimit të ardhshëm botëror, as «nacionalizmit» si pranues i kombit të vet dhe i madhështisë së tij, dhe e konsideronte epokën e tashme si një stadium, por jo si moment të thjeshtë kalimi. Ky skenar ndryshoi vetëm me humbjen në luftën franko – gjermane të 1870/71 dhe në mendimin e Renanit dhe Tejnit Franca mori tonet e një vetëverifikimi kritik që cekte nganjëherë një ankim të dëshpëruar për vendin që Revolucioni e kish çuar në dekadencë. «Lidhja e patriotëve» e themeluar më 1880 nga Pol Dérulèd nuk ishte progresiste dhe gjithësesi ishte e mbrujtur me idenë e hakmarrjes. «Nacionalizmi integral» i Çarls Morasit shikonte tek kombi një rrezik vdekjeprurës dhe i kundërvihej në mënyrën më intransigjente çdo tendence internacionaliste.

Konceptimi i Moris Barrèsit i «tokës» dhe i të «vdekurve» futi në mënyrë të ashpër një moment arkaik në patriotizmin e nacionalistëve, por patriotizmi i Klemansoit, që në vitin 1918 drejtoi Francën, si anëtare e aleatëve dhe fuqi e asociiuar në fitoren ndaj Gjermanisë, nuk ishte më pak autoreferencial dhe mendjengushtë. Pas humbjes së madhe ndaj Gjermanisë Nacionalsocialiste në vitin 1940, edhe ata që i përkisnin regjimit të Vishísë donin të ishin «patriotë», por nuk qenë më të mbushur plot me patriotizmin e sigurtë në vetëvete të grande nation, por kënaqeshin me faktin që Franca, e vetëdijshme për dobësinë e saj, do të mund të luante në të ardhmen vetëm një rol dytësor në Europën e bashkuar nga Hitleri.

Italia ishte për Meternikun vetëm «një koncept gjeografik», një përzierje territoresh kufitare të pushtuara: Lombardia e pushtuar nga Austria, principata ose mbretëri të pushtuara nga dinasti të huaja apo gjysëm të huaja dhe nga Shteti i Kishës së Papëve romanë. Edhe pse jo në cilësine e shtetit unitar dhe të mbyllur, Italia luajti në Europë një rol tejet të rëndësishëm gjatë të gjithë Mesjetës dhe në fillimet e epokës moderne dhe Dante mund të quhet me plot të drejtë një patriot italian apo një apologjet i Italisë sa Makiaveli. Por asgjë nuk qe më pak habitëse se fakti që nën shenjën e Revolucionit Francez dhe në shenjat e para të fitoreve të Napoleonit do të hynin në skenë «patriotë» që donin t’i jepnin fund dominimit të huaj dhe shteteve të vogla dinastike, duke siguruar nën mbrojtjen e ushtrive franceze suksese të mëdha, që u bënë përfundimisht evidente vetëm me humbjen e Perandorit. Por edhe në republikën romane dhe në atë napoletane, ata kishin qëndruar larg nga jakobinizmi radikal dhe kishin pranuar vizionin e botës së Xhambatista Vikos, që nuk i refuzonte realitetet dhe identitetet historike në favor të një kozmopolitizmi abstrakt. Më shumë akoma se në Francë, fjala «patriotë» u bë thirrja e betejës e një partie që nuk donte të ishte aspak parti, por pararoja e bashkimit kombëtar. Tek Macini ata gjetën flamurtarin e tyre kryesor ideologjik; tek Garibaldi heroin e tyre më të famshëm; tek Kavuri realizuesin e planeve të tyre dhe tek «Rilindja» emrin e tyre.

Me Rilindjen, liberalizmi i moderuar arriti triumfin politik që nuk kish njohur asnjëherë në Europë dhe ky qe suksesi i gjithë patriotizmit italian mbi patriotizmat antike dhe të rrënjosura të qyteteve dhe të territoreve dhe, jo të fundit, edhe mbi patriotizmin paradoksal të ndjekësve të Papës, që në çastin e fundit kishin gjetur një mbështetës të jashtëzakonshëm në personin e Gjeeneralit francez Lamorisiè, por që nuk qenë në gjendje ta bëjnë «kristianizmin» e gjymtuar një «komb kristian» të vetëm, që do të ishte analogu i «kombit islamik». Feliçe Orsini, atentati i të cilit ndaj Napoleonit të III-të kish bërë të avanconte procesi i bashkimit më shumë se çdo ngjarje tjetër, i kish transmetuar Perandorit përpara ardhjes në fron një «mesazh të përmbytur me amor patrio»; Garibaldi ishte plot me «amor di patria» derikur hyri në kontakt me disa aderues në “Giovine Italia”-n e Macinit; mërgimtarët paraardhës të Revolucionit të vitit 1848 kishin gjetur azil dhe «atdheu i tyre» ishte në krahinën e Piemontes, i bërë gjerësisht kushtetues. Për pasojë, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Italia qe në gjendje të shpëtonte prej tyre me ndihmën e konceptit të «antirilindjes» të trashëgimisë së rëndë të fashizmit, që në fillim kish gjetur mbështetje të gjerë, kur shpalli mbrojtjen e atdheut kundër internacionalizmit të mbështetur nga marksizmi. Domethënë Italia qe në gjendje të shpjegonte me arësye të mira sesi nacionalizmi radikal ishte antipatriotik dhe antikombëtar.

Pas fitores së Aleatëve mbi Hitlerin, në Gjermani nuk qe e mundëshme diçka e ngjashme me sa ndodhi në Itali. Është e vërtetë se edhe Gjermania, ashtu si Italia, si territor qëndror i Perandorisë së Shenjtë Romake, në Mesjetë dhe në erën e parë moderne nuk qe një shtet kombëtar dhe është e vërtetë se dashuria evidente për atdheun e Valter fon der Fogelvajdes dhe të shumë humanistëve kish mundur të bënte mjaft pak për ta ndryshuar një situatë të tillë, siç pak mundën të bëjnë Danteja dhe Makiaveli në Itali. Megjithatë, zotërinjtë e shteteve territoriale si Bavaria, Vyrtembergu, Hanoveri dhe Prusia qenë gjermanë dhe mbretëria gjithëpërfshirëse e «mbretërve romanë» gjithmonë kish ditur të ngjallte një «patriotizëm perandorak». Por ai patriotizëm që u artikulua, për shembull, nga Baroni Fon Shtajn në epokën napoleonike me fjalët: «Njoh vetëm një atdhe dhe ai quhet Gjermani», ndryshon nga ai italian, sepse qe – dhe ndoshta duhej të ishte – si antidinastik, por sidomos antinapoleonik dhe antirevolucionar.

Kështu që nuk qe plot me vullnet vetëm për të krijuar unitet kombëtar, por edhe me ndjenjën e vazhdueshme të rrezikut që rrethonte Perandorinë. Kështu që ai qe njëkohësisht mbrojtës e agresiv dhe në dramat e në pozeitë e Hajnrih Fon Klajstit dhe Ernst Moric Arndtit ky patriotizëm shfaqte aspekte të një vullneti agjësues të dëshpëruar e fanatik. Edhe tek Hëlderlajni mund të diçka nga këto emocione të thella: Jeto këtu sipër, o Atdhe / Dhe mos numëro të vdekurit / Për ty, o i dashur, askush nuk ka rënë tepër. Në luftërat e periudhës së restaurimit dhe bile deri gjatë Revolucionit të vitit 1848, kalorësit e bashkimit gjerman (që duhej të ishte o «gjerman i vogël» o «gjerman i madh», domethënë pa dhe me Austrinë) nuk arritën ta zotërojnë konceptin e «patriotizmit», por ju desh të kryenin edhe një betejë të vështirë kundër «patriotizmit prusian», që i damkoste me shumë përbuzje Deutschtümler-at (të «teutonizuarit» në kuptim përbuzës) si «antipatriotë» dhe e arritën fitoren vetëm kur Bismarku bëri të tijën kauzën e tyre, me qëllim që të siguronte mbijetesën e Prusisë dhe të monarkisë së tij.

Kur në vitin 194 kjo Gjermani plot kontradikta u zhyt në Luftën e Parë Botërore, nuk mundi të hyjë në lojë, sipas modelit të francezëve dhe të anglezëve, domethënë me objektivin e mbrojtjes së qytetërimit kundër barbarive dhe kështu që patriotizmi i saj mundi të marrë vetëm një formë thellësisht emocionale, në të cilën dukej të rishfaqej uniteti i vjetër midis patriotizmit dhe fesë: Atdhe i shenjtë në rrezik, bijtë e tuaj dalin për të të mbrojtur / I rrethuar nga rreziku, Atdhe i shenjtë, shikon, çdo dorë shkëlqen me armë / Shikona ne të gjithë të zjarrtë, djali gatitu midis djemve. Ti duhet të mbesësh, Atdhe, ne kalojmë. Por vetëm dy vjet më vonë një poet tjetër, anarkisti Erik Myhsam, e vendoste atdheun në një kontekst krejtësisht të ndryshem: Të vrasim siç na kanë urdhëruar, me gjak e dinamit / për atdheun e për kryeqytetin, për Perandorin e për fitimin / Por kur ditët të kenë përfunduar, atëhere do t’u kushtohemi grave e fëmijëve / Atëhere do të shpartallohen kufijtë, do të bjerë pushteti dhe e gjithë bota do të jetë atdhe /dhe e gjithë bota do të jetë e lirë. Në konfliktin midis këtyre dy koncepteve të atdheut totalisht të kundërvëna, domethënë midis nacionalizmit të rishenjtëruar dhe kozmopolitizmit utopisto – idiliak, vetëm një prej dy mënyrave të mendimit mund të fitonte dhe ndoshta në një formë të re të intensifikuar, sikur të mos jetë gjetur ndonjë ndërmjetësim midis dy të kundërtave në dukje të papajtueshme. Në Gjermani, pavarësisht se në formë thellësisht të ndryshme, fitoi mundësia e parë dhe, mëgjithëse është sipërfaqësore të ia mosnjohësh mbijetesën edhe atij patriotizmi antik emotiv, mund të kontribuojë për të bërë qartësi të citosh fjalët e një kënge, që në historinë gjermane përbëjnë një analogji me epokën napoleoniane: “Zgjohu Gjermani, vdekje Judës! Në armë popull. Në armë popull”.

Pas humbjes katastrofike të një atdheu përballë të cilit njerëz që u quajtën «tradhëtarë të vendit» më 20 korrik 1944 quheshin me goxha të drejtë patriotë pas perëndimit të shtetit kombëtar dhe pas zhdukjes progresive të një vetëdijeje kombëtare, gjermanët, ashtu si italianët, edhe francezët megjithëse në mënyrë të ndryshme, i vendosën shpresat e tyre në bashkimin e Europës dhe në lindjen progresive të një patriotizmi europian që do të përbënte një zonë të lumtur dhe «humane» të ndërmjetme midis patriotizmit të vjetër kombëtar dhe atij «patriotizmi universal» të Tokës së globalizuar që profilohet sipas fatthënieve të superfuqisë amerikane. Projektet në këtë kahje shkojnë nga «Europa e atdheve» e propozuar nga dë Goli në «Europën atdhe» të federalistëve. Por kur pas krijimit të një bashkimi pastërtisht të jashtëm, politikanët europianë, nën shtytjen e interesave të shumëfishta dhe për më shumë joeruopiane, janë shtyrë që të mos i pranojnë ata kufij historikë pa të cilat nuk mund të ketë as identitet, as patriotizëm, duke i siguruar një vendi të madh jashtëeuropian në rritje të shpejtë demografike hyrjen në Bashkimin Europian, i kanë paraprirë më shumë se Shtetet e Bashkuara asaj të ardhmjeje «pa komb» që kish paralajmëruar Shelli dhe e kanë vrarë deri në rrënjë mundësinë e një patriotizmi të një lloji të ri. E hipotezueshmja «ne» e një njerëzimit të bashkuar, por dhe për shumë kohë akoma konfliktual, nuk mund të zëvendësojë «në»-në e një patriotizmi shpirtmadh si dashuri për një atdhe të kufizuar dhe të shënuar nga një kulturë specifike – përveç se në rastin në të cilin një rrezik i madh vjen nga kozmosi apo pasoja të rënda dhe jo të qëllimshme të të vepruarit njerëzor kërcënojnë ekzistencën njerëzore në tërësinë e saj. Nëqoftëse kjo e ardhme e njerëzimit do të përkthehet në një shpëtim apo në një shkatërrim, është një çështje së cilës mund t’i jepet përgjigja me një farë saktësie vetëm pas shumë kohësh.

Ernst Nolte është Profesor në Free University të Berlinit

Përgatiti: ARMIN TIRANA

www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button