Analiza

Muri i iluzioneve

Bota e re e krijuar nga rënia e Murit të Berlinit kishte lindur dhjetë vjet më parë. Por Europa nuk e kish kuptuar. 28 vjet më parë, ribashkimi i Berlinit. Eshtë fundi i Luftës së Ftohtë. Dukej një shans i madh. Por Europa nuk diti të përfitojë. Kështu nisi një rënie e vështirë për t’u ndalur

muri 1

Të para me lenten e rënies së Murit të Berlinit – siç është e drejtë të bëhet, për aq sa kanë qenë pasoja – Euro dhe kriza e saj nuk janë më thjeshtë çështje vetëm ekonomie dhe bilancesh publikë. Janë kriza e përgjithshme e një kontinenti që ka qenë qendra e botës për disa shekuj dhe 25 vjet më parë besoi se historia do të ishte kaq dashamirëse, sa t’ia zgjaste atë status edhe në të ardhmen. Nuk ndodhi.

muri 2

Si është e mundur që, atje ku ra Muri, u fitua Lufta e Ftohtë mori fund ideja e ekonomisë së planifikuar, tashmë, 28 vjet më vonë, ka një kontinent kaq në krizë? Si ka mundësi që Europa, në teori përfituesja më e madhe nga fitorja e kapitalizmit mbi socializmin dhe nga rënia e Perdes së Hekurt, nuk ka ditur të korrë frutet e “dividentit të paqes”, për të cilin flitej në fillimet e viteve Nëntëdhjetë? Ajo natë e lavdishme, në 9 nëntor 1989, para Portës së Brandenburgut ishte një iluzion, një lajmërim për një të ardhme që nuk erdhi kurrë? Përgjigja – ose të paktën një pjesë domethënëse e përgjigjes – qëndron në faktin që, qysh atëherë, e kemi lexuar keq perspektivën historike: në vend që të festojmë 25-vjetorin e 1989-ës, duhet ndoshta të festojmë 35-vjetorin e 1979-ës.
Ai që e ka afruar me dhjetë vjet historinë i pari, ka qenë Niall Ferguson, historian britanik, njëri prej më brilantëve. Nuk bëhet fjalë për një zhvendosje kohore: dallimi mes 89-ës dhe 79-ës është mbi të gjitha gjeografik. Në vitin 1979, bota pa revolucioni iranian, që solli rrëzimin e shiitëve dhe fillimin e një ringritje islamike me marrjen e pushtetit të ajatollahëve në Teheran. Të shpallura në vitin 1978, një vit më vonë nisën reformat pro biznesit në Kinë; frymëzuesi i tyre, Ten Hsiaopini, kreu një udhëtim epokal në Shtetet e Bashkuara, i pari i një udhëheqësi të Pekinit që nga viti 1949. Ekonomia kineze u bë pjesë e asaj ndërkombëtare, një tërmet që e bëri të jetë sot e para në botë (në terma të paritetit të fuqisë blerëse). Gjithmonë në 1979-ën, Margaret Thatcheri u zgjodh Kryeministre e Mbretërisë së Bashkuar. Ishte fillimi i një vale liberale në ekonomitë e Perëndimit në fillim, dhe të botës më pas, mes privatizimeve, liberalizimeve dhe kufizimeve të ndërhyrjes së shtetit në ekonomi, që u fuqizua më tej në 1982-shin prej zgjedhjes së Ronald Reaganit në Shtëpinë e Bardhë. Dhe sërish në vitin 1979, Bashkimi Sovjetik, atëherë superfuqi në garë me Shtetet e Bashkuara, vendosi të pushtojë Afganistanin: ishte hapi i parë drejt rënies së shpejtë të viteve që pasuan, dhe më tej, shembjes.
Kjo, jo për të thënë se rënia e Murit të Berlinit, atë 9 nëntor të 25 viteve më parë, nuk kishte qenë një ngjarje me pasoja të jashtëzakonshme. E tillë ishte: i tregoi botës së perandoria sovjetike po shpërbëhej, që kapitalizmi kishte fituar, që komunizmi kishte dështuar, që demokracia kishte demonstruar se ishte më e fortë se autoritarizmi dhe diktatura. Tregoi që një epokë e cila kishte nisur me revolucionin e tetorit, që kishte vazhduar me ndarjet ideologjike në mesin e botës dhe ishte kristalizuar në përplasjen bërthamore mes dy superfuqive, po merrte fund. Dhe bashkë me të, edhe ndarja në dy kampe, në Europë dhe në Gjermani.
Por, është e rëndësishme t’i rikthehemi 1979-ës për të thënë se Muri i Berlinit filloi të shpërbëhej atëherë, pikërisht kur Moska nisi një aventurë ekspansioniste që nuk mundej ta fitonte; Kina u nda ideologjikisht prej ekonomisë së planifikuar me vulën sovjetike; Irani doli nga skema dypolare, sipas të cilës kur humbte Amerika fitonte BRSS, dhe e anasjellta; Thatcheri dhe Reagani shpërthyen murin ideologjik që pretendonte të mbante në të njëjtin plan ekonominë e tregut dhe atë të planifikuar (deri në atë pikë që, në vitet Pesëdhjetë, CIA kishte parashikuar se dimensioni i ekonomisë sovjetike, në vitin 2000 do të ishte sa trefishi i asaj amerikane).
Dalja e fuqive të reja
Në këto ditë – siç thotë Ferguson – festojmë pra një vetëdijësim, ndoshta më të jashtëzakonshmin dhe spektakolarin në një shekull: megjithatë, jo vetëm “zbulimin” e fundit të komunizmit dhe të perandorisë sovjetike ; por lajmin e një ndryshimi global, në të cilin çertifikohej vdekja e rendit të vjetër dypolar, por jo lindja – siç është thënë që atëherë – e një rendi njëpolar amerikan. Kemi patur më shumë lindjen e një mungese rendi të shkaktuar prej daljes së fuqive të reja i cili, siç shihet në krizat dramatike të ditëve të sotme, është shumë larg gjetjes së një pike ekuilibri. Nga njëra anë, kapitalizmi dhe demokracia kanë fituar. Nga ana tjetër, janë çliruar fuqitë që kërkojnë një hapësirë të tyren, si Kina, Irani dhe Rusia post-sovjetike. Ose thjeshtë territoriale, si Kalifati i Islamit. Pra, rënia e Murit të Berlinit ishte me të vërtetë një ngjarje mbi të gjitha europiane, por u krijua prej forcave dhe tendencave që po vinin në diskutim rendin ndërkombëtar dhe shkonin përtej Kontinentit të Vjetër. U hodh në erë jo vetëm rendi i vendosur në fundin e Luftës së Dytë Botërore në Jaltë, por – siç e thotë Henry Kissingeri në librin e tij të fundit “Rendi Botëror” – ai shekullor, i dalë si model ekuilibri mes shteteve, që nga fundi i Luftës së Tridhjetë Viteve dhe Paqes së Vestfalisë, i cili për më shumë se 300 vite ka shërbyer si model për rendin botëror.
Europa, mes frikërave dhe iluzioneve
Atë natë të 9 nëntorit, berlinezët festonin. Mëngjesin tjetër, përballë magazinave të mëdha Kadeve, më të mëdhatë dhe më luksezet e pjesës perëndimore të qytetit, qindra banorë të Lindjes prisnin të hapeshin portat, për ditën e parë të “banjës” me konsumizëm të shëndetshëm: 10 nëntori ishte një ditë me numrin masimal të vizitorëve në historinë e Kadevesë. Qeveria gjermane, atëherë në Bon, dhe kancelari Helmut Kohl, u vunë në lëvizje duke patur në mendje idenë e ribashkimit (do të ndodhte më pak se një vit më vonë, në 3 tetor 1990). Qeveritë e Londrës, Parisit dhe Romës u mbërthyen nga ankthi, nxorrën duart përpara nga frika e një Gjermanie shumë të fortë. Në botë nuk flisnin për gjë tjetër: në Uashington, Moskë, Havanë, në pallatet e diktatorëve të kuq të Europës lindore, që nga ai moment do të rrëzoheshin edhe ata, në lëvizjet për çlirim në Amerikën e Jugut, natyrisht në Pekin, ku partia sapo kishte shtypur protestat në Sheshin e Tienanmenit dhe ishte e terrorizuar nga glaznosti i Mikael Gorbaçovit, në Nju Delhi që kishte jetuar për 40 vite me modelin sovjetik të ekonomisë së planifikuar, e që do ta hidhte poshtë vetëm një vit më vonë.
Po bëhej e qartë se një botë kishte marrë fund. Problemi ishte që, askush nuk qe në gjendje të imagjinonte si do të ishte e reja. Sot, 25 vjet më vonë, diçka është e dukshme. Që Europa do të tronditej prej rënies së Murit, kjo u kuptua menjëherë. Ideja që bëhej fjalë për një çështje mbi të gjitha europiane, krijoi iluzione dhe frikëra që shumë shpejt çuan drejt marrjes së vendimeve ndihmues, por jo domosdoshmërisht me vend. Iluzioni më i madh ishte ai i një dividenti të madh që do të vinte prej rënies së kufijve, dhe krijimit të një tregu të përbashkët europian. Realizuar vetëm pjesërisht, edhe për shkak të këshillave të këqia të diktuara prej frikës. Si për shembull, ato që shtynë drejt vendimit më të rëndësishëm: krijimit të Euros. Ishte një zgjedhje politike, tek e cila mbërritën Kohli dhe Mitterrandi, për të garantuar që një Gjermani e ribashkuar nuk do të kish patur tundimin për të vepruar e vetme dhe dominuar, por do të mbetej e lidhur me Europën.
Përtej rezultateve të begatisë ose jo, nga pikëvështrimi ekonomik dhe financiar, për zgjedhjen e krijimit të një monedhe të përbashkët, prapa vendimit ishte frika e një superGjermanie dhe leximi i 1989-ës, por jo i 1979-ës. Udhëheqësit europianë u sollën sikur ndryshimi kish të bënte vetëm me Europën dhe u përqëndruan në domosdoshmërinë për ta thelluar atë. Pra, për forcimin e kufijve të brendshëm – pikërisht Euro – më shumë se sa për t’i dhënë një dimension dhe një kolokacion ndërkombëtar, në një botë plot me ndryshime.
Nuk është rastësi që për një aspekt nuk diskutohet prej vitesh, përveçse në takimet dhe në konstatimet akademikë: mungesën e një politike të jashtme të BE-së.
Dinamikat e reja ndërkombëtare
Edhe sot, 25 vjet më vonë, madje 35, Europa është zënë në befasi prej agresivitetit të Moskës dhe Vladimir Putinit. Mundohet shumë që të lexojë krizën e Lindjes së Mesme, shumë pranë sa u përket terroristeve dhe valëve të imigrantëve. U zu e papërgatitur nga pranverat arabe. Nuk arrin të merret seriozisht nga Kina dhe nga Azia.
Sa peshë ka patur, në këtë dimension të munguar ndërkombëtar që rrezikon ta mbajë në skajet e ekuilibrave të ardhshëm globalë, një lexim i kufizuar, i brendshëm i rënies së Murit të Berlinit? Në debatin që shoqëroi lindjen e monedhës së përbashkët, pati pozicioni që këmbëngulnin në nevojën jo vetëm për ta bërë BE-në dhe Eurozonën një njësi të bashkuar dhe homogjene përballë sfidave të globalizimit, por edhe për të krijuar një pol autonom dhe alternativ ndaj vetë fuqisë dominuese, SHBA: Euro, si bërthamë përreth të cilës të ndërtohej një bllok më pak atlantik dhe jo i dominuar nga Uashingtoni dhe nga dollari. Deri tani, kjo ide nuk ka gjetur këmbë për të marshuar. Megjithatë, ka mbyllur në vetvete Bashkimin Europian, e ka përqëndruar tërësisht mbi një krizë që vetë e ka krijuar, një monedhë unike pa arkitekturën institucionale në gjendje ta menaxhojë, dhe i paaftë të rrokë dinamikat ndërkombëtare. Iluzioni që rënia e Murit do ta rivendoste Europën në qendër të botës favorizoi zhvillimin e asaj sindrome të madhe që Fituesi i Nobelit, Mario Vargas Llosa e quan “ombligizmi”, domethënë të shohësh vetëm kërthizën tënde.
Realiteti i 25 viteve të fundit është që demokracia dhe ekonomia e tregut kanë bërë hapa gjigandë. Para rënies së Murit, vendet me demokraci zgjedhore nuk ishin më shumë se 40 dhe zinin një të tretën e popullsisë; sot, vendet ku votohet janë 120 dhe zënë dy të tretat e popullsisë së botës. Jo gjithnjë janë të përsosura, të lira dhe me ligje të sigurtë e të padiskutueshëm: pavarësisht kësaj, ndryshimi ka qenë i madh. Megjithatë, demokracia është përballë sfidave të dukshme. Në vendet islamikë, ajo është sprapsur në pjesën më të madhe prej islamit radikal. Në Rusinë e Putinit flitet mirë, por mohohet në praktikë. Dhe modeli autoritar kinez tërheq, pasi në dukje është efiçient dhe produktiv në rrafshin ekonomik. Pra, ka një reagim kundër përparimit të demokracisë, siç e thotë prej tetë vitesh Freedom House në indeksin e saj të lirive demokratike.
Përballë kësaj situate, vlerat transatlantike – demokracia, ligji, tregu i lirë – duhen mbrojtur dhe konsoliduar, marrëdhënia mes Europës dhe SHBA duhet forcuar. Nuk po ndodh. Vetëm pjesërisht për shkak të një çbilancimi të interesit amerikan drejt basenit të Paqësorit. Në pjesën më të madhe sepse Europa është e shpërqëndruar prej krizës së saj, prej ndjesisë së saj të dobësisë, nga ideja që është ende qendra e botës, në një kohë kur është e rrethuar nga fuqi që përpiqen të kenë hapësirën e tyre, legjitime, por shpesh jo demokratike dhe paqësore. Përgjigja e dobët ndaj agresionit rus në Ukrainë. Interesi pothuajse i munguar për vatrat e luftës dhe terrorizmit në Siri dhe Irak. Marrëdhënia e vëngërt me Iranin e ambicieve bërthamore. Mënyra e shkujdesur me të cilën përballoi rënien e Gedafit në Libi. Mungesa e peshës politike (më shumë se sa ekonomike) në Azi. Vështirësia në përshtatjen e sistemit të vet organizativ dhe social përballë sfidave që paraqet globalizimi i ekonomisë. Ja pra, nga forcat që u çliruan atë 9 nëntor të 1989-ës, madje dhjetë vite më herët, Europa është marrë vetëm me ato që i përkasin drejtpërdrejtë, jo me të tjerat, madje edhe me iluzionin që t’i lejonte vetes të bënte pa marrëdhënien transatlantike.
Të para me lenten e rënies së Murit të Berlinit – siç është e drejtë të bëhet, për aq sa kanë qenë pasoja – Euro dhe kriza e saj nuk janë më thjeshtë çështje vetëm ekonomie dhe bilancesh publikë. Janë kriza e përgjithshme e një kontinenti që ka qenë qendra e botës për disa shekuj dhe 25 vjet më parë besoi se historia do të ishte kaq dashamirëse, sa t’ia zgjaste atë status edhe në të ardhmen. Nuk ndodhi. /“SETTE”/ Bota.al

* Në respekt të punës së personave që kanë punuar për ta sjellë në shqip këtë material, Bota.al lutet që të mos KOPJOHET

Leave a Reply

Back to top button