Shënimi i mëngjesit nga Washingtoni i faqes Politico.com hapet duke cituar zhurmën e tapave të shampanjës që janë hapur, në kryeqytet, pas njoftimit të largimit të Elon Musk nga qeveria e Donald Trumpit.
Sipërmarrësi kishte njoftuar prej kohësh tërheqjen e tij: duke qëndruar në administratë për më shumë se 130 ditë, ai do të ishte bërë një punonjës me kohë të plotë me të gjitha detyrimet e transparencës dhe të rregullave të konflikteve të interesit, të cilave nuk kishte ndërmend t’u nënshtrohej. Pra, në dukje, një ndarje e dakordësuar, jo një përçarje.
Vetë Musk e ka një siguri: farat e mbjella me Doge, ministria i tij për Efiçencën, do të japin frytet e tyre në reduktimin e burokracisë dhe të shpërdorimeve. Por, duke çmontuar sektorë të tërë të administratës publike, Elon kishte kundër jo vetëm personelin, gjysmën e qeverisë, por edhe një pjesë të mirë të Kongresit – përfshirë republikanët. Me popullaritetin që i kishte rënë ndjeshëm, edhe Trumpi kishte pushuar së lavdëruari me elozhe të ekzagjeruara.
Tani pyesim se çfarë do të ndodhë me atë ministri që duhej të transformonte makinerinë shtetërore, të përbërë nga njerëz që ai vetë i kishte zgjedhur dhe punësuar. Doge tashmë është nën hetim nga gjyqësori, i cili ka kontestuar shumë largime të konsideruara të paligjshme: më pak pengesa, tani, për gjyqtarët. Për më tepër, ëndrra e Musk për të ulur shpenzimet publike me 2.000 miliardë dollarë, më pas 1.000, kishte dështuar prej kohësh: e gjitha ishte reduktuar në 150 miliardë. Por as ky rezultat nuk ka mbetur: brenda asaj shume janë eliminuar disa shpenzime të krijuara më parë dhe funksione të ndryshme që qeveria i kishte eleminuar gabimisht, por që tashmë po rikthehen me shpejtësi.
Çfarë do të mbetet nga ky eksperiment? Ndoshta vetëm një shans kaotik i humbur nga një sipërmarrës gjeni dhe dinamik, por pa përvojë politike dhe pa empati, që – pasi doli në skenën e Uashingtonit duke mbajtur një sharrë elektrike – largohet sot pothuajse në heshtje me një tweet. Pothuajse, sepse, pikërisht ndërkohë që falënderon në X presidentin për mundësinë e dhënë për të zbatuar me DOGE masa të rishëndoshjes së financave publike, Musk jep një intervistë për CBS, ku godet ligjin e buxhetit të Trumpit, duke pohuar se ai rrit defiçitin dhe borxhin federal në vend që t’i ulë ato; pra, e anulon punën e DOGE.
Me pak fjalë, Trump nuk e prish marrëdhënien me Musk, i cili ka bërë më shumë se kushdo tjetër për rizgjedhjen e tij, dhe Elon nuk e sulmon drejtpërdrejt një president që ka në dorë mekanizmat qeveritarë, në gjendje të ndikojnë ndjeshëm në ndërmarrjet e tij, duke i mbështetur ose penguar ato.
Por është i qartë zhgënjimi i Musk dhe një zemërim i papërmbajtur për faktin që nuk arriti të ndalonte marrëveshjen më të hidhur: atë për të krijuar në Abu Dhabi një nga qendrat më të mëdha të të dhënave në botë për inteligjencën artificiale, të firmosur nga kreu i OpenAI, Sam Altman, armiku i tij i betuar, së bashku me Nvidia, Oracle dhe një Softbank.
Sipërmarrësi fillimisht u përpoq të pengonte bashkëpunimin, më pas u tha të dërguarve të Emirateve se operacioni nuk do të përfundonte me sukses nëse nuk merrte pjesë edhe kompania e tij xAI. Por në fund Trump bekoi marrëveshjen pa pjesëmarrjen e Musk.
Pra, asnjë derë nuk u përplas me të madhe, por ai «bashkëpresident» që ende në shkurt thoshte se e donte Trumpin dhe që tani tërhiqet heshturazi, nuk do të largohet krejtësisht në heshtje nga skena. Komunikues pa frena, sipërmarrësi i Tesla, X dhe SpaceX që ka shpenzuar gati 300 milionë dollarë për të zgjedhur Trumpin dhe kishte premtuar edhe 100 të tjerë për zgjedhjet e mesit të mandatit në vitin 2026, ka thënë se është lodhur shumë nga politika: “Tani mjaft më, nuk do të jap më asnjë dollar përveçse nëse shoh ndonjë përfitim: ‘Për momentin nuk shoh asnjë’.”
Pyetja kryesore ka të bëjë me rindërtimin e koalicionit që i dha Trumpit mjetet për të ndërhyrë në të gjitha fushat, duke qeverisur në mënyrë autoritare. Ai kishte krijuar një ekuilibër midis së djathtës ultrakonservatore të Heritage Foundation dhe pjesës së botës së teknologjisë, e cila i ishte bashkuar si aleate.
Tërheqja e Musk lë në skenë vetëm tradicionalistët? Apo Musk, Thiel, Andreessen dhe të tjerë liderë të botës digjitale, të vetëdijshëm për mësimin e 8 viteve më parë dhe pasi kanë vendosur shumë njerëz të tyre në poste kyçe të administratës, presin në pritë një Trump ende të aftë dhe të papërballueshëm, por me një horizont të kufizuar?
Teknologjia, gjithnjë e më e fuqishme dhe së shpejti e destinuar, me Inteligjencën Artificiale, të revolucionarizojë tregun e punës duke krijuar probleme të mëdha për politikën — siç paralajmëron edhe kreu i Anthropic, Dario Amodei — sigurisht nuk heq dorë nga ambicia e saj për të ndryshuar rregullat e demokracive. Ajo e përdorimit të Trumpit si një buldozer rezultoi një iluzion. Tani loja do të luhet me JD Vance: «kapiteni i së ardhmes» është një krijesë e Thiel, por ka flirtuar edhe me ultra-t e Heritage. Çfarë do të bëjë ai kur (dhe nëse) Trumpi do t’i lërë fushë të lirë? / bota.al