Covid19MAIN

Mutacioni i virusit, që detyroi Boris Johnsonin të bëjë prapakthehu

“Me vdekjen në zemër, ju njoftoj se ne nuk do të jemi në gjendje të kalojmë Krishtlindjet ashtu siç i kishim parashikuar. Besoj se nuk ka alternativa”. Kryeministri britanik Boris Johnson njoftoi kështu, në një konferencë shtypi, se kishte vendosur një shtrëngim të ri mbi masat anti-pandemike gjatë pushimeve.
Ai që, vetëm tre ditë më parë, kishte quajtur “jonjerëzore” të mendonte për “anulimin e Krishtlindjeve” u detyrua të bënte prapakthehu, nga varianti i ri i koronavirusit, “deri në 70% më ngjitës se versioni origjinal”, i cili po përhapet me shpejtësi të pabesueshme në Londër dhe rajonet fqinje.
Kryeqyteti dhe zona jug-lindore e vendit, janë vendosur në një nivel të ri gatishmërie, “Tier 4”, i cili bëri të nisë bllokimi sot. Kështu, dyqanet jo-thelbësore dhe palestrat janë të mbyllura. Do të duhet të punohet nga shtëpia kur është e mundur, dhe nuk do të lejohet hyrja ose dalja nga zonat “e kuqe”. Në ditën e Krishtlindjes do të jetë e ndaluar të priten mysafirë. Lejohet të takohet vetëm një jofamiljar, por jashtë. “Kur virusi ndryshon metodën e tij të sulmit, ne duhet të ndryshojmë metodën tonë të mbrojtjes,” shpjegoi Johnson. Për pjesën tjetër të Anglisë, megjithatë, rregulli i rakimeve me deri në tre familje të ndryshme do të mbetet në fuqi, por vetëm për Ditën e Krishtlindjes. Masat e reja janë të vlefshme për dy javë dhe do të rishikohen në 30 Dhjetor.
Johnson donte, megjithatë, të siguronte popullatën: “Nuk ka asnjë provë që varianti i virusit ka vdekshmëri më të madhe, që shkakton sëmundje më të rëndë, ose se vaksina është më pak efektive”. Por numrat e infektimit janë mbresëlënës: në javën që përfundoi më 18 nëntor varianti I ri i virusit, zbuluar për herë të parë në mes të shtatorit, përbënte rreth një në katër raste në Londër, në Anglinë lindore dhe juglindore; në javën e mbyllur më 9 dhjetor, përqindja u rrit në 62% në Londër, 59% në Anglinë lindore dhe 43% në atë jug-lindje. Dje ishin 27.052 raste të koronavirusit në Britani dhe 534 njerëz gjetën vdekjen. Që nga fillimi i pandemisë në Mbretërinë e Bashkuar ka pasur 2.010.069 infeksione dhe 67.177 vdekje.
Linja e ndjekur nga Downing Street është quajtur “konfuze” nga udhëheqësi i Laburistëve, Keir Starmer: “Planet e Krishtlindjes të miliona njerëzve u hodhën në erë, në më pak se një javë, shkroi ai në Twitter -. Na duhet një udhëheqje më e vendosur”.
Por Kryeministri britanik nuk është i vetmi. Ministri i parë i Uellsit, Mark Drakefort ka ndërmarrë të njëjtat hapa. Dhe Kryeministri i Skocisë, Nicholas Sturgeon, dje nisi një shtrëngim të ri, duke revokuar lehtësimin e masave për pushimet, përveç ditës së Krishtlindjes. Nga 26 Dhjetori, një bllokim i ri do të vendoset në gjithë Skocinë, dhe një ndalim udhëtimesh në pjesën tjetër të Mbretërisë së Bashkuar. “Ne jemi në momentin më serioz dhe potencialisht më të rrezikshëm që nga fillimi i pandemisë,” tha Sturgeon. / CdS – Bota.al

Back to top button