Analiza

Naiviteti i Hilari Klintonit

The Washington Post

Screen Shot 2015-03-05 at 19.23.38

Hilari Klintoni ka shërbyer si zonjë e parë, senatore e Nju Jorkut dhe sekretare shteti. Ajo nuk është një njeri i panjohur në korridoret e pushtetit. Vendimi i saj për të përdorur vetëm një adresë elektronike private, ndërsa ishte shefe e diplomacisë amerikane, të bën të mendosh se ajo e ndërmori këtë akt qëllimsht, për t’i mbrojtur mesazhet e saj nga një shqyrtim i hollësishëm.

Ky ishte një gabim, që reflekton një gjykim të dobët mbi besimin e opinionit publik. Sipas rregullave që kanë ekzistuar gjatë gjithë kohës, kur zonja Klinton ka shërbyer si sekretare e shtetit, nga viti 2009 deri në 2013-ën, zyrtarëve të qeverisë nuk u kërkohej në mënyrë detyruese, të përdornin llogaritë zyrtare të e-maileve.

Megjithatë, në vitin 2011, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Xhej Karnej, tha: “Ne përfundimisht jemi udhëzuar se kemi nevojë që të gjithë veprimtarinë tonë, t’ia nënshtrojmë llogarive tona qeveritare…” Karnej theksoi se ishte një “politikë e administratës”, përdorimi i llogarive zyrtare. Por a nuk u zbatua kjo edhe për zonjën Klinton në Departamentin e Shtetit?

Nëse zyrtarët e qeverisë kanë përdorur e-mailet private për veprimtaritë publike, ata ishin të detyruar të merrnin në konsideratë, se e-mailet janë të barabarta me arkivat zyrtare të qeverisë, dhe për pasojë duhet t’i ruanin ato. Ndërkohë që zonja Klinton e mori të gjithë përmbajtjen e postës elektronike me vete, kur u largua nga detyra në vitin 2013, dhe vetëm më pas, në dhjetor të po atij viti kur u pyet nga Departamenti i Shtetit, riktheu mbi 55 mijë faqe të e-maileve nga llogaria e saj private.

Zëdhënësi i saj tha se në të gjitha rastet, kur ajo u shkroi zyrtarëve të departamentit në adresat e tyre qeveritare, ato e-maile gjenden ende në sistemin e departamentit. Presidenti Obama firmosi nëntorin e kaluar ndryshimet në ligjin që u kërkon tashmë punonjësve të qeverisë, të cilët përdorin e-maile private për veprimtaritë zyrtare, që t‘i përcjellin ato tek sistemet e qeverisë brenda 20 ditësh.

Zonja Klinton nuk është e para zyrtare e lartë e qeverisë, që komunikon përmes adresave private në lidhje me punët publike. Por një mori pyetjesh lindin, nga vendimi i saj për të përdorur një e-mail privat, sidomos ndërsa shërbente si sekretare e shtetit. Sa të sigurta ishin e-mailet private? Cila ishte arsyeja e një veprimi të tillë? A pyeti dikush, përse sekretarja e shtetit nuk e respektoi rregulloren e shpallur të administratës publike? Pse ajo nuk i ktheu e-mailet menjëherë, pas largimit nga detyra? A ka fshehur ndonjë gjë?

Mundet që zonja Klinton ka përdorur e-mailet private, pasi ajo e kishte parashikuar se republikanët do të ishin në kërkim të ndonjë skandali, dhe do të kërkonin të kontrollonin atë pjesë të të dhënave të saj, që mund të vëzhgohet. Një frikë e tillë do të kishte pasur bazë të mjaftueshme, por ajo nuk e jusfikon prirjen për kontrollin dhe sekretin, që ajo e pati ekspozuar më parë, dhe që tashmë mbetet një atribut shqetësues, në kushtet kur zonja Klinton do t’i hyjë ndoshta garës presidenciale të nëntorit të vitit të ardhshëm. Nuk është as frika nga kritikat partiake, një justifikim i mjaftueshëm, dhe madje edhe distanca e vlefshme, një motiv për të përdorur një kanal privat komunikimi për aktivitetet zyrtare.

Këtu qëndron edhe problemi i vërtetë. Në thelb, zonja Klinton e privatizoi e-mailin e saj, duke i rezervuar vetes të drejtën, se çfarë duhej të regjistrohej në procesverbal e çfarë jo. Zëdhënësi i zonjës Klinton u shpreh se ajo ka respektuar “ligjin dhe frymën e rregullave”. Ndoshta ligji u respektua, por sigurisht jo fryma. Nëse njerëzit aspirojnë për të qenë pjesë e shërbimit publik, ata duhet të sillen si kujdestarë të besimit të opinionit publik, çka përfshin edhe të gjitha të dhënat e tyre. Përdorimi i e-maileve private nga ana e Klintonit është dëshmi e naivitetit të saj në raport me besimin e publikut./WP/

www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button