Histori

NAPOLEONI / Perandori në “ferrin e bardhë” rus

Francezëve nuk u mbetej vec të ktheheshin në gjurmët e tyre: pas sulmit të kryer nga vera ruse, tashmë do të mendonte dimri, me temperatura deri minus 38 gradë, që të përfundonte veprën. Kolona e fundit e të dëshpëruarve ku ishte katandisur tashmë Armata e Madhe numëronte vetëm 10 mijë vetë. Ata përshkuan Nemunasin në 11 dhjetor, bashkë me 25 mijë të tjerë që kishin shpëtuar me mjetet e tyre. Në Rusi, Napoleoni kish vënë bast gjithcka në një letër të vetme. Dhe kishte humbur

napoleon-retreat

Pikërisht në këto ditë, 206 vjet më parë, Europa ishte dëshmitare e trembur e ushtrisë më të madhe që një njeri i vetëm kish grumbulluar ndonjëherë, nën një flamur të vetëm. Napoleon Bonaparti kishte thirrur nën armë 600 mijë vetë, gjysma francezë dhe gjysma nga 11 gjuhë të ndryshme, dhe i udhëhiqte drejt Rusisë. Në vitin 1807, pasi kishte mposhtur carin në Frideland, në Prusinë Lindore, Napoleoni e kishte lidhur në një marrëveshje miqësie “të përjetshme” që parashikonte një ndarje të favorshme të sferave të influencës në Europën lindore dhe i impononte një detyrim të vetëm: aderimin në bllokun kontinental që “mbyste” ekonominë e Britanisë së madhe, armiku më i pakalueshëm i Francës

napoleonike. Një masë që britanikët e thjeshtë e vuanin shumë. Ndoshta jo aq sa kishte shpresuar Napoleoni, por më shumë nga asa mund të duronin. Vecanërisht e penalizuar nga bllokazhi kontinental, megjithatë, ishte pikërisht ekonomia e pasigurtë ruse, e cila varej shumë nga tregtia e lëndës së drurit me Britaninë e Madhe dhe nga importet e produkteve të manifakturave angleze.

Vetëm protestat e tregtarëve rusë dhe kundërshtarëve të Francës nuk do të kishin mjaftuar që të bindnin carin Aleksandër të hidhte poshtë traktatin e Tilsitit, qoftë duke marrë parasysh edhe qasjen e fisnikërisë ruse në komplotet e pallatit mbretëror. Megjithatë, ato shërbyen për të theksuar kritikat ndaj klauzolave dhe zhvillimeve politike që gjeneronin sipërmarrjet napoleonike.

Dyshime reciprokë
Në fakt, në Tilsit ishte krijuar Dukati i Varshavës, duke shkëputur provinca mbi të gjitha nga Prusia dhe, në një masë më të vogël, edhe nga vetë Rusia. Për carin, rilindja e një kombi polak në atë moment pak rëndësi kishte, duke qenë se besonte tek premtimi i Napoleonit për të mos e ngritur në mbretëri. Dhe për një herë, Napoleoni kish vërtetë ndërmend të mbante fjalën, duke tradhëtuar pa hezitim shpresat e polakëve, mbshtetës të tij entuziastë.
Në vitin 1809, cari nuk mund të kënaqej më me premtime. I mundur sërish në Austri, Napoleoni i kish dhënë dukatit të Varshavës territoret verilindore të Habsburgëve. Ishte vetëm një mënyrë për të konsoliduar pozicionin napoleonik në funksion antiprusian dhe antiaustriak, por rusët e lexuan në mënyrë shumë të ndryshme këtë vendim: sipas tyre, dukej se ishte vetëm cështje kohe, tashmë, përpara se atdheu i ringjallur polak, i ndezur edhe prej një fryme nacionaliste, të kërkonte atë pjesë të “Polonisë së Madhe” që ishte uzurpuar nga Rusia. Fryma e Tilsitit nuk ekzistonte më, edhe pse nuk ishte ende momenti për të informuar Napoleonin. Ndërkohë, një numër gjithnjë e më i madh anijesh “neutrale” rifilluan veprimtarinë tregtare në portet ruse, duke thyer bllokazhin kontinental dhe duke minuar autoritetin e Napoleonit. Duhet t’i njohim carit Aleksandër, në mos për sjelljen, vetëm vullnetin për të kërkuar një marrëveshje më të mirë në kushte, në krahasim me atë që kishte pranuar në Tilsit. Por, ai u shfaq edhe i përgatitur ushtarakisht. Nga ana e tij, Napoleoni rriti më tej, ndonëse pa një qëllim të saktë, shqetësimin e rusëve. Që nga marsi i 1810, Franca kishte një perandoreshë të re dhe, nga gushti i po të njëjtit vit, Suedia kishte një mbret të ri: Napoleoni, pasi ishte divorcuar nga Jozefina, pasi kjo nuk kish qenë në gjendje t’i jepte një trashëgimtar, ishte martuar me Mari Luizën, dukeshë e Parmës, bijë e perandorit austriak Francesku II. Ndërkohë suedezët, për të zgjidhur një krizë të tyre dinastike, kishin thirrur në fron, me konsensusin jo pa hezitim të Napoleonit, marshallin e Francës Jean Bernadotte.

Në fakt, Rusia rezultonte tashmë e rrethuar në perëndim nga një front i vetëm aleatësh të Francës, e dëbuar në lindje dhe gjithnjë e më larg objektivit për të hyrë si fuqi e madhe në zemër të politikës kontinentale europiane. I shtojmë kësaj edhe faktin që Napoleoni, duke vendosur të fejohej me Mari Luizën, kishte ndërprerë pa shumë komplimenta tratativat për t’u martuar me një motër të carit: një fyerje që i ndezi edhe më shumë ndjenjat antifranceze të pranishme tek shumë rusë. Kështu që, nga viti 1810 Franca dhe Rusia nisën njëkohësisht përgatitjet ushtarake. Për momentin bëhej fjalë vetëm për masa paraprake, por që gjeneronin nga ana e tyre dyshime të mëtejshëm reciprokë, duke i hapur rrugë një acarimi të mëtejshëm i cili pashmangshmërisht do të sillte asgjë më pak se sa luftën.

Një oqean ushtarësh
Në muajt e parë të vitit 1812, qindra mijëra francezë dhe aleatët e tyre ndodheshin tashmë në lumin Nemunas, për të mbrojtur Poloninë nga një sulm rus, dhe të tjerë pritej të mbërrinin. Një migracion masiv i armatosur që nuk ishte parë asnjëherë. Askush nuk kishte refuzuar kërkesën për trupa; madje edhe kombet e shtrënguar për një miqësi të detyruar me Napoleonin, si Austria dhe Prusia, kishin dërguar kontributin e tyre. Megjithatë, edhe cari kish bërë goditje të rëndësishme diplomatike: një marrëveshje paqeje me perandorinë Otomane kishte vënë në dispozicion të tij garnizonët e frikshëm të kufirit jugor, ndërkohë që një tjetër traktat me vetë Suedinë e Bernadotte kishte siguruar një gjendje jolufte në ekstremin verior të vendit. Befasia dhe hidhërimi i Napoleonit ishin të mëdha, ndonëse më vonë ai do ta akuzonte ish marshallin “vetëm për mosmirënjohje dhe jo për tradhëti”.

Më shumë se sa për intriga diplomatike, mendimet e Bonapartit ishin përqëndruar tek kundërshtari i tij i vërtetë, Rusia, si dhe organizimin skrupuloz të përgatitjeve ushtarake për ta pushtuar atë. Një territor armiqësor nga shumë pikëpamje: për madhësinë e pakufi; për faktin që kishte aq shumë pyje sa që nuk kishte fushëbeteja të mjaftueshme për vendosjen e ushtrive të mëdha; për pamjaftueshmërinë e burimeve të saj, që sigurisht armiku do të merrte masa t’i zeronte; për lumenjtë e mëdhenj që përshkonin tërthorazi drejtimin e marshimit; për klimën përvëluese në verë dhe të acartë në dimër; për mungesën e një rrjeti rrugor të denjë për këtë emër. Rusia do i kundërvihej pushtuesve me këto armë të tmerrshme, dhe Napoleoni shqetësohej më parë për këto se sa për topat e Carit. Perandori studioi dhe kontrolloi vetë cdo detaj të organizimit: që nga treni i furnizimeve deri tek depozitat dhe përmbajtja e tyre, që nga artizanët e specializuar që do të duhej të shoqëronin formacionet ushtarakë, deri tek bagëtitë që do të duhej t’i ushqenin. Armatat duhej të ishin të pavarura në gjithcka, sepse asgjë nuk do të gjenin në ata vende jomikpritës, që armiku do i bënte madje të shkretë. Madje edhe përmbajtja e cantave të shpinës dhe objektet në brendësi të tyre u studiua me saktësi për të optimizuar kapacitetet e transportit.

Që përpara se të niste fushata, vështirësitë për të menaxhuar me rregull një ushtri kaq të madhe (450 mijë ishin vetëm ata nën komandën direkte të Napoleonit) u shfaqën me prepotencë. Për shembull, ishin vendosur që ushtarët, në marshimin e tyre pranë lumit Nemunas, do të siguronin ushqime aty për të mos prekur furnizimet e rezervuar për kohën e pushtimit. Megjithatë, shpesh herë burimet e vënë në dispozicion nga autoritetet civilë të aleatëve ishin kaq të pamjaftueshëm, që shumë prej trupave, të lodhur nga marshimi, boshatisnin rezervat.

Armët e fshehta të carit
Por Napoleoni besonte pikërisht tek numrat e mëdhenj. Rusët nuk do ta imagjinonin kurrë që do të ndesheshin me një ushtri sa dyfishi i forcave të tyre. Vec kësaj, perandori francez donte ta mbyllte lfutën brenda vetëm tre javëve: një periudhë kohe shumë e shkurtër që do i bënte humbjet të papërfillshme. Praktikisht rusët u zunë në befasi nga numri i kundërshtarëve. Kjo gjë prishi planet e tyre, që parashikonin një tërheqje të dy armatave kryesore (e para në komandën e Michael Barclay de Tolly, e dyta nën urdhërat e Pyotr Bagration) deri në fushën e fortifikuar të Drissas, ku do të përqëndroheshin përforcimete disponueshëm prej mobilizimit të përgjithshëm. Në këtë mënyrë, Napoleoni do të ndodhej mes kudhrës dhe cekicit.

Sigurisht, ideja e largimit të përplasjes dhe lokalizimit larg kufirit ishte e mirë, por Drissa ishte ende shumë afër, që Armata francezëe të rezultonte mjaftueshëm e dobësuar nga “fërkimi” i luftës. Përkundrazi, Napoleoni kish për qëllim të përfitonte nga pozicioni i tij qendror. Projekti i tij ishte të futej mes dy armatave të armikut për të shkatërruar atë që do të ndeshte të parën. Cari, që formalisht ishte komandant i përgjithshëm, e ndiqte situatën nga Shën Petësburgu, pak si shumë larg për të marrë vendime. Kujdestaria në fushëbetejë ishte e Barclay de Tolly, ushtarak me origjinë gjermaniko-skoceze. Bagration, princ me prejardhje të lashtë, nuk toleronte gjendjen e tij të të qënit nën urdhërat e një të huaji, dhe ndonëse pranonte me disiplinë autoritetin, nuk ndante zgjedhjet strategjike të tij. Sipas Barclay de Tolly, Napoleoni ishte shumë i fortë për t’u përballur, ndërkohë që Bagration shtynte për të marrë me vendosmëri ofensivën. Paradoksalisht, kjo përplasje në majë rezultoi e cmuar: erdhi e u formësua një përzierje maturie dhe krenarie dhe rusët në tërheqje të vazhdueshme nuk e humbën asnjëherë forcën, duke u shfaqur luftëtarë të pamposhtur në mbrojtje dhe gjithmonë të gatshëm për kundërofensivë. Kurthet e ngritur nga Napoleoni ndaj dy ushtrive të armikut dështonin njëri pas tjetrit dhe ishte epamundur të pengohej ribashkimi i tyre pranë Smolenskut, vend ku ndodhi beteja e parë.

Rasti për të shkatërruar armatën cariste, aq shumë i kërkuar nga Napoleoni, erdhi vetëm në 16 gusht, plot dy muaj nga nisja e pushtimit. Por rezltati nuk ishte ai që shpresonte perandori: pas një rezistence të ashpër, rusët arritën më në fund të shkëputen. Në këtë pikë, për Napoleonin, rezultati i kësaj sipërmarrjeje ishte tashmë absolutisht negativ. Kalorësia ruse, e ndihmuar shumë edhe nga repartet e kozakëve kishte arritur gjithmonë të ngrinte një mburojë të papenetrueshme ndaj njësive eksploruese franceze. Marshallët lëviznin kështu verbërisht, duke ndjekur instiktin e Napoleonit dhe urdhërat e tij. Por kur këta mungonin apo ishin jo të saktë, frika se mos binin ndesh me qëllimet e luftëtarit të tyre aspak fleksibël i paralizonte. Napoleoni pretendonte gjithmonë se ushtronte një kontroll total, në fakt i pamundur në ata kushte, dhe vartësit e tij nuk bënin shumë për të pretenduar autonominë e nevojshme për të përballuar situatën.

I nxehtë përvëlues, i ftohtë i acartë
Ndjekja e caristëve detyronte ushtarët e Napoleonit të kryenin marshime rraskapitës në të nxehtin e padurueshëm të verës ruse, dhe rrugëtimi i tyre mbushej me kufoma: njerëz dhe kafshë të vdekur nga lodhja, dizenteria, uria. Kolonat kompakte ngrinin stuhi pluhuri që i mbysnin ushtarët, duke i torturur nga etja, dhe sa më shumë këta marshonin, aq më shumë largoheshin nga furnizimet, që mbeteshin pas, të mbushur me rërë në stepa, duke i dënuar kështu me uri njerëzit tashmë të tejlodhur.

Një shi i thjeshtë vere i përkeqësonte gjërat pasi e transformonte terrenin në një liqen të pakalueshëm balte që i përthithte në brendësi njerëzit, kafshët dhe sendet. Shumë preferonin të vriteshin më mirë se të jetonin në këto kushte, të tjerë dezertonin duke u bashkuar në formacione të improvizuar që jetonin me kusari ndërkohë që përpiqeshin të ktheheshin në vendet e tyre të largët. Dhe fshatarët e kozakët nuk pushonin së ndjekuri këta ushtarë si kafshë të egra. Në këtë skenar të tmerrshëm, nuk është për t’u habitur që, pas betejës së Smolenskut, Napoleoni mori në konsideratë hipotezën për t’u vendosur në pozicionet e arritur tashmë përgjatë vjeshtës dhe dimrit, duke i dhënë mundësi ushtrisë të marrë frymë. Forcat nën komandën e tij ishin tashmë sa një e treta e atyre me të cilat ishte nisur dy muaj më parë. Bonaparti do të kish mundur ti riintegronte me rekrutë, apo t’u jepte polakëve pavarësinë e dëshiruar për të marrë në këmbim mobilizimin e përgjithshëm dhe njëqind mijë ushtarë të tjerë; do të mund të vendoste në pranverë se në cilin prej dy kryeqyteteve rusë, Shën Petërsburg apo Moskë duhej të drejtonte sulmin e tij. Por në të vërtetë bëhej fjalë për hipoteza tashmë të papraktikueshme, pasi asnjëherë ushtria e tij nuk do të arrinte të mbijetonte në zemër të territorit rus. Nuk mbetej vec të kthehej pas, ose të përparonte dhe 450 kilometra e të arrinte në Moskë, duke uruar që kjo mjaftonte për ta detyruar carin të dorëzohej. Megjithatë, tashmë Aleksandri ishte i vendosur që të rezistonte dhe ia kish dhënë komandën ekspertit Mikhail Kutuzov, me mandatin për të cliruar tokën e shenjtë ruse nga pushtuesi. Ky provoi të bllokojë Napoleonin në Borodin, në 7 shtator, në lumin Moskova, dhe ndonëse nuk arriti asnjëherë provokoi një hemoragji të re ushtarësh mes radhëve të francezëve.

Luhet gjithcka
Një javë më vonë Napoleoni arrinte në Moskë me më pak se 100 mijë ushtarë: shumë pak për të frikësuar Aleksandrin, e jo më Kutuzovin, trupat e të cilit ishin më të shumtë se ata kundërshtarë. Në një qytet të shkatërruar nga flakët për shkaqe ende të pasqaruara, edhe pse tradicionalisht i janë atribuar strategjisë ruse të “tokës së djegur”, Napoleoni priti më kot dorëzimin e Carit.
Me një vonesë fajtore, vetëm pas pak më shumë se një muaji, në 18 tetor perandori vendosi të braktisë qytetin, duke nisur tërheqjen që do të hynte në histori si një prej katastrofave më të mëdha ushtarake të të gjithë kohërave. Kutuzov ishte vendosur në jug të qytetit, për ta detyruar të merrte të njëjtën rrugë nga kish ardhur, ku tashmë gjithcka ishte shkatërrim dhe vdekje. Me kurajë, trupat italiane në dispozicion të Napoleonit canë bllokimin në Maloyaroslavets, por për të gjetur një tjetër, të pakalueshëm, pak më në jug.

Francezëve nuk u mbetej vec të ktheheshin në gjurmët e tyre: pas sulmit të kryer nga vera ruse, tashmë do të mendonte dimri, me temperatura deri minus 38 gradë, që të përfundonte veprën.

Kolona e fundit e të dëshpëruarve ku ishte katandisur tashmë Armata e Madhe numëronte vetëm 10 mijë vetë. Ata përshkuan Nemunasin në 11 dhjetor, bashkë me 25 mijë të tjerë që kishin shpëtuar me mjetet e tyre. Në Rusi, Napoleoni kish vënë bast gjithcka në një letër të vetme. Dhe kishte humbur. /History Today/

historia.al

Leave a Reply

Back to top button