Your Life

Ndihem vetëm, nuk kam miq

Për të bërë njohje të reja duhet të fillojmë nga vetja dhe mënyra se si e vendosim veten ndaj të tjerëve. Dhe pastaj ne mund të bëjmë për vete të tjerët me 7 lëvizje fituese

Unë jam 17 vjeç dhe ndihem e vetmuar. Në moshën time duhet të kesh shumë miq, të argëtohesh, të dalësh, të flasësh me orë të tëra… Por unë nuk kam njeri. Me shokët e shkollës nuk jam në gjendje të lidhem, thjesht i përshëndes ose shkëmbej disa fjalë për mësimet dhe shkollën, por për ta është sikur të mos ekzistoja. Nuk njoh njerëz të tjerë si unë me të cilët të kaloj kohë dhe përvojë, përveç disa kushërinjve që megjithatë nuk mund t’i konsideroj miq. Pas studimeve qëndroj në rrjete sociale ose shikoj seriale. Nuk kam as shoqe të ngushtë, askush nuk më kërkon për një dalje apo festë. Dhe ndoshta është më mirë kështu. – Martina

Mungesa e miqve, vetmia dhe besimi se nuk ka rrugëdalje nga kjo gjendje janë probleme jo të vogla, por pengesa të rëndësishme që mund të na dëmtojnë. Megjithatë, edhe kur duket e pamundur, ne mund ta trajtojmë këtë situatë dhe të përpiqemi ta kthejmë atë përmbys.

1) Ndryshoni këndvështrimin tuaj

Pse nuk kemi miq? Sigurisht jo sepse nuk jemi interesantë apo të pakëndshëm, as sepse nuk dimë të komunikojmë apo jemi aq “të neveritshëm” sa të bëjmë të ikin të gjithë të njohurit e mundshëm. Le ta kthejmë këndvështrimin: vetmia jonë varet kryesisht nga ne. Fatkeqësisht, ne jemi të parët që distancohemi nga të tjerët, bazuar në atë se si e konsiderojmë veten dhe sa i pakapërcyeshëm na duket gjesti i afrimit me ta.

2) Shikoni brenda vetes

Ndoshta nuk i japim vetes mundësinë për të “kontaktuar” tjetrin sepse ndihemi të papërshtatshëm, të paaftë për të krijuar një lidhje, shumë të turpshëm. Kemi frikë se mos na refuzojnë apo gjykojnë. Por të tjerët nuk e kalojnë ditën duke gjykuar gabimisht pamjen tonë, fjalët tona ose sjelljen tonë. Përkundrazi, ata mendojnë për veten e tyre dhe a e dini se çfarë?  Shumë kanë të njëjtat probleme si ne.

3) Kapërcimi i frikës

Në këngën e titulluar “Solo”, Ultimo këndon: “Të shikoj dhe jemi njësoj, edhe me buzëqeshje edhe fytyrëngrysur”. Kjo është vlera e madhe e miqësisë: të jesh në gjendje të ndash buzëqeshjet dhe mërzinë me të tjerët. Le të heqim frikën se mos “digjemi” nga kontakti me të tjerët, por le të shkojmë drejt tyre me vetëdijen se nëse krijojmë një marrëdhënie me të tjerët, e përmirësojmë edhe atë me veten.

4) Një buzëqeshje do t’i fitojë

Për një qasje pozitive ndaj të tjerëve, sekreti themelor është të buzëqeshni. Një buzëqeshje hap dyert, përgatit për dialog, ju vendos në humor të mirë. Dhe pastaj, edhe një fjali e thjeshtë, por që tregon interes për të tjerët, mjafton për të krijuar një lidhje: “Këto pantallona të lezetshme, ku i ke blerë?”, “Çfarë? Edhe ti? Mendoja se isha e vetmja!”, “Le të shkojmë për një çaj me limon?”, “A jetoni këtu?”, “Më jep një këshillë: a dukem më mirë me flokë të drejtë apo me onde?” “A ke edhe ti një qen? Ku e çon për shëtitje?”.  shtë më e lehtë nga sa mendojmë.

5) Më pëlqen ajo që thua

Një truk për të tërhequr vëmendjen e të tjerëve është të tregosh interes për historitë e tyre, opinionet e tyre, fjalët e tyre: të gjithëve u pëlqen të dëgjohen. Nëse mësojmë të dëgjojmë, do të dëgjohemi. Le të hapemi ndaj të tjerëve pa pritur t’i bëjmë ata menjëherë për vete, me jetën dhe personin tonë. Le të ulim pak volumin e egos sonë nëse duam të dëgjojmë tingujt e të tjerëve.

6) Mos përdorni “llastikun”

Shmangni “peshimin” e asaj që jepni dhe asaj që merrni: ndaj nëse miku nuk na kthen një mesazh apo një ftesë brenda një kohe të shkurtër, ndihemi të zhgënjyer dhe të pavlerësuar. Miqësia nuk është një “do ut des”, siç thoshin latinët, ose “Unë jap se ti më jep mua”. Është të japësh për kënaqësinë e të bërit, të hapesh me botën, të njohësh të tjerët. Shoqja mund të ketë qenë e zënë: nuk ka asgjë të papërshtatshme të kontaktosh së pari me të.

7) Formula e gjetësit të miqve

Pra, formula (jo shumë sekrete) për gjetjen e miqve është: (vullnet + tolerancë + mirëkuptim) x (dëgjim + buzëqeshje + thjeshtësi) = miqësi. Me pak fjalë, ne duhet t’u ofrojmë të tjerëve gjithçka që do të donim të kishim. Dhe me ligjin e reciprocitetit, ne do të gjejmë miqtë që kemi ëndërruar. / bota.al

Back to top button