Ekonomi

Ndjeheni të mbitaksuar? Romakët do të tatonin edhe urinën tuaj…

Qeveritë kanë gjetur gjithmonë mënyra kreative për të mbledhur para. Perandori romak Vespasiani tatonte tregtinë e urinës – e cila vlerësohej për shkak të përmbajtjes së amoniakut- në WC-të publike

Screen Shot 2016-05-18 at 09.27.09

Nga Brian HandWerk

“National Geographic”

Taksat mund të jenë po aq të sigurta sa edhe vdekja, por ata kanë ndryshuar shumë në rrjedhën e kohës. Gjatë shekujve, qeveritë kanë vendosur taksa mbi çdo gjë, nga qimet e fytyrës tek e drejta për të mbuluar fytyrën – dhe zyrtarët pranonin pagesa në birra, shtretër, dhe madje edhe fshesa. Më poshtë po paraqesim disa taksa historike, për të cilat jemi të kënaqur që nuk ekzistojnë më:

Taksa e tualetit në Romë

Romakët e lashtë e vlerësonin urinën për përmbajtjen e amoniakut. Ata e cilësonin atë si armikun e natyrshëm të papastërtitë dhe yndyrnave, tejet të vlefshme për pastrimin e rrobave dhe madje edhe zbardhjen e dhëmbëve. Dhe si të gjitha produktet e vlefshme, edhe mbi të ka pasur një skemë taksash. Perandori Vespasian (69-79 Pas Krishtit), grumbulloi jo pak të ardhura duke tatuar tregtinë e urinës që mblidhej në WC-të publike.

Por edhe disa romakët të pasur e konsideronin këtë taksë të urryer. “Kur djali i Vespasianit, Titus, e fajësoi të atin për vendosjen e kësaj takse, ai i afroi te hunda një grusht monedhash, dhe e pyeti nëse ato mbanin erë. I biri nuk foli:”E megjithatë”- tha perandori “këto para vijnë nga urina”- shkruante Suetoni në librin e tij “Jeta e Çezarëve” rreth vitit 120 Pas Krishtit.

Kur evropianët paguanin taksë  mbi mjekrën e tyre

Disa herë përgjatë gjithë historisë evropiane, sundimtarët kanë kërkuar pagimin e një tarife të caktuar për mustaqet dhe mjekrat e nënshtetasve të tyre. Mbreti i Anglisë, Henri VIII, vendosi një taksë mbi qimet e fytyrës në vitin 1535. Tarifa rritej në mënyrë relative në raport me pozitën sociale të personit që mbante mjekër. Vetë mbreti që mbante mjekër, qe natyrisht i përjashtuar nga kjo taksë.

Ndërkaq edhe reformatori rus, Pjetri i Madh, aplikoi një taksë mbi mjekrën në vitin1698. Pjetri me prirje evropiane, e cilësonte mjekrën e kudondodhur ruse një simbol të karakterit dembel dhe prapambetjes së vendit të tij. Prandaj ai që kishte mjekër, duhet të paguante një tarifë të konsiderueshme dhe të pajisej me një rrip të veçantë për të provuar se e kishin blerë të drejtën e mbajtjes së mjekrës.

Taksa e rëndë osmane e “gjakut”

Sundimtarët osmanë, detyruan banorët jomyslimanë të zonave të pushtuara të paguanin taksa mbi gjënë e tyre më të shtrenjtë e të dashur- fëmijët e tyre. Kjo ishte i njohur si “taksa e gjakut” në mesin e familjeve të tmerruara. Nga fillimi shekullit XV deri në fund të shekullit XVII , zyrtarët rrëmbenin periodikisht grupe djemsh të rinj të krishterë nga familjet që jetonin nën sundimin osman, duke i konvertuar ata në fenë islame, dhe i lënë nën kujdesin e sulltanit.

Djemtë kryenin një stërvitje ushtarake 5-8 vjeçare, ndërsa punonin për shtetin në fabrika, ferma, anije, dhe vendet kur kryheshin ndërtime. “Sigurisht ata ishin ndërkaq edhe baza e ushtrisë (elitë) së jeniçerëve”- shpjegon Gulaj Jıllmaz, historian në Universitetin e Akdenizit në Turqi. “Dhe elita administrative burokratike e perandorisë, përbëhej kryesisht nga ata djem që ishin të trajnuar dhe kursyer për arsimin special në pallate për t’u bërë administratorë”. Të paktën këta të fundit përftonin një lloj përjashtimi nga taksat për shkak të shërbimit të tyre. “Ata që përzgjedheshin si ushtarë, s’ duhet të paguanin çizjen ose taksën për kokën që paguhej nga të gjithë burrat e krishterë të aftë për punë”- shton Jillmaz.

Pagesa e taksave në natyrë

Taksat kanë ekzistuar prej një kohe aq gjatë, sa që ato madje datojnë edhe para krijimit të monedhës metalike. Në Mesopotaminë e lashtë, kjo çoi në disa mënyra tepër të çuditshme për të paguar detyrimet. Për shembull, tatimi për të varrosur një person qe “7 fuçi birre, 420 bukë, dy shinikë elb, një mantel leshi, një dhi, dhe një krevat, me sa duket për kufomën”- sipas historianes së Universitetit Shtetëror të Oklahomës në SHBA, Tonia Sharlak.

Tatimet aplikoheshin pothuajse për çdo gjë, dhe mund të paguheshin thuajse me çdo gjë.

“Reth viteve 2.000-1.800 P.E.S ka një dëshmi për një djalosh i cili pagoi taksat me 18.880 fshesa dhe 6 trungje”-shton Sharlak. “Kjo duhej se qe një lloj marrëveshje, ku ofrohen mallrat e nevojshme për qeverinë”. Kontabiliteti kreativ i pagesave në natyrë, ndihmonte edhe në mashtrimin e tragrambledhësit. “Në një rast tjetër, një njeri pohon se nuk kishte asnjë pasuri tjetër përveç mokrave jashtëzakonisht të rënda të mullirit të tij. Kështu që ai e detyroi tagrambledhësin t’i bartte vetë këto të fundit, dhe i llogaritur si pagesë taksash”.

Taksa e gjirit në Indi

Në mesin e taksave më të çuditshme nga të gjitha, ishte ajo mbi gjirin ose mulakkaram, e vendosur dikur nga sundimtarët në shtetin Kerala të Indisë. Gratë duhej ta paguanin atë taksë nëse donin të mbulonin veten e tyre në publik, dhe tatimi poshtërues qe një barrë financiare për gratë e klasës më të ulët, të cilat shënjeshtronte kryesisht ligji.

Taksa e gjirit shkaktoi një akt legjendar proteste. Edhe pse faktet e verifikueshme janë të pakta, historia pretendohet se ka ndodhur në qytetin e Kertalas, ku banonte një grua me emrin Nangeli, rreth dy shekuj më parë. Në pamundësi për të paguar dhe e zemëruar me këtë taksë, Nangeli thuhet se e e preu gjoksin e saj dhe ia paraqiti tagrambledhësit të habitur. Ky gjest i kushtoi gruas jetën, por pretendohet se çoi përfundimisht në shfuqizimin e kësaj takse.

Një ide e shkëlqyer – aministi fiskale e përjetshme

Në Perandorinë Maurjane në Indi (rreth viteve 321-185 P.E.S) mbahej çdo vit një konkurs vjetor mbi idetë, ku fituesit përfitonin amnisti tatimore. “Qeveria kërkonte ide nga qytetarët, si të zgjidhte problemet e saj”-shpjegon Sharlach. “Në qoftë se zgjidhja që banorët jepnin preferohej dhe zbatohej, fituesit do të përjashtoheshin nga taksat për pjesën tjetër të jetës”.

Udhëtari dhe shkrimtari grek Megasteni (350-290 P.E.S), ka shkruar një histori mbrësëlënëse mbi këtë praktikë. Pjesa dërrmuese e përpjekjeve për reformimin e sistemit të taksave ishte larg nga qënit e përsosur, vëren Sharlach. “Problemi është se askush nuk do të kishte asnjë nxitje për të zgjidhur më shumë se sa një problem”. /Në shqip nga www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button