Analiza

Në Amerikën e Obamës, Ligji është “i bardhë”

Nga Markus Feldenkirchen
Holger Stark

Problemet kanë shpesh dritëhijet e tyre, por është e saktë të thuhet se në shumë raste janë policë të bardhë ata që qëllojnë për vdekje të rinj me ngjyrë. Aktori Morgan Freeman së fundmi ka rrëfyer në një interivistë për revistën gjermane “Stern” se ngjyra e ligjit është e bardhë. Thuajse gjysma e viktimave dhe gati 40 përqind e të burgosurve në burgjet e SHBA janë zezakë, ndonëse këta të fundit përbëjnë vetëm 12.6 përqind të popullsisë

PROTESTAT NE SHBA 1

PJESA E DYTE

Në fillim të qeverisjes së tij Barack Obama nuk mund të imagjinonte se një valë e re dhune mund të ndodhte përgjatë presidencës së tij. Por ky nuk është një aksident. Tek e fundit ai vetë ndërtoi shpresa se progres do të kishte. Pas më shumë se 6 vjetesh në Shtëpinë e Bardhë, shumë pak gjëra kanë ndryshuar për njerëzit me ngjyrë në SHBA. Obama mbajti një fjalim që zgjoi shpresat e amerikanëve me ngjyrë në 18 mars 2008 si një kandidat presidencial në Philadelphia. Ishte një reagim ndaj komenteve të bëra nga pastori dhe miku i tij në Chicago Jeremiah Wright që auzoi qeverinë amerikane për krime kundër zezakëve. “Zoti mallkoftë Amerikën… për vrasjen e njerëzve të pafajshëm”- theksoi Wright nga foltorja e kishës së tij, një deklaratë kjo që vuri në rrezik kandidimin e Obamës. “Gabimi i madh i pastor Wright-it, nuk është se ai foli për racizmin në shoqërinë tonë – tha Obama në fjalimin e tij. “Gabimi i tij, qëndron se foli sikur shoqëria jonë të ishte e palëvizshme, sikur asnjë përparim nuk është shënuar dhe se sikur vendi mbahet peng nga plagët e së shkuarës”.

Obama i referohej një periudhe, kur zezakët ishin të detyruar që të shërbenin si skllevër ndaj të bardhëve, kohë në të cilën ata nuk ishin as qytetarë të dorës së dytë, teksa trajtoheshin thjesht si një mall që shitet në treg. Por ai gjithashtu i referohej dekadave që pasuan zhvillimet e viteve ’60, kur zezakët nuk lejoheshin të përdornin të njëjtat parqe sikurse të bardhët dhe kur ishin të detyruar që të uleshin në fund të autobuzit, pasi në fillim ishin vendet e rezervuara për të bardhët. Në atë fjalim Obama premtoi të krijojë “më shumë se një bashkim perfekt” duke iu referuar preambulës së Kushtetutës Amerikane. Ai e pa që të përmbushej premtimi i bërë 50 vite më parë nga ndjekësit e demokratit Johnson. Pas nënshkrimit të Kartës së të Drejtave Civile në 2 Korrik 1964, Johnson tha se shpresonte që të eleminonte edhe “gjurmët e fundit të padrejtësisë në vendin tonë të dashur” dhe të “mbyllim rubinetin helmit racor.” Shumë vëzhgues besojnë se fjalimi i Obamës ishte një faktor vendimtar në zgjedhjen e tij pak muaj më vonë si presidenti i parë më ngjyrë në SHBA. Edhe sot cilësohet si një ndër fjalimet e tij më të mirë. E megjithatë, një përpjekje përfundimtare për të realizuar ëndrrën e Johnson-it ende nuk është ndërmarrë”. Gjendja aktuale të krijon përshypjen se afro-amerikanët janë përfaqësuar në mënyrë të përshtatshme ‘pa u dhënë atyre mundësinë për të përfituar me tepër sesa duhet’ nga ky përfaqësim”, thotë Kareem Crayton, një profesor i jurisprudecnës në universitetin e Karolinës së Veriut. Eduardo Bonilla-Silva, profesori i sociologjisë në universitetin Duke bie dakord me këtë konstatim. “Të kesh një president me ngjyrë, nuk do të thotë shumë përsa i përket jetesës tonë të përditshme”. Gjashtë vjet pas fjalimit të Obamës, më shumë se çereku i amerikanëve me ngjyrë jetojnë ende poshtë nivelit zyrtar të varfërisë. Mes të bardhëve janë vetëm 12.8 përqind. Sipas qendrës kërkimore PEW, në vitin 2011 të ardhurat mesatare vjetore për një kryefamiljar të bardhë ishin 27 mijë dollarë më të larta sesa të një kryefamiljari me ngjyrë, me një diference që është rritur ndjeshëm me kalimin e dekadave. “Ishulli i zi i varfërisë në mes të një oqeani të gjerë të mirëqënies materiale”, për të cilin Martin Luther Kingu ankohej 50 vjet më parë, ekziston ende në vitin 2014. Një në çdo 3 fëmijë afro-amerikanë lindur mes viteve 1985-2000 është rritur në një lagje me varfëri ekstreme. “Sot diskriminimi racor mund të shihet edhe në lëvizshmërinë sociale”- deklaron Richard Reeves nga “Brookings Institution”, një think-tank me qendër në Washington. Vitin e shkuar Departamenti Amerikan i Edukimit publikoi një studim që analizonte të dhëna nga 97 mijë shkolla anembanë vendit. Nga raporti rezultonte që studentët me ngjyrë ishin pezulluar ao përjashtuar nga shkolla 3 herë më tepër sesa bashkëmoshatarët e tyre të bardhë. Një në çdo 4 shkolla me një përqindje të lartë zezakësh apo hispanikë nuk ofronte kurse të avancuara në matematikë. “Është epoka e Obamës dhe ende të drejtat civile nuk janë përmirësuar.

Po çfarë shkoi keq?- pyet “New Republic” në kryeartikullin e saj në muajin gusht. Artikulli që u shkrua pas vdekjes së Michael Brownit në Ferguson, fliste për një “racizëm të ri. “Në të vërtetë ngjarjet tragjike të Fergusonit dhe Cleveland-it tashmë kanë bindur shumë zezakë se nuk ishte Obama që kishte folur për ta në pranverën e vitit 2008. Përkundrazi ishte pastori i tij i zemëruar Jeremiah Wright. Të shtunën e kaluar, 12-vjeçari Tamir Rice gjeti vdekjen ne Cudell Park rreth orës 3:32 të pasdites. Parku ndodhet në një zonë të varfër në perëndim të Cleveland që banohet nga një shumicë njerëzish me ngjyrë. Masa të rrepta sigurie ka nëpër banesa, oborre apo dyqane. Tamiri ishte zezak dhe kishte me vehte një pistoletë lodër. Një kombinim fatal ky që e çoi drejt dënimit më vdekje. Tamiri jetonte në anë të rrugës në një godinë të vjetër, nëna e tij, prindi i vetëm i fëmijëve, ishte e paaftë të përballonte një apartament më të mirë. Në park, Tamiri i mërzitur po luante me topa bore. Ai mbante një pistoletë plastike në dorën e tij të djathtë kur një kalimtar e pa duke lajmëruar policinë. “Është i zi apo i bardhë?- ishte pyetja nga salla operative. “Eshtë një djalë me një pistoletë … që po ia drejton gjithkujt”- u përgjigj telefonuesi.

Ai ndoshta është një i mitur – vijoi telefonuesi, duke shtuar se dyshonte se pistoleta mund të ishte edhe lodër, një hamendje që denoncuuesi e përsëriti edhe më vonë. Oficerja e policisë që matanë receptorit po dëgjonte denoncimin, deshi të dinte si ishte personi me pistoletë duke pyetur: “Është i bardhë apo i zi”. Ajo e përsëriti pyetjen 3 herë. Salla operative kontaktoi agjentët e policisë Timothy Loehmann 26 vjeç and Frank Garmback 46 vjeç që ndodheshin për patrullim në atë zonë, duke i raportuar për një të ri më ngjyrë me një armë zjarri. Oficerëve nuk iu tregua për dyshimet se arma e pretenduar mund të ishte lodër.

Në orën 3:30 të pasdites, makina e policisë po shkonte me shpejtësi drejt vendit ku djali po luante. Tamiri i doli përpara makinës duke iu drejtuar pistoletën lodër dhe u thënë policëve të ndalnin dhe të ngrinin duart lart. Video e instaluar në makinën e policisë tregon se Tamiri e nxorri pistoletën nga poshtë xhupit që mbante veshur. Loehmann doli me shpejtesi jashtë nga dera e pasagjerit dhe sipas dy oficerëve bërtiti “Duart Lart!” 3 herë. Nga videoregjistrimi i makinës së policisë nuk është e qartë sesi u përgjigj Tamiri. Policia tha se ai nuk ngriti duart lart, duke i mbajtur ato rreth belit. Një goditje e vetme e mori Tamirin në gjoks dhe ai u shemb përtokë. Mes mbërritjes së makinës së patrullës dhe të shtënës vdekjeprurëse rodhën vetëm pak sekonda. Oficerët e policisë mundet fare mirë që të negocionin me djaloshin, apo të kërkonin ndihmën e punonjëses sociale që e njihte Tamirin për të folur me të. Ata thjesht hapën zjarr.

Tamir Rice, që ëndërronte që një ditë të bëhej një basketbollist profesionist vdiq në spital. Problemet kanë shpesh dritëhijet e tyre, por është e saktë të thuhet se në shumë raste janë policë të bardhë ata që qëllojnë për vdekje të rinj me ngjyrë. Aktori Morgan Freeman së fundmi ka rrëfyer në një interivistë për revistën gjermane “Stern” se ngjyra e ligjit është e bardhë. Thuajse gjysma e viktimave dhe gati 40 përqind e të burgosurve në burgjet e SHBA janë zezakë, ndonëse këta të fundit përbëjnë vetëm 12.6 përqind të popullsisë. Dhe në shumë shtete, personat me të kaluar kriminale privohen nga shumë të drejta, sikurse është edhe ajo e sigurimit shëndetësor. Në 10 shtete, ata që janë dënuar për sulme të dhunshme humbin përjetë të drejtën për të votuar.

Ju vratë fëmijën tonë!

Që prej së shtunës tragjike në Cudell Park, shefi i policisë së Cleveland-it, Calvin Williams, është përpjekur disa herë të shpjegojë se përse punonjësit e tij hapën zjarr ndaj Tamir Rice. Williams, vetë një person me ngjyrë, ndërsa jep përgjigje në një mbledhje publike në një nga sallat e një gjimnazi, përpiqet që të qetësojë njerëzit e acaruar. Treqind persona ishin mbledhur për ta dëgjuar. “Oficerët tanë janë trajnuar që të neutralizojnë një person të armatosur”- thotë Williams. “Të qëllosh dikë në krahë apo këmbë mund të ndodhë në filma, por kjo nuk ndodh në jetën reale”.

Në një shoqëri që zotëron më shumë armë sesa është numri i përgjithshëm i popullsisë, duket se policia ndihet në një gjendje lufte të vazhdueshme. Policët përballen çdo ditë me njerëz që potencialisht zotërojnë armë dhe kjo është arsyeja që ata e marrin seriozisht çdo telefonatë apo denoncim. Calista Cottingham, 37 vjeç e pranishme në këtë takim ndau me të pranishmit historinë e saj. Ajo kishte 6 fëmijë, prej tyre 4 djem. Një ditë – tregon ajo – dërgova njërin prej djemve në kursin e futbollit. Cottingham tha se ajo e çoi të birin në fushën e blertë dhe i la fëmijët e tjerë në makinë e parkuar, një akt ky i paligjshëm në disa shtete amerikane. Për këtë arsye ajo u përball me 2 policë, të cilët e urdhëruan që të vendoste duart mbi timon dhe të mos lëvizte. Kur Cottingham u tha policëve se nuk kishte bërë asgjë të gabuar, duke patur parasysh se djali i saj më i madh gjendej në makinë, ajo pretendon se policia e kërcënoi atë me pistoletë. Kur zbriti nga makina, njëri prej policëve e goditi aq fort sa u detyrua që të shkonte në spital për t’u mjekuar. Robin Andrews, tezja e Tamirit mori fjalën në këtë takim. “Ju djema jeni trajnuar që të mos keni besim tek ne” – tha ajo duke u drejtuar shefit të policisë. “Ju vrisni fëmijët tanë dhe sjellja juaj po na çmend”. Andrews më vonë sqaroi se djali i saj dëshiron të studiojë mjekësi, por çdo ditë ka frikë për jetën e tij. “Njeriu që vrau nipin tim meriton të shkojë në burg. Pa drejtësi nuk ka paqe”- theksoi Andrews. Ndëshkimi ka qenë slogani i protestave në Cleveland, Ferguson, rrugët e Washingtonit dhe New York-ut. Barack Obama ka dëgjuar ngashërimet e turmave, ndërsa protestuesit mbërritën deri tek Shtëpia e Bardhë pak ditë më parë. Por presidenti ndodhet në një dilemë. Në njërën anë ai e di se afro-amerikanë kanë pritshmëri të mëdha prej tij. Nga ana tjetër, ai rrezikon që të krryqëzohet sërish nëse komenton konfliket me prapavija racore.

Konservatorët e bardhë e shohin Obamën si kërcënim

Që kur Obama u zgjodh president, opinion publik është thellësisht i ndarë kur është fjala për çështje të tilla. Më shumë se dy të tretat e demokratëve nuk e aprovojnë aktin e George Zimmermanit, që qëlloi për vdekjen fqinjin e tij Trayvon Martin, një adoleshent i paarmatosur në Florida në shkurt 2012. Por vetëm 20 përqind e njerëzve që e identifikojnë vehten si republikanë thonë se nuk e përkrahin vendimin e gjykatës. Ndërsa më shumë se gjysma e demokratëve të anketuar mendojnë se filmi kundër skllavërisë “12 vjet si skllav” ia vlente që të fitonte çmimin Oskar, vetëm 15 përqind e republikanëve mendojnë kështu. Gjatës presidencës së Obamës, republikanët janë shndërruar në një parti të elitës së bardhë dhe zonave rurale.

Mbështetësit më radikalë të kësaj partie i shohin fjalimet e Obamës dhe ligjet e miratuara si asgjë më tepër sesa përpjekjet e një zezaku për t’u hakmarrë ndaj shumicës së njerëzve të bardhë. Edhe nëse nuk e thonë përherë këtë, kundërshtarët e Obamës gjithnjë kanë ndjesinë se aksionet e tij paraqesin një kërcënim për njerëzit e bardhë, madje edhe kur ai lancoi një program federal investimesh që synonte të bënte më të ndershëm sistemin e kujdesit shëndetësor. Disa konservatorë të bardhë besojnë ende sot se janë të diskrimunuar në raport me ngjyrën e lëkurës së tyre, për shkak se afro-amerikanët përfitojnë mesatarisht më shumë nga reforma e Obamës në shëndetësi. Kundërshtimet më ekstreme ndaj “Obamacare” nuk u motivuan vetëm nga konsiderata të natyrës ekonomike. Disa prej oponentëve të tij më të zjarrtë besojnë se Obama jo vetëm po kërkon që të rishpërndajë përkujdesjen shëndetësore nga të pasurit tek të varfërit, po gjithashtu nga të bardhët drejt njerëzve me ngjyrë. Aktualisht reforma “Obama” në shëndetësi besohet se po ndihmon një të tretën e amerikanëve që ndodhet në skajet e shoqërisë. “Fakti është se ka disa amerikanë që në tërësi po i bëjnë vazhdimisht keq shoqërisë sonë” – tha Obama në shkurt, kur ai njoftoi fillimin e zbatimit të projektit prej 200 milionë dollarësh për të nxitur arsimin e të rinjve afro-amerikanë dhe hispanikë. “Dhe thuajse në çdo masë që ndërmarrim, grupi që përballet me sfidat më të rënda të shekullit të XXI-të në këtë vend janë djemtë dhe vajzat me ngjyrë”- nënvizoi Obama.

Revolta kundër Obamës

Beteja e tij për të rritur pagën minimale, është një ndër projektet që republikanët e luftuan me të njëjtën vendosmëri që kundërshtuan edhe reformën e sistemit shëndetësor. Obama firmosi një akt normativ për të rritur pagën minimale nga 7.25 në 10.10 dollarë në orë për njerëzit që punojnë në shërbimet e reja federale, por ai dështoi në rritjen e pagës minimale në rang kombëtar, për shkak të republikanëve në Kongres që e përcaktojnë veten e tyre si mbrojtës të shtresës së mesme dhe të lartë të amerikanëve të bardhë. Në të njëjtën kohë është gjithashtu e vërtetë që Obama nuk e ka prezantuar kurrë vehten si një avokat i afro-amerikanëve gjatë presidencës së tij. Përkundrazi që në fillim ai mësoi se çfarë lloj stuhie mund të ngrihej kundër tij, nëse ai komentonte përplasjet me prapavija racore. Kur presidenti tha se policia “veproi në mënyrë idiote” kur arrestoi profesorin me ngjyrë të Universitetit të Harvard-it Henry Louis Gates në vitin 2009, ai u përball me kritika të ashpra nga kundërshtarët e tij. Policia akuzonte profesorin se po përpiqej që të hynte me dhunë në shtëpinë e tij, për shkak se kishte harruar çelësin brenda. Obama u detyrua të organizonte një “samit birre” në Shtëpinë e Bardhë, ku ftoi si Gatesin, ashtu edhe oficerët e policisë që e arrestuan atë. Mundësi të barabarta ishte deviza e fjalimit inaugurues si president në janar dhe ai citoi dy shembuj. E para ishte Misty DeMars, një grua e bardhë nga rrethinat Chicago-s që renditej mes të papunave afatgjatë. E dyta ishte Estiven Rodriguez, një gjimnaste 17-vjeçare nga New York që kishte emigruar në SHBA që në moshën 9-vjecare nga Republika Domenikane, pa ditur asnjë fjalë anglisht. DeMars u përmend si shëmbëlltyrë e vështirësive që gratë hasin gjatë ecurisë së karrierës së tyre. Ndërsa Rodriguez shërbeu si një shembull sesi emigrantët mund t’ia dalin, kur atyre iu jepet një shans. Ai nuk përmendi asnjë person me ngjyrë në fjalimin e tij. (Fundi i pjeses se dyte). Kliko ketu per pjesen e pare. /Der Spiegel/

PERGATITI: A.GOCE/www.bota.al

 

Leave a Reply

Back to top button