Analiza

Në brendësi të planit të ISIS për ta goditur mu në zemër Europën

Një celulë terroriste në të njëjtin qytet ku ndodhen zyrat e BE dhe NATO-s. Një operacion i komandove, që një shkëmbim të tillë zjarri nuk kishin provuar që nga Lufta e Dytë. Dhe një plan që tregon strategjinë e re të Shtetit Islamik për ta goditur mu në zemër Europën

Paul Cruickshank

Screen Shot 2015-02-13 at 20.50.58Nata sapo kish nisur të binte, kur komandot belge të armatosura rëndë iu qasën rezidencës në Rue des Collines në Verviers, një qytet i fjetur në lindje të Belgjikës. Ata e dinin që tre burrat që ndodheshin brenda – të gjithë të dyshuar se ishin veteranë të ISIS që ishin rikthyer nga luftimet në Siri – me shumë gjasa do të ishin të armatosur dhe të rrezikshëm, sepse kishte disa javë që i survejonin 24 orë në ditë, sipas një zyrtari të lartë të antiterrorizmit belg.
Rregjistrimet e telefonatave dhe pajisjeve përgjuese tregonin se anëtarët e celulës – të cilët kishin dicka më pak se dy muaj që mbikëqyreshin dhe ishin të gjithë nga lagja Molenbeek e Brukselit – ishin në fazën e fundit të përgatitjes së një sulmi të madh terrorist në Belgjikë, tha zyrtari ëpr CNN.
Shërbimet belge të sigurisë kishin mësuar se ata po e përdornin ndërtesën si një vend të sigurtë për të depozituar armët automatike dhe kimike, për të prodhuar eksplozivë.
Nxitësi kryesor për ekzekutimin e arrestimeve ishte mbërritja në këtë strehë e një veterani të tretë të ISIS, që mendohej se ishte truri i komplotit, me detyrën për t’i ofruar celulës mbështetje logjistike si dhe pajisje dhe furnizime. Shërbimet belge të sigurisë donin t’i arrestonin të tre së bashku, sipas zyrtarit, dhe në të njëjtën kohë të kryenin arestime të të dyshuarve të tjerë nëpër Belgjikë.
Ata besonin se celula kishte deri dhjetë anëtarë.
Ajo që ndodhi më pas, rreth orës 5.45 të pasdites, ishte beteja më e madhe që komandot belgë kishin marrë pjesë qysh prej Luftës së Dytë Botërore, e rregjistruar në mënyrë amatore nga një prej banorëve të qytetit, dhe e parë më pas nga e gjithë bota.
Screen Shot 2015-02-13 at 20.50.40Pasi komandot hynë në strehën e terroristëve, du luftëtarët e ISIS që kishin marrë me qera apartamentin rrëmbyen kallashnikovët, ua kthyen me zjarr komandove dhe u hodhën granata, duke përdorur aftësi të luftimeve urbane që i kishin mësuar në Siri, sipas zyrtarit. Por komandot belgë i vranë shumë shpejt dhe ndaluan atë që mendohej se ishte truri i komplotit, pasi ky u hodh nga një prej dritareve.
Në brendësi të ndërtesës, policia belge zbuloi armë automatike dhe kimike, të nevojshme për të realizuar eksplozivin e fortë TATP, një që është shumë më i fuqishëm se sa ai që u përdor nga atentatorët në maratonën e Bostonit. Ata zbuluan gjithashtu uniforma policie, që tregonin se komplotuesit kishin shpresuar të kishin qasje në vende me ndjeshmëri të lartë në Belgjikë, bën të ditur zyrtari i lartë belg i sigurisë. U zbulua edhe një kamera tip GoPro, që tregon se terroristët ndoshta kishin patur në plan që edhe t’i filmonin sulmet që do të kryenin, për qëllime propagande. Atë natë, policia belge bëri 13 arrestime.
Po cfarë kishte në shënjestër celula?
Brenda pak orësh, policia belge shpalli se kishte parandaluar një sulm të madh terrorist që pritej të ndodhte së afërmi, nga luftëtarë që ishin kthyer nga Siria. Autoritetet belge deklaruan publikisht se shënjestra e celulës besohej të ishin oficerë policie dhe rajone policie.
Shërbimet belge të sigurisë kishin rregjistruar biseda në të cilat pjesëtarët e celulës diskutonin për vrasje të policëve, sipas zyrtarit të lartë belg të antiterrorizmit. Por ai i tha CNN se hetuesit besojnë që grupi kishte planifikuar një sulm shumë më ambicioz dhe spektakolar dhe se policët do të ishin vetëm një “shënjestër bonus”. Zyrtari tha se hetuesit ende nuk e njohin objektivin kryesor të celulës, por shpresojnë ta gjejnë. Në Bruksel ndodhen zyrat qendrore të BE dhe NATO-s.
Më vonë, autoritetet belgë identifikuan dy personat e armatosur si Sofiane Amghar dhe Khalid Ben Larbi, ndërkohë që truri i komplotit ishte Marouane El Bali.
El Bali u akuzua për “pjesëmarrje në organizatë terroriste, zotërim eksplozivësh me qëllim kryerjen e sulmeve kriminalë dhe zotërim të ndaluar të armëve të zjarrit”. Zyrtari i lartë belg i antiterrorizmit tha se El Bali ishte “si një makinë” që furnizonte celulën me furnizimet që u nevojiteshin për të kryer sulmin. Kur komandot belge hynë brenda, ai ishte ende në kërkim të një makine ftohëse, me qëllim që TATP që grupi do të prodhonte të mund të ftohej dhe transportohej, sipas zyrtarit. “Përndryshe, duke qenë shumë i paqëndrueshëm, TATP do të shpërthente”, shton ai.
Avokati i El Balit, Didier De Quevy, tha për CNN se klienti i tij mohonte që të kish patur të bënte me terrorizmin dhe se El Bali ndodhej në apartamentin në Verviers për t’i sjellë një palë këpucë shokut të tij. Ai tha se El Bali ishte hedhur nga dritarja për arsye se apartamenti ishte në flakë. Zyrtari belg i tha CNN se El Bali kish refuzuar të fliste me hetusit.
El Bali dhe dy të tjerë të akuzuar për terrorizëm vazhdojnë të qëndrojnë në burg.
Një algjerian 33-vjecar që u ekstradua në Belgjikë pasi u arrestua në Greqi u akuzua gjithashtu për terrorizëm, në lidhje me këtë plan. Zyrtari i lartë i antiterrorizmit i tha CNN se algjeriani kishte lidhje me celulën në Belgjikë.
Një celular në Greqi
Dy terroristët e vdekur dhe El Bali komunikonin përmes telefonit me një operativ të dyshuar belg të ISIS me emrin Abelhamid Abaaoud, një belgo-maroken 27-vjecar nga Molenbeek. Hetuesit belgë besonin se ai ishte kreu i celulës dhe personi ndërlidhës me liderët e ISIS në Siri, sipas zyrtarit belg të antiterrorizmit. Për arsye sigurie, anëtarët e celulës kishin një sistem të mirëmenduar për kryerjen e telefonatave dhe përdornin gjuhë të koduar. Algjeriani i ekstraduar në Belgjikë kishte gjithashtu lidhje me Abaaoudin, sipas zyrtarit.
Në javët para se të ndodhte shkëmbimi i zjarrit, agjencitë belge të antiterrorizmit gjurmuan telefonatat tek një celular në Greqi, që ata besonin se po përdorej nga Abaaoud. Informacione të tjerë tregonin se Abaaoudi ishte i lidhur me disa operativë të lartë të ISIS në Siri. Hetuesit belgë besojnë se udhëheqja e lartë e ISIS drejtonte celulën për të kryer sulmin në Belgjikë, sipas zyrtarit.
Belgët i kërkuan ndihmë agjencive amerikane të zbulimit, përfshirë CIA-n, në përpjekje për të gjetur vendndodhjen e celularit në Greqi, por as amerikanët e as policia greke nuk ishin në gjendje të gjenin Abaaoudin. Të enjten, në revistën e vet në gjuhën angleze Dabiq, ISIS bënte të ditur se Abaaoudi ishte kthyer shëndoshë e mirë në Siri dhe postoi disa fotografi të tij. Në një prej fotografive shfaqej Abaaoudi si dhe dy terroristët e vrarë.
Në një intervistë për revistën Dabiq, Abaaoudi pretendonte se kishte udhëtuar në Belgjikë me dy personat e armatosur. Autoritetet belge janë skeptikë për këtë deklaratë dhe nuk kanë prova që tregojnë se ai ka qenë në gjendje të futej në Belgjikë. Por zyrtari i lartë belg i kundërterrorizmit tha se gjurmët e Abaaoudit kishin humbur dhe ai kishte qenë në gjendje të kthehej në Siri nga Greqia. “Unë munda të largohem dhe të kthehem në Sham, pavarësisht se ndiqesha nga kaq shumë agjenci zbulimi. Emri dhe fotografia ime ishin kudo në lajme, e megjithatë unë arrita të qëndroj në shtëpinë e tyre, të planifikoja operacione kundër tyre, dhe të largohesha kur kjo ishte e nevojshme”, tha Abaaoudi në revistën e ISIS.

Agjencitë perëndimore të zbulimit mendojnë se plani i Belgjikës tregon se ISIS po ndërton një strategji për të sulmuar Perëndimin, sipas një zyrtari të lartë europian të antiterrorizmit. Informacionet e zbulimit tregojnë se grupi po përpiqet që të dërgojë rekrutë europianë mbrapsht në vendet e tyre për të vënë në shënjestër vendet europianë që marrin pjesë në koalicionin anti ISIS. Mbretëria e Bashkuar, Franca, Hollanda, Danimarka dhe Belgjika po kryejnë sulme kundër ISIS në pozicionet e tij në Irak. Më shumë se 750 ekstremistë europianë janë rikthyer në vendet e tyre pasi kanë luftuar në Siri./CNN/
e.gj./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button