Magazine

“Ne dhe ata!” A flasim dot për raca njerëzore?

Raca ekziston vetëm në kokën tonë për të dalluar dhe ndarë, është një zakon njerëzor që vjen nga shekulli i V, që e klasifikonte botën në grekë dhe në barbarë. Vizioni bipolar i “ne dhe ata” është i ngjashëm në shumë kultura dhe është një realitet pikologjik, që për disa ka rrënjë në historinë tonë evolutive. Sipas këtij vizioni, ideja e racës e ka embrionin në gjahtarë dhe mbledhës. Në një shoqëri në të cilën është thelbësore klasifikimi i menjëhershëm për atë që nuk njihet si aleat ose kundërshtar, ai që është racist e bën nga frika

Jo, termi racë nuk është shkencor. Njerëzit nuk kanë qenë të izoluar gjeografikisht mjaftueshëm sa për të krijuar varietete gjenetike të ndryshme. Njeriu është vazhdimisht në lëvizje dhe varietetet vazhdojnë të shkrihen njëra tek tjetra. Sipas gjenetistit Luca Cavalli-Sforza, qytetërimet nuk janë struktura të mbyllura dhe të izoluara.

Gjene të zakonshme

Ngjashmëria gjenetike e njeriut është fryt i ngjashmërisë së të parëve dhe migrimeve që kanë përcaktuar bashkime dhe shkëmbime genesh, mes individëve nga zona gjeografike të ndryshme. Karakteristikat fizike dominuese të disa popullatave varen nga një numër i zvogëluar gjenesh dhe janë seleksionuar nga kushtet mjedisore.

Racizëm kundrejt shkencës

Richard Lewontin ishte gjenetisti i parë që hodhi poshtë mitin e ekzistencës së racave të ndryshme. Kur e pyetën nëse besonte në racë, ai u përgjigj: “Sigurisht racat ekzistojnë, janë të gjitha këtu”,- duke treguar me gisht kokën. I referohej sigurisht imagjinatës sonë, i vetmi vend ku ndryshimet sipërfaqësore mes popullatave merren ende seriozisht. Atëherë, përballë këtyre të dhënave, a e kemi ende të vështirë për të braktisur këtë paragjykim?

Arsye historike

Ideja e ndarjes në raca të njerëzimit ka lindur në botën post koloniale dhe për arsye politike. Janë nënkuptuar si grupe në brendësi të species sonë, secili me karakteristika fizike dhe sjellje të përcaktuara, por që nuk është provuar me instrumente shkencore. E megjithatë është e pamundur çrrënjosja nga mendjet tona, edhe sot që një shumicë në brendësi të komunitetit shkencor, dhe jo vetëm, bie dakord me faktin se është një gënjeshtër. Faji mund të jetë i historisë sonë kulturore, mesa duket një trashëgimi me rrënjë shumë të thella për t’u çrrënjosur vetëm me forcën e arsyes.

Katalogë të kotë

Diferenca, prova të pamohueshme, mes grupeve njerëzore që popullojnë zona të ndryshme të globit lidhen me origjinën e species sonë. Ideja që këto diferenca fizike, frut i përshtatjes së mjedisit, që përfshinin edhe ndryshimet psikologjike dhe sjelljet e thella, sa që mund të dallonin popullata të ndryshme të botës, ka lindur në fund të shek XV kur kolonializimi e çoi njeriun perëndimor dhe nevojën e tij për dominim në çdo qoshe të botës. Për dy shekuj, dhe pjesa më e madhe e antropologëve të epokës filluan të katalogojnë racat e supozuara dhe të shpikin një kriter të vlefshëm dhe universal për t’i dalluar. Përfundimi? Asgjë me peshë.

Ndërkohë që komuniteti shkencor debatonte për kotësinë, ideja e racës ishte kthyer në një motorr të ekonomisë globale koloniale. E tregon trajtimi i rezervuar i popullatave afrikane, të deportuara në USA për t’i kthyer në skllevër, e quajtur intelektualisht inferiore. Në shek XVIII, intelektualë nga e gjithë bota apeluan të ashtuquajturën shkallë natyrale, rend natyral i të gjitha specieve të gjalla dhe i vendosën popullatat afrikane në një shkallë poshtë racës sonë. Forcimi i këtyre stereotipeve në kulturën popullore solli edhe ligjet kundër martesave të përziera.

Antropometria ishte prova shkencore mbi të cilën u mbështet. Çdo racë mund të përcaktohej nga një set numrash dhe statistikash, një ide që nuk merrte në konsideratë ndryshimet mes një brezi dhe tjetrit dhe që eliminonte plotësisht variabilitetin në brendësi të vetë racës. Mjaftoi të përsëriteshin studimet për të kuptuar sesi antropometria ishte e bazuar mbi asgjënë. Në fillim të shek XX Franz Boas publikoi studime që tregonin sa ndryshime kishte mes një brezi dhe tjetri, brenda racës dhe sesi vlerat e disa parametrave modifikoheshin me kalimin e brezave. Më pas erdhi kthesa, zbulimi i ligjeve mendeliane mbi trashëgiminë i dha rrugë kërkimeve gjenetike për trashëgiminë e pastër, të nevojshme për të dalluar racat mes tyre. Megjithatë as shkenca nuk arriti të gjente lidhje mes racave dhe gjeneve.

Të njëjtat gjene

Sot që e njohim mjaft mirë ADN-në tonë, e kuptojmë se ndryshimet tona janë thjesht tymnaja, në terma gjenetike. Ajo që na ndan nga qeniet e tjera njerëzore është një përqindje minimale e gjenomit, çdo njeri është biologjikisht i ngjashëm me këdo në planet në 99,5%, një përqindje e ndryshueshme sipas largësisë. As edhe krahasimi i racave mes qenve apo mes kuajve nuk vlen për të krahasuar këtë ndryshim në racën tonë.

Ato raca janë më të ndryshme sesa racat njerëzore. Racat e qenve janë seleksionuar për t’i bërë homozigotë në lidhje me disa gjene që janë prezente në atë racë, ndërsa mes njerëzve variabiliteti gjenetik është më i madh. Raca ekziston vetëm në kokën tonë për të dalluar dhe ndarë, është një zakon njerëzor që vjen nga shekulli i V, që e klasifikonte botën në grekë dhe në barbarë. Vizioni bipolar i “ne dhe ata” është i ngjashëm në shumë kultura dhe është një realitet pikologjik, që për disa ka rrënjë në historinë tonë evolutive. Sipas këtij vizioni, ideja e racës e ka embrionin në gjahtarë dhe mbledhës. Në një shoqëri në të cilën është thelbësore klasifikimi i menjëhershëm për atë që nuk njihet si aleat ose kundërshtar, ai që është racist e bën nga frika. / Burimi: Focus.it – Përgatiti: Bota.al

Leave a Reply

Back to top button