Covid19

Në Evropë nis vala e re e Covid-19, e nxitur nga të pa vaksinuarit

Nga Matteo Castellucci

Evropa është i vetmi rajon në botë ku janë rikthyer infeksionet e reja, dhe në nivele të larta të Covid-19. Shtatë për qind vetëm javën e kaluar, konfirmon Organizata Botërore e Shëndetësisë. Ndërkohë në pjesën tjetër të planetit, rastet e reja me koronavirus po bien.

Përgjegjësit për këtë rekord të ri negativ janë kryesisht Britania e Madhe, Rusia dhe Turqia.

Por në përgjithësi, vala e katërt (apo e pestë) e pandemisë do të jetë më e fortë në vendet që kanë vaksinuar më pak njerëz, përfshirë disa vende brenda Bashkimit Evropian.

Në Britani, infektimet e reja ditore janë kthyer sërish në dhjetëra mijëra. Të enjten ishin më shumë se 49.000, dhe gjatë gjithë javës së fundit 320.000 raste. Numri i viktimave të martën – 233, të enjten 179 – është më i larti që nga marsi i këtij viti, kur Evropa u mbyll në pritje të ndikimit shpëtimtar të fushatave të vaksinimit.

Pas muajsh normaliteti të rifituar falë imunizimit masiv, duket sikur ka kaluar një jetë që nga ajo kohë. Në rritje janë edhe shtrimet në spital, me 11 për qind krahasuar me javën e kaluar. Në rast se qeveria britanike nuk vepron menjëherë, NHS, Shërbimi Shëndetësor Kombëtar,paralajmëroi se ekziston rreziku i një “stuhie të përsosur”.

Nuk do të ketë nevojë për bllokime të reja, këmbëngul Downing Street, por kryeministri Boris Xhonson e pranon se vendin e pret një “dimër të vështirë”, dhe siç thotë Sekretari i tij i Shtetit për Çështjet Ekonomike, Kuasi Kuarteng, kufizimet janë të përjashtuara, por vetëm “për momentin”.

Në fakt në të ardhmen, qeveria mund të kërkojë sërish mbajtjen e detyrueshme të maskave në disa raste, dhe të sugjerojë punën nga shtëpia atëherë kur kjo është e mundur. Pra, një kopje e pranverës së kaluar. Gjithsesi, duhet sqaruar se shkalla e vdekshmërisë mbetet dukshëm më e ulët se sa ajo e konstatuar në atë periudhë.

Pavarësisht rritjes së infektimeve të reja, dhe shtimit të shtrimeve në spital, sot vdesin më pak njerëz. Ky është ndryshimi kryesor, dhe kjo për shkak të vaksinave. Qeveria konservatore po përpiqet që ta qetësojë popullsinë, që tashmë po vuan nga mungesat e produkteve,që kanë shkaktuar zbrazjen e supermarketeve.

“Pandemia nuk ka mbaruar”- u shpreh Ministri i Shëndetësisë Said Xhavid në një konferencë për shtyp, teksa ka pranuar se rastet mund të arrijnë në 100.000 në ditë.  Pas fillimit të suksesshëm të fushatës së vaksinimit, Britania e Madhe e ka ngadalësuar shumë ritmin, dhe nuk është më ndër 10 vendet e para për numrin e personave të imunizuar plotësisht, pra me 2 doza.

Dhe kjo në një kohë kur në BE ka filluar administrimi i dozës së tretë për ata që janë më të rrezikuar.  Në garë me kohën, Downing Street ka blerë qindra terapi që nuk janë miratuar ende nga entet rregullatore. Ekspertët po e monitorojnë nga afër virusin:6 për qind e infektimeve të reja në Britani janë për shkak të një varianti të ri, të quajtur zakonisht “Delta Plus”, i identifikuar për herë të parë në korrik 2021.

Situata dramatike në Rusi, i detyrohet kryesisht numri të ulët të të vaksinuarve, që është vetëm një e treta (32 për qind) e një popullsie prej 140 milionë banorësh. Stoqet e vaksinës së zhvilluar nga Moska, Sputnik V, mbeten të papërdorura dhe ky vend është ndër ata me numrin më të madh të vdekjeve në Evropë, 225.000.

Edhe presidenti Vladimir Putin është detyruar të mbështesë propozimin e qeverisë që të gjithë të mos shkojnë 1 javë në punë, në përpjekje për të frenuar infeksionet. Kjo masë do të përfundojë në fund të këtij muaji. Ndërkohë, kryebashkiaku i Moskës ka vendosur në karantinë të pa vaksinuarit mbi 60 vjeç, dhe ata që vuajnë nga sëmundje kronike.

Në lindje po vuajnë jo pak Rumania, Letonia dhe Ukraina. 574 viktimat në një ditë në Rumani është bilanci më i rëndë i këtij vendi që nga fillimi i pandemisë. E njëjta gjë ndodhi në Kiev (538 viktima), ku të enjten rastet e reja ishin 16 mijë, në një popullsi prej 44 milionë banorësh.

Por nga e enjtja kryeqyteti letonez Riga është futur në një bllokim të ri që do të zgjasë deri më 15 nëntor. Edhe Polonia po përjeton rikthim të nivelet më të larta me Covid-19 që nga muaji maj i këtij viti, dhe qeveria po shqyrton marrjen e masave mbrojtëse më të ashpra.

Sllovakia ka një nga nivelet më të ulëta të vaksinimit në Evropë. Në fakt, 5 provinca veriore i janë rikthyer karantinës. Zgjidhja në këtë situatë është aty:është vaksina. Vdekjet ditore për 1 milion banorë bien me rritjen e popullsisë së vaksinuar.

Një shkallë e lartë vdekshmërie përputhet me një përqindje ende shumë të ulët të njerëzve të imunizuar. Anasjelltas, një mbulimi më i madh me vaksina anti-Covid, përkthehet në më pak viktima. Këtë e pranoi edhe kryeministri letonez Krisjanis Karins:“Sistemi ynë shëndetësor është në rrezik, dhe e vetmja rrugëdalje nga kjo krizë është vaksinimi”. / “Linkiesta” – Bota.al

Back to top button