Analiza

Në frontin e luftës kibernetike

Në Estoni, një prej vendeve më teknologjikë të botës, ndodhet qendra e NATO-s që u përgjigjet sulmeve informatikë. Dhe në këta muaj tensionesh mes Perëndimit dhe Rusisë është shndërruar në një vijë fronti

talinKur Estonia vendosi të çlirohet nga simboli i përkatësisë së saj të dikurshme në BRSS kishin kaluar tashmë 16 vite nga fitimi i pavarësisë, por ministri i atëhershëm i Mbrojtjes, Jaak Aaviksoo mori gjithësesi një kërcënim nga Kremlini: “Ky veprim, nëse e bëni, do të jetë një fatkeqësi për popullin estonez”. Objekti i polemikës ishte një ushtar në bronx, i gjatë më shumë se 2 metra, me uniformë të Armatës së Kuqe, që në 27 prill 2007 u zhvendos nga qendra e kryeqytetit, Talin, drejt një varreze ushtarake. Ministri, bashkë me kolegët e tij të NATO-s, pjesë e të cilës është Estonia, me atë rast nisi zbatimin e një strategjie mbrojtëse për t’iu përgjigjur sulmeve të mundshëm me raketë, bombardimeve nga deti apo sulmeve ajrorë nga ana e ish tokës mëmë. Në fakt, me zgjidhjen edhe të ndonjë proteste nga ana e pakicës rusofone me disa qindra arrestime, gjithçka shkoi mirë: hapësirat ajrore estoneze nuk u shkelën dhe përreth portit të Talinit nuk erdhi asnjë kërcënim nga deti.
Pas pak ditësh, Aaviksoo ndodhej në tryezën e punës duke u marrë me gjëra të tjera, kur kuptoj se kompjuteri i tij po i bënte numra dhe nuk po mundej të lidhej në intranetin e sistemit qeveritar. Ministri provoi hapat normalë që bëhen në këta raste, duke rindezur kompjuterin, kontrolluar kablot etj, por sërish asgjë. Atëherë i telefonoi përgjegjësit të Teknologjisë së Informacionit (IT) dhe mësoi se çfarë po ndodhte: “Të gjithë serverat qeveritarë janë bllokuar. Edhe bankat, gazetat, mediat: nuk funksionon më asgjë”. Asnjë sulm konvencional nuk kishte ndodhur në ato ditë, por Estonia ndodhej tashmë përballë agresionit të parë informatik të organizuar kundër një kombi të tërë, që më pas do të pagëzohej me emrin Lufta e Parë e Internetit. Sulmet vazhduan për tre javë: ishin shumë të sofistikuar dhe në shkallë të gjerë. Për të rivendosur ekuilibrat, autoriteteve të Estonisë iu deshën disa muaj. Nuk u gjet kurrë, asnjë provë kundër Kremlinit, që sigurisht përgënjeshtroi përfshirjen e tij.
Agresioni virtual i vitit 2007 ishte një shembull tronditës, që iu tregoi të gjithëve cënueshmërinë e shoqërive bashkëkohore. Gazi, energjia elektrike, sistemet e mbrojtjes, shërbimet financiarë dhe shumë të tjerë varen prej kompjuterëve të lidhur mes tyre, në internet. “Kuaj troje”, virusë janë vetëm emrat e parë në një listë të gjatë të termave që përdoren në këtë sektor.
Që atëherë, strategjitë ushtarake të shumë vendeve të botës janë forcuar shumë dhe pothuajse të gjithë qeveritë janë vetëdijësuar për rrezikshmërinë e sulmeve terroriste kibernetikë: rasti i Estonisë shënoi një pikë kthese dhe tashmë, prej pothuajse një dekade, organizatat ushtarake më të rëndësishme të planetit rekrutojnë dhe stërvisin burra dhe gra të çfarëdolloj moshe, duke u ofruar një karrierë ushtarake brilante për të luftuar në këtë luftë të fshehtë, të heshtur dhe shumë të shpejtë.
Në këtë kuadër, pikërisht Estonia, sot është pika më e përparuar e frontit të luftës kibernetike globale. Jo vetëm sepse e ka përjetuar vetë atë sulm që nuk harrohet lehtë, por edhe sepse është shteti më digjital i Bashkimit Europian: me mijëra Wi-Fi në vende publikë, konsultime politikë online, 90 përqind e transaksioneve bankarë që kryhen përmes internetit, mijëra kompani të reja në Teknologjinë e Informacionit dhe telekomunikacion. Ekonomia, politika, shërbimet për qytetarët: gjithçka në Estoni ndodh online dhe i gjithë kombi është i lidhur me kabllot e fibrave optike. Jo më kot, emri i këtij shteti shpesh herë deformohet ironikisht në “E-Stonia”. Dhe me tensionet e rinj mes Perëndimit dhe Rusisë, ky vend i vogël i NATO-s, kaq teknologjik, është bërë shumë i rëndësishëm.
“Fronti” informatik estonez koordinohet qysh prej vitit 2008 nga një organizatë ushtarake ndërkombëtare e quajtur NATO CCDCOE (Cooperative Cyber De- fence Centre of Excellence), e ngarkuar me kërkimet dhe studimin mbi temat e luftës dhe sigurisë kibernetike. Zyrat qendrore të saj janë në brendësi të një baze ushtarake në Talin. Një qendër ekselence që rritet gjithnjë e më shumë dhe që sot, mes komponentëve të vet, ka 15 kombe mes të cilëve SHBA, Italia, Gjermania, Franca, Holanda, Anglia. Misioni i tyre është parandalimi, monitorimi dhe më pas reagimi ndaj sulmeve kibernetikë. Në qendër punojnë pothuajse 40 persona të kombësive të ndryshme dhe hyrja e të huajve ndalohet rreptësisht prej protokolleve të NATO-s. Të jesh një luftëtar kibernetik do të thotë të zgjohesh çdo mëngjes, të ulesh përballë një monitori në një sallë kontrolli ushtarak, të bashkëpunosh me vendet aleatë dhe të mbrosh sisteme ushtarakë dhe privatë përmes strategjive të sulmit me armë të padukshme.
Kjo është një ushtri jo konvencionale që lufton kundër një armiku të padukshëm: të rinnj dhe ish të rinj me kompetenca të ngjashme, por që luftojnë në fronte të kundërt, të ulur kush e di se ku në një shtet që u ofron atyre mbrojtje dhe para, në kërmbim të sulmeve ndaj serverave dhe sistemeve perëndimorë. Më të frikshmit janë kiberterroristët rusë, sirianë, kinezë dhe iranianë, thonë, por në të gjithë Lindjen e Mesme ka baza të agresionit informatik.
Shumë prej veprimtarive që kryhen në CCDCOE mbeten top secret. Të tjera bëhen publike, si për shembull ushtrimet kibernetikë ushtarakë të quajtur Locked Shields Exercise, që këtë vit kanë patur edicionin e tretë, me treqind pjesëmarrës nga 17 vende të ndryshëm, të përfshirë në një konkurs shumë të fortë që vë përballë 12 ekipe mbrojtës të vendeve aleatë dhe një skuadër të përbërë nga piratë informatikë të përzgjedhur në nivele shumë të lartë ndërkombëtarë, në gjendje të kryejnë një sulm kibernetik të simuluar, të fuqishëm dhe të sofistikuar. Organizuar nga NATO, stërvitja ka një qasje tip videoloje dhe skenari është imagjinar: “krijohet” një shtet, Berylia, në të cilin të gjithë veprimtaritë industriale ndodhen nën rrebeshin e një serie sulmesh kibernetikë që kryhen nga skuadrat e sulmit. Skuadrave mbrojtëse u caktohen pikë në bazë të performancës në mbrojtje. Loja kryhet duke nxitur edhe ndarjen e informacioneve dhe bashkëpunimin.
Simulimi i luftës kibernetike ndodh në brendësi të një hoteli në Talin, i transformuar për dy ditë në një sallë komande. Një rast unik për të testuar kapacitetet e luftëtarëve kibernetikë dhe skuadrave të tyre. Dita e parë u dedikohet “aksioneve të nivelit të ulët”, më pas përgatitet terreni për sulmet e spiunazhit dhe sabotazhit kundër rrjeteve mbrojtës. Përveç teknikës së mbrojtjes, Locked Shields Exercise parashikon një seri detyrash shtesë, si prania e avokatëve ekspertë të luftës kibernetike dhe mjekësisë ligjore, qëllimi i të cilëve është ta bëjnë stërvitjen sa më realiste që të jetë e mundur.
Këtë vit, për të parë stërvitjen ka ardhur në Talin edhe Sekretari i Mbrojtjes i SHBA, John McHug. Në fund të fundit, qeveria amerikane është shumë e vëmendshme ndaj luftërave të reja digjitale dhe në buxhetin e vitit 2014, Departamenti i Mbrojtjes i ka akorduar sigurisë kibernetike, më shumë se 52 miliardë USD. Operacionet në Uashington i drejton CyberCom, në krye të të cilës është gjenerali Keith Alexander, i famshëm për kryerjen e disa sulmeve kundër Iranit që në fillimet e viteve 2000. Sipas Alexander, “në shekullin21 armët kibernetike në një luftë do të jenë kritike, pikërisht siç kanë qenë ato bërthamore në shekullin që kaloi”. Dhe në këtë luftë, Estonia është në vijën e parë të frontit. /L’Espresso/
PERSHTATUR NE SHQIP NGA www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button