Ekonomi

Në fund Gjermania lëshon. Dhe Franca e di…

Politikat e kursimit të vendosura nga Gjermania frenojnë rimëkëmbjen ekonomike, por në fund qeveria gjermane bën gjithmonë lëshime (na e mëson historia). Dhe Franca e di mirë këtë

Vështirësia politike është që Gjermania vazhdon të shkelë pedalin e frenave. Kështu që, jemi të dënuar të presim deri kur Gjermania të vihet në lëvizje, gjë që në fund e bën gjithmonë, por me një ngadalësi të dëmshme. E mbajmë mend se si u përgjigj Mario Monti kur, për të justifikuar avashllëkun e saj, Angela Merkel foli për domosdoshmërinë e respektimit të rregullave të demokracisë gjermane: “Gjermania nuk është i vetmi shtet europian që ka një parlament”

Jean-Marie Colombani

merkel-hollandeMe shumë gjasë, Franca do të gjendet sërish në bangën e të akuzuarve në Bruksel, për shkak të buxhetit të 2015-ës që sapo është paraqitur, i cili parashikon një deficit pak më të lartë se 4%, pa marrë parasysh angazhimet për reduktimin e tij, të marrë gjatë Komisionit Barroso, i cili i kishte akorduar tashmë Francës një shtyrje prej dy vitesh. Vihen përballë dy linja mendimi: ajo e kancelares Merkel, sipas të cilës, që vendet e paqëndrueshëm të rikthehen në rrugën e drejtë, duhet vazhduar me politikat e kursimit. Linja tjetër është ajo e Italisë dhe Francës, sipas të cilave vijimësia e politikave të kursimit është shkaku i rritjes së dobët ekonomike, stanjacionit aktual dhe si pasojë, e vazhdimësisë së papunësisë masive.
Në këtë debat, Franca edhe ka të drejtë, edhe nuk ka. Sa për të filluar, ka dy herë të drejtë. Pikësëpari, sepse mund të ketë të drejtën e një trajtimi të veçantë, edhe pse kjo ide nuk u pëlqen shumë prej partnerëve të saj. Në fakt, Franca, pothuajse e vetme në Europë, bën një përpjekje të rëndësishme për mbrojtjen; është e pranishme me ushtarët e saj në Afrikën nënsahariane, sidomos në Mali, për të garantuar jo vetëm mbrojtjen e saj, por edhe atë të të gjithë Unionit. Pikërisht në ata rajone, të rrezikuar prej “fashizmit islamik”, luhet një pjesë e madhe e sigurisë sonë kolektive. Gjermania autorizon vetëm ndonjë gjest simbolik, dhe Britania e Madhe nuk disponon më një ushtri autonome: ndërhyn vetëm në mbshtetje të amerikanëve, si një shtojcë e tyre. Hollande do të bënte gabim nëse nuk do ta përmendte këtë argumentim. Pastaj Franca bën mirë që në planin ekonomik, reshtohet në të njëjtën anëme Italinë. FMN e ka thënë disa herë: sot në Europë ekziston rreziku i deflacionit dhe problemi i një kërkese që tashmë është e pamjaftueshme. Dhe të ashtuquajturat politika të kursimit vetëm e tkurrin këtë kërkesë, në një mënyrë tashmë të pamend. Vështirësia politike është që Gjermania vazhdon të shkelë pedalin e frenave. Kështu që, jemi të dënuar të presim deri kur Gjermania të vihet në lëvizje, gjë që në fund e bën gjithmonë, por me një ngadalësi të dëmshme. E mbajmë mend se si u përgjigj Mario Monti kur, për të justifikuar avashllëkun e saj, Angela Merkel foli për domosdoshmërinë e respektimit të rregullave të demokracisë gjermane: “Gjermania nuk është i vetmi shtet europian që ka një parlament”. Askush nuk i besonte arsyes që paraqiste kancelarja.
Në fillim, Angela Merkel nuk donte të ndihmonte Greqinë, as të organizonte shpëtimin e sistemit bankar, as edhe të pranonte unionin bankar, as të pranonte që Banka Qendrore të vinte në zbatim një politikë më të guximshme… por më pas u bind për të gjithë këta detyrime, duke filluar me pranimin e faktit që, nëse nuk ndihmonte Greqinë, do të shkaktonte shpërthimin e të gjithë Eurozonës.
Pra, në fund Gjermania lëshon. Pranon të ndihmojë, por e bën me vonesë. Dhe kjo vonesë është përgjegjësja kryesore e stanjacionit që po përjetojmë, dhe që mund të mbërthejë edhe Gjermaninë.
Megjithatë, Franca ka “fajin” që nuk ecën me shpejtësinë e duhur drejt një politike të ofertës, të denjë për këtë emër. Vuan nga një vonesë konkurueshmërie, ka një deficit aq të lartë, sa të ngjan pothuajse grotesk, dhe nuk fillon zbatimin e reformave strukturore që të gjithë të tjerët i kanë realizuar, për shembull rritjen e moshës së pensionit.
E vërtetë, si ndodh shpesh kohët e fundit, del nga goja e Mario Draghit. Sipas tij, sot Europa ka një problem edhe të kërkesës, edhe të ofertës. Prandaj duhet të veprohet në të dy frontet. Favorizim i kërkesës, por në të njëjtën kohë të mos hiqet dorë nga reformat e nevojshme strukturore. Nuk është një debat mes të majtës dhe të djathtës, bëhet fjalë për të kuptuar mirë se cilat lëvizje kërkon situata aktuale. Shpëtimi mund të vijë edhe prej programit të propozuar nga Komisioni Juncker, që parashikon investime në një total prej 300 miliardë eurosh. Problemi është se duhen përdorur tani, sa më shpejtë të jetë e mundur. Nuk duhet humbur më kohë. Apo jo, zonja Merkel? /Sette/
PERSHTATUR NE SHQIP NGA www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button