Psikologji

Në kërkim të dashurisë apo të parasë…?

Ku shkoi dashuria? Kush e vrau atë, ose, më mirë, pse e vranë?

Vite e vite më parë njerëzit as që e njihnin martesën, por çiftoheshin thjesht për të plotësuar disa instinkte shtazarake. Me kalimin e kohës, u fut koncepti i saj dhe vënia në praktikë nga çiftet e reja, por të rralla ishin ato çifte që kishin në mes ndjenja të vërteta për njëri-tjetrin. Koha, pushteti, “turpi” i të qenurit i dashuruar e vrisnin dashurinë. Ndërkohë në ditët e sotme po ndodh diçka krejtësisht e ndryshme nga “moda” e viteve të shkuara. Sot njerëzit po ndihen të paplotësuar.

Në kushtet e shtimit të stresit, të teknologjisë, të shumë e shumë tendencave të reja sociale, të gjithë ne po ndihemi më të vetmuar se kurrë. Lufta e vërtetë që bëjmë, është lufta me veten, beteja e përditshme për të gjetur lumturinë, për ta ndjerë atë në të gjitha format e saj. Ama këto dëshira, këto beteja po mbeten aty, në dhomën e gjumit të gjithkujt. Me lindjen e ditës së re, synimi nuk është lumturia, apo dashuria, por pushteti. Rinia jonë po ndjek një linjë krejtësisht të kundërt me dëshirat e vërteta të vetes. Sipas të rinjve, lumturia është asgjë. Pushteti ka rëndësi. Lekët kanë rëndësi. Për aq kohë sa je i varfër, je i padukshëm, sado dashuri të kesh për dikë.

Më vjen keq që kemi shkuar në këtë pikë, por më vjen akoma më keq që këto tendenca po ushqehen përditë e më shumë nga të rinjtë dhe jo vetëm.Nëse i keni lexuar mesazhet për lidhje në gazetën tonë, me siguri i keni vënë re edhe ato të tipit “Kërkoj lidhje me një emigrant”. Pse mendoni se ndodh kështu? Mos vallë kanë një dashuri të madhe për të lënë Shqipërinë e për të eksploruar botën, apo këtë e shohin si rrugën më të lehtë drejt një jete luksoze?

E di çfarë më kujtohet me të tilla raste? Me siguri i keni lexuar edhe juve postimet e famshme në rrjetet sociale “Lekët mund të të sigurojnë udhëtime e veshje të reja, dhe kjo është dashuria”. Po ndjenjat ku qëndrojnë?

Një mikesha ime kur e pyeta lidhur me temën, nëse do martohej me dikë të varfër, por që do e donte shumë, më citoi një thënie që ndoshta edhe ju e keni dëgjuar “Kur varfëria hyn nga dera, dashuria del nga dritarja”. Të gjithë e dimë këtë gjë, e sidomos duke jetuar në Shqipëri e duke parë se në çfarë kushtesh janë shumë e shumë familje dhe duke parë mbi të gjitha, numrin e divorceve. Por natyrshëm më lind një pyetje. Nëse vërtet varfëria është shkaku i vrasjes së martesave, apo i dashurisë së tyre, pse vallë gjyshërit tanë, në kushtet e një jetese shumë herë më të varfër, nuk u ndanë? Ata ndoshta kishin kuptuar se edhe në varfëri, familja mbetet e shenjtë. Ata ndoshta kishin kuptuar edhe se duke punuar të dy, do t’ia dilnin të vinin atë pak pasuri që të mundnin, por që asnjëherë nuk do i ngecte buka në grykë apo t’i brente ndërgjegjen gabimi se po shijonin para të pamerituara.

Unë e di, dhe me siguri edhe ju e dini se sot, çdo gjë po sillet rreth lekut. Nuk janë më legjenda urbane ato të tullacit me x6 në bllok, apo ato të jetës luksoze me sheikët e Dubait. Ama unë doja ta pyesnit veten vetëm për diçka. Nëse vërtet lidheni apo fejoheni me dikë që nuk e doni, por doni lekët e tij, sa do të zgjasë kjo gjë? Mund të shëtisni botën, të shijoni veshje dhe produkte nga më të shtrenjtat. Mirëpo unë jam i sigurt se në një mbrëmje të bukur, kur të jeni të vetme në shtratin tuaj, ato mendimet dhe dëshirat për të pasur lumturi dhe dashuri në jetën tuaj, do t’ju vijnë më fuqishëm, por nuk do keni çfarë të bëni. Me siguri që ai personi i varfër që ju e refuzuat duke u mahnitur pas parasë, ka ndërtuar jetën e tij. Me siguri që ai as që do të ketë kohë të merret me ju dhe në kushte të tilla, të ftoj ta imagjinosh veten të plakur duke menduar se kurrë në jetë nuk e njohe dashurinë e vërtetë, atë me flutura në stomak dhe me rrëqethje në tërë trupin. A të pëlqen kjo ide? Nëse po, atëherë je në rrugën e duhur. Vazhdo me mahninë tënde pas parasë!

Leave a Reply

Back to top button