Analiza

Në kërkim të një bote më të mirë: Karl Poper mbi të vërtetën, sigurinë, dhe rrezikun e Relativizmit

“Dituria konsiston në kërkimin e së vërtetës… Nuk është kërkimi për sigurinë”.

“Unë ëndërroj një botë, ku e vërteta është ajo që formëson politikat e njerëzve, në vend se politika të formësojë atë që njerëzit mendojnë se është e vërtetë”- ankohej astrofizikani Nil de Grase Tison. Gati gjysmë shekulli më parë, Hanah Arend e kapi thelbin e problemit, në reflektimin e saj të mprehtë mbi të menduarit vs të diturit, në të cilën ajo shkroi:”Nevoja e arsyes nuk frymëzohet nga kërkimi për të vërtetën, por nga kërkimi për kuptimin”.

Ky dallim ndërmjet të vërtetës dhe kuptimit është jetik, sidomos sot kur propaganda politike dhe “faktet alternative” të establishmentit, manipulojnë një publik që më parë do të mësojë sesa të mendojë, duke u lutur mbi dëshirën për siguri që të ofron kuptimi i gatshëm në mesin e atyre që nuk kanë vullnet të angazhohen në veprimtaritë e të menduarit kritik, të nevojshëm për të mbërritur tek e vërteta – e vërteta e matur me përputhshërinë e saj me realitetin, dhe jo me axhendat personale, zonat komode, dhe besimet paraekzistuese të dikujt tjetër.

Kjo disiplinë e rëndësishme e diferencimit mes të vërtetës dhe sigurisë, është ajo që shqyrtoi filozofi austriako-britanik me ndikim Karl Poper (28 korrik, 1902 shtator 17, 1994) në fund të jetës së tij të gjatë nëpërmjet librit “Në kërkim të një bote më të mirë:Ligjerata dhe ese nga 30 vite”.

Karl Poper shkruan:Të gjitha qeniet e gjalla, janë në kërkim të një bote më të mirë. Njerëzit, kafshët, bimët, edhe organizmat njëqelizore janë vazhdimisht aktive. Ata janë duke u përpjekur të përmirësojnë gjendjen e tyre, ose të paktën të shmangin përkeqësimin e saj…Çdo organ është vazhdimisht i preokupuar me detyrën e zgjidhjes së problemeve. Këto probleme lindin nga vlerësimet e vetjake të gjendjes dhe mjedisit të saj; kushtet që organizmi kërkon t’i përmirësojë … Ne mund të shohim se jeta – madje edhe në nivelin e organizmave njëqelizore – sjell diçka krejtësisht të re në botë, diçka që nuk ekzistonte më parë:problemet dhe përpjekjet aktive për t’i zgjidhur ato; vlerësimet, vlerat; gjykimet dhe gabimet.

Poper argumenton se për shkak se identifikimi i gabimit është kaq i rëndësishëm në procesin e zgjidhjes së problemeve, korrigjimi i tij – që është, e vërteta – është një komponent thelbësor i kërkimit tonë për përmirësim:Kërkimi për të vërtetën…padyshim është një ndër gjërat më të mira dhe më madhështore që ka krijuar jeta, gjatë kërkimit të saj të gjatë për një botë më të mirë.

Me një ndjesi që bën thirrje për të pasur parasysh këmbënguljen e Karl Saganit, mbi rolin thelbësor të shkencës në demokraci, Poperi shton:Ne kemi bërë gabime të mëdha – të gjitha krijesat e gjalla bëjnë gabime. Është në fakt e pamundur të parashikosh të gjitha pasojat e paqëllimta të veprimeve tona. Këtu shkenca është shpresa jonë më e madhe: metoda e saj është korrigjimi i gabimit.

Duke kthyer kokën pas në arritjet më të trazuara ndonjëherë, por tek e fundit eksponenciale, për një botë më të mirë, që janë shpalosur gjatë 87 viteve të jetës së tij – “një kohë e dy luftërave të pakuptimta botërore dhe diktaturave kriminale” – Poper shkruan:Pavarësisht nga çdo gjë, dhe edhe pse kemi pasur kaq shumë dështime, ne, qytetarët e demokracive perëndimore, jetojmë në një rend shoqëror që është më i mirë (për shkak se favorizon reformat) dhe më i drejtë se çdo tjetër në historinë e regjistruar. Përmirësime të mëtejshme janë të një emergjence më të madhe. (Megjithatë, përmirësimet që rrisin fuqinë e shtetit, sjellin shpesh të kundërtën e asaj që ne kërkojmë).

Ajo që shpesh deformon dhe frustron kërkimin tonë për përmirësim, vëren Poper në një leksion të vitit 1982 të përfshirë në vëllimin në fjalë, është dështimi ynë për të dalluar mes kërkimit të së vërtetës dhe afirmimit të sigurisë:Dija konsiston në kërkimin e të vërtetës – në kërkim të teorive objektivisht të vërteta dhe shpjeguese.

Kjo nuk është kërkimi për siguri. Të gabosh është njerëzore. E gjithë dija njerëzore është e gabueshme, dhe për këtë arsye e pasigurtë. Ai vijon se ne duhet të dallojmë qartë mes të vërtetës dhe sigurisë. Që të gabosh është njerëzore, s’do të thotë vetëm që ne duhet të luftojmë vazhdimisht kundër gabimeve, por edhe kur kemi treguar kujdesin më të madh, nuk mund të jemi plotësisht të sigurtë se nuk kemi bërë asnjë gabim…

Prandaj të luftosh gabimin do të thotë të kërkosh të vërtetën objektive, dhe të bësh

çdo gjë që është e mundur për të zbuluar dhe eleminuar gënjeshtrat. Kjo është detyra e veprimtarisë shkencore. Për këtë arsye ne mund të themi:qëllimi ynë si shkencëtarë është e vërteta objektive; më shumë të vërteta, të vërteta më interesante dhe më të kuptueshme. Ne nuk mund të synojmë në mënyrë të arsyeshme sigurinë.

[…]

Përderisa ne nuk mund të dimë asnjëherë asgjë si të sigurtë, thjesht nuk ia vlen të kërkohet siguria; por ia vlen kërkimi për të vërtetën; dhe këtë e bëjmë kryesisht duke kërkuar gabimet, kësisoj ne mund t’i korrigjojmë ato. Në një ndjenjë të mprehtë Të përkatësisë, si një përsëritje e mërzitshme e “fakteve alternative”, që synojnë të manipulojnë një publik jokritik, Poper ofron një përkufizim dhe këshillën e mprehtësisë elegante:Një teori apo një deklaratë është e vërtetë, nëse ajo që thotë përputhet me realitetin.

[..]

E vërteta dhe siguria duhet të dallohen qartazi. Duke dënuar qasjet relativiste ndaj së vërtetës – ato të cilat e konsiderojnë të vërtetën si “ajo që është pranuar; apo ajo që vihet përpara nga shoqëria; ose nga shumica; ose nga grupi im i interesit; apo ndoshta nga televizioni” – ai paralajmëron:Relativizmi filozofik që fshihet pas “pyetjes së vjetër dhe të famshme” të Kantit “Çfarë është e vërteta?”, Mund t’i hapë rrugën gjërave të liga, si një propagandë gënjeshtrash që nxit urrejtjen tek njerëzit.

[…]

Relativizmi…është tradhtia e arsyes dhe njerëzimit. Këtu është e dobishme të rishqyrtojmë dallimin që bën Arend midis së vërtetës dhe kuptimit , se ku e vërteta është absolute – një përputhje binare me realitetin:një premisë që ose reflekton realitetin ose jo – kuptimi mund të jetë relativ; ai është i formësuar nga interpetimi i dikujt tjetër, i cili është i kushtëzuar nga besimet dhe mund të manipulohet.

Siguria jeton në fushën e kuptimit, dhe jo të vërtetës. Vetë ideja e një “fakti alternativ”, që manipulon sigurinë në kurriz të së vërtetës, është kësisoj lloji i relativizmit kriminal kundër të cilit Poper paralajmëron në mënyrë aq rigoroze – diçka që, siç thotë ai, “rrjedh nga përzierja e nocioneve të së vërtetës dhe sigurisë”.

E gjithë propaganda është në funksion të manipulimit të sigurisë, por ajo nuk mund të manipulojë kurrë të vërtetën. Arend e kishte artikuluar këtë shkëlqyeshëm një dekadë më parë në traktatin mbi defaktualizimin në politikë :”Pavarësisht sa e madhe është sasia e gënjeshtrave që mund të ofrojë një gënjeshtar me përvojë, ajo kurrë nuk do të jetë mjaft e madhe … për të mbuluar pafundësinë e faktualitetit”.

Poper argumenton se aftësia për të dalluar të vërtetën përmes testimit të teorive tona mbi realitetin, duke përdorur arsyetimin kritik, është një zgjedhje e dallueshme e njeriut – asnjë kafshë tjetër nuk e bën këtë. Një brez para tij, Bertrand Rasëll – ndoshta shenjti mbrojtës më i madh i arsyes në shekullin XX – e quajti këtë aftësi “vullnet për të dyshuar” dhe e glorifikoi si vetëmbrojtjen tonë më të madhe kundër propagandës.

Evolucioni kulturor i specieve tona, vëren Poper, u nxit nga nevoja e mprehjes së kësaj aftësie – ne zhvilluam një gjuhë që përmban deklarata të vërteta dhe të rreme, e cila i dha hov kritikës, që nga ana e asaj katalizoi një fazë të re të përzgjedhje. Ai shkruan: Përzgjedhja natyrore është amplifikuar, dhe pjesërisht parakalohet nga përzgjedhja kritike, kulturore.

Kjo e fundit na lejon të bëjmë ndjekje të vetëdijshme dhe kritike të gabimeve tona: ne mund të gjejmë në mënyrë të ndërgjegjshme dhe zhdukim gabimet tona, dhe po në mënyrë të vetëdijshme mund të gjykojmë një teori si inferiore ndaj një tjetre… Nuk

ka njohuri pa një kritikë racionale, kritikë në shërbim të kërkimit të së vërtetës.

Por kjo kritikë racionale, thekson Poper, duhet të zbatohet gjithashtu edhe tek vetë shkenca. Duke paralajmëruar se ilaçi ndaj relativizmit nuk është shkencizmi – një formë e sigurisë po aq gërryese sa e vërteta – ai shkruan:Me gjithë admirimin tim ndaj njohurive shkencore, nuk jam një përkrahës i shkencizmit. Shkencizmi dogmatik pohon autoritetin e njohurive shkencore; kurse unë s’besoj në ndonjë autoritet dhe i kam rezistuar gjithmonë dogmatizmit; dhe vazhdoj t’i rezistoj, veçanërisht në shkencë.

Unë jam kundër tezës se shkencëtari duhet të besojë tek teoria e tij. Me aq sa unë jam i shqetësuar “Unë nuk besoj tek besimi”, siç thotë E.M Forster; dhe sidomos nuk besoj tek besimi në shkencë. Unë besoj më së shumti se besimi ka një vend tek etika, dhe këtu vetëm në disa raste. Për shembull, unë besoj se e vërteta objektive është një vlerë – që është, një vlerë etike, ndoshta vlera më e madhe që ekziston – dhe se mizoria është e keqja më e madhe. /Brainpicking – www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button