LetersiPersonazhe

Letra e shkrimtarit të famshëm Stieg Larsson: “Në këtë moment, tek lexon këtë letër, ti e di që kam vdekur”

Screen Shot 2015-07-21 at 14.13.15Stockholm,

9 Shkurt, 1977

Eva, e dashur,

Mbaroi. Në një mënyrë apo një tjetër, çdo gjëje i vjen fundi. Një ditë, çdo gjë mbaron. Kjo është ndoshta një prej të vërtetave më magjepsëse që ne dimë për të gjithë universin. Yjet vdesin, galaksitë vdesin, planetët vdesin. Vdesin edhe njerëzit. Nuk kam qenë asnjëherë një besimtar, por atë ditë që më lindi interesi për astronominë, mendoj se lashë mënjanë gjithçka që kish mbetur nga frika ime për vdekjen. Kisha kuptuar se në krahasim me universin, një qenie njerëzore, një qenie e vetme njerëzore, unë… është pafundësisht e vogël. Nuk po e shkruaj këtë letër për të dërguar një leksion të thellë fetar apo filozofik. Po e shkruaj të të them “lamtumirë”. Sapo isha duke folur me ty në telefon. Mundem ende të dëgjoj tingullin e zërit tënd. Të imagjinoj, të kam para sysh… një pamje e bukur, një kujtim i mrekullueshëm që do ta mbaj deri në fund. Në këtë moment, tek lexon këtë letër, ti e di që kam vdekur.

Ka gjëra që dua t’i dish. Teksa nisem për Afrikë, jam i vetëdijshëm për çfarë më pret. Kam ndjesinë, madje, që ky udhëtim do të më sjellë vdekjen time, por është diçka që duhet ta përjetoj, pavarësisht gjithçkaje. Nuk kam lindur për të ndejtur ulur në kolltuk. Nuk jam i atillë. Korrigjoj: Nuk kam qenë ia tillë… nuk po shkoj në Afrikë thjeshtë si gazetar, po shkoj mbi të gjitha me një mision politik, dhe prandaj mendoj që ky udhëtim mund të më shpjerë drejt vdekjes time.

Eshtë hera e parë që të shkruaj, duke e ditur me saktësi se çfarë të them: Të dashuroj, të dashuroj, të dashuroj, të dashuroj. Dua që ta dish këtë. Dua të dish që të dashuroj, më shumë nga ç’kam dashur ndokënd. Dua që ta dish se e kam seriozisht. Dua që të më kujtosh, por jo që të mbash zi për mua. Nëse vërtetë jam diçka për ty, mos vuaj, këtë nuk e dua. Mos më harro, por vazhdo jeto. Jeto jetën tënde. Dhimbja do të shuhet me kohën, ndonëse është e vështirë ta imagjinosh në këtë moment. Jeto në paqe, e dashura ime; jeto, dashuro, urre, dhe vazhdo të luftosh…

Kam patur shumë faje unë, e di, por kam patur edhe disa të mira, shpresoj. Por ti, Eva, ke frymëzuar tek unë një dashuri të tillë, që nuk kam qenë kurrë në gjendje të ta shpreh…

Ngrihu, drejto shpatullat, mbaje kokën lart. Dakord? Kujdesu për veten, Eva. Shko pi një filxhan kafe. Mori fund. Faleminderit për kohët e bukura që patëm. Ti më bëre shumë të lumtur. Adieu.

Lamtumirë.

Me dashuri, nga Stieg

Perkthimi: Bota.al

Leave a Reply

Back to top button