Nga Sebastian Mallaby
“The Washington Post”
Ndërsa po vazhdon lufta në Ukrainë, Perëndimi vazhdon që të domonojë në fushëbetejën ekonomike. Sanksionet e tij po ndëshkojnë rëndë ekonominë ruse. Përpjekjet e ushtrisë për një kundërsulm duket se kanë gjasa të dështojnë. Dhe rezultati është një goditje psikologjike për Kinën, sistemi shtetëror-kapitalist i së cilës dukej tashmë i brishtë.
Së pari marrim sanksionet. Duke ngrirë pjesën më të madhe të rezervave valutore të Rusisë, Perëndimi e çaktivizoi mjetin kryesor të Moskës për mbrojtjen e monedhës së saj. Në 2 javët e para të luftës, rubla e humbi gati gjysmën e vlerës së saj kundrejt dollarit.
Rritja e çmimeve të importit, blerjet në panik e sipër nga qytetarët rusët, dhe mungesat e shkaktuara nga sanksionet e tjera, e rritën inflacionin deri në 2 për qind në javë. Nëse do të ruhet kjo normë, inflacioni vjetor i Rusisë do të arrinte në nivelin katastrofik prej 175 për qind.
Udhëheqësit e Rusisë janë përpjekur që ta mbështesin rublën, por kjo gjë ka sjellë vështirësi të reja. Banka Qendrore e ka dyfishuar normën bazë të interesit, duke ndëshkuar bizneset dhe familjet, duke i nxitur kështu ekspertët të parashikojnë një recesion ekonomik të thellë.
Autoritetet kanë goditur fort kontrollin e kapitalit, duke i penguar rusët e zakonshëm që të shkëmbejnë rublat me dollarë, dhe duke u kufizuar aftësinë për të nxjerrë dollarë nga llogaritë e tyre bankare. Rusët me më shumë mundësi po largohen nga vendi.
Rreth 70.000 punonjës të teknologjisë thuhet se janë larguar tashmë. Sanksionet kanë goditur edhe investitorët e huaj. Rusia i ka ndaluar jo-rezidentët që të shesin aksionet që kanë në Moskë. Sanksionet kanë penguar ndërkohë edhe pagesat e interesit për zotëruesit e huaj të obligacioneve.
Të tmerruar nga shkatërrimi i qyteteve në Ukrainë, rreth 500 biznese perëndimore që operonin në Rusi janë tërhequr tashmë, madje shumë prej tyre pa një plan të qartë se si mund t’i shesin asetet që kanë në këtë vend dhe se si do mund të rikuperojnë kapitalin.
Gjiganti britanik i naftës “British Petroleum” pritet të pësojë një dëm prej 11 miliardë dollarësh nga largimi i saj nga Rusia. Besimi i biznesit të huaj nuk ka gjasa të rikuperohet për sa kohë që në Kremlin të jetë Vladimir Putin. Lëvizja e fundit e Rusisë ishte kushti që eksportet e saj të gazit natyror të paguhen në rubla.
Ideja e Moskës është të detyrojë Gjermaninë dhe importuesit e tjerë të energjisë që të blejnë gaz dhe naftë në monedhën ruse, duke e rritur kësisoj vlerën e saj. Por qeveria gjermane duket e gatshme që të mos e pranojë bllofin e Putinit.
Në vend se të pranojë të paguajë në rubla, ajo ka ndërmarrë hapin e parë zyrtar drejt racionimit të gazit. Në vend se ta privojë veten nga të ardhurat që i duhen dëshpërimisht, Rusia mund të tërhiqet nga kjo lëvizje. Sido që të shkojnë gjërat, kërcënimi i Rusisë e ka përforcuar më tej vendosmërinë e Gjermanisë për t’u larguar nga eksportet ruse.
Dhe çfarë do të thotë e gjitha kjo për Kinën, aleaten më të rëndësishme të Putinit? Ekonomia kineze është shumë më e madhe dhe më e sofistikuar se ajo e Rusisë. Por duket sërish e cënueshme. Së pari, stoku i aseteve në valutë të huaj i Pekinit prej 3 trilion dollarësh, duket më pak i fuqishëm se dikur.
Nëse ka qenë e mundur ngrirja e rezervave valutore të Rusisë, e njëjta gjë mund të ndodhë edhe me ato të Kinës. Po kështu, nëse Rusia nuk mund t`i përdorë dot si mjet presioni eksportet e saj energjetike, ngjan e pamundur që Kina të jetë në gjendje t’i kundërvihet sanksioneve, duke kërcënuar se do të reduktojë eksportet e produkteve elektronikë.
Është e vërtetë që Kina furnizon rreth 80 për qind të tregut amerikan për inputet industriale të njohura si “minerale të rralla”. Por Shtetet e Bashkuara po mbrojnë veten duke i grumbulluar dhe ricikluar ato. Për më tepër, ekonomia e Kinës duket shumë e ndjeshme për arsye të tjera.
Ashtu si Putin pushtoi Ukrainën i shtyrë nga një ndjenjë e gabuar e krenarisë kombëtare, edhe udhëheqësit e Kinës kanë refuzuar të blejnë vaksinat e huaja shumë më efektive kundër Covid-19. Edhe pse vaksinat vendase nuk funksionojnë, ata e kanë izoluar vendin e tyre nga pjesa tjetër e botës, duke vendosur karantina drakoniane për vizitorët.
Por me shfaqjen e variantit veçanërisht infektiv BA.2 omicron, nuk mjafton as kjo. Kina është detyruar të mbyllë qendrat ekonomike si Shenzhen dhe Shangai, duke penguar perspektivën e saj të rritjes ekonomike. Ndërkohë, me luhatje paraqitet edhe sektori financiar i Kinës. Zhvilluesit e pronave të paluajtshme po falimentojnë, dhe po braktisen nga investitorët e tjerë. Gati 2/5 e kredive bankare janë të lidhura me pronat e paluajtshme, ndaj kjo krizë pritet të infektojë gjithë sistemin bankar.
Ekonomia e Kinës është e varur nga borxhet, ndaj nëse bankat do të kërkojnë kreditë e tyre, kriza do të jetë shumë e fortë. Qeveria e Kinës i ka ndërlikuar problemet e saj duke e goditur ekonominë e saj dixhitale mbresëlënëse. Ajo i ka gjobitur kompanitë kryesor të teknologjisë, ka bllokuar angazhimin e tyre në bursa, dhe i ka shtyrë të mërgojnë jashtë vendit themeluesit e tyre.
Verën e vitit që shkoi, me një të rënë të lapsit, ajo zhduku pjesën më të madhe të industrisë fitimprurëse të mësimdhënies prej 100 miliardë dollarësh. Duke pasur parasysh se popullsia e Kinës po plaket dhe fuqia e saj punëtore po zvogëlohet, qeveria ka nevojë për plotësimin e produktivitetit nga kompanitë e teknologjisë.
Është kjo arsyeja pse zyrtari më i lartë ekonomik i Pekinit, është sjellë mirë kohët e fundit me këtë sektor. Por jo të gjithë presin që gjërat të përmirësohen. Qeveritë autoritare e kanë të vështirë të tolerojnë inovacionet përçarëse. Perëndimi ka përjetuar disa vite rraskapitëse.
Populistët e kanë rritur shumë ndikimin e tyre, janë shkatërruar aleancat tradicionale, dhe çdo gjë nga inflacioni deri tek tërheqja kaotike e SHBA-së nga Afganistanit, dukej se sinjalizonte paaftësinë dhe brishtësinë. Por kriza e Ukrainës e ka ndryshuar situatën. Sigurisht, konflikti është larg përfundimit. Por tani për tani, Perëndimi ka një vetëbesim të madh të panjohur më parë.
Shënim: Sebastian Mallaby, bashkëpunëtor në Institutin Paul A.Volcker për ekonominë ndërkombëtare.