Histori

Në shkollë, Napoleon Bonapartin e vinin në lojë

Napoleoni lindi në Ajaccio, në Korsikë, në 15 gusht 1769, nga Carlo, avokat me origjinë nga Toskana dhe Maria Letizia Ramolino. Vetëm falë faktit që kish prindër fisnikë, mundi të regjistrohet në Shkollën mbretërore të Brienne, në veri të Francës. Siç e ka deklaruar vetë, u bë ateist në moshën 11 vjeç, kur dëgjoi predikuesin t’i thoshte se Katoni dhe Cezari ishin të dënuar: ideja që “dy burrat më virtuozë të lashtësisë digjeshin në flakët e përjetshme të ferrit më indinjoi shumë”.

Megjithatë ai pëlqente të dëgjonte recitimin e Ave Marisë në mbrëmje. Në shkollën e Brienne ai kishte vështirësi në latinisht, letërsi dhe art, dhe ishte më i miri në klasën e matematikës. Shkrimi i tij i dorës ishte i tmerrshëm (dhe kjo mund t’i ketë kushtuar fronin, duke qenë se në fushatën e Vaterlosë një urdhër vendimtar, shkruar me dorën e tij, ishte keqinterpretuar për shkak se shkrimi ishte i pakuptueshëm) dhe drejtshkrimi i tij ishte i keq (frëngjishtja nuk ishte gjuha amtare dhe ai e kishte studiuar si gjuhë e huaj).

Vihej shpesh në lojë nga shokët, që e quanin “italiani”. Në moshën 16 vjeç u pranua në shkollën ushtarake të Parisit, falë një burse studimesh të financuar nga Mbreti. Kur ia përplasnin thoshte: “Nuk jam student i mbretit. Jam student i shtetit”.

Pas shkollës, me të marrë uniformën shkoi tek Madame Permon (qeradhënësja), vajzat e të cilës shpërthyen në të qeshura për shkak të çizmeve që mbante veshur, ku këmbët e tij të holla zhdukeshin fare. “Dukesh si maçoku me çizme!”, i thanë. Dhe nofka i mbeti ngjitur në vitet e para të karrierës. / bota.al

Leave a Reply

Back to top button