Ekonomi

Në stuhinë e Athinës, Europa rrezikon të rrëzohet

Brukseli e ka kuptuar prej kohësh se loja e shahut në Athinë rrezikon të hedhë në erë monedhën e përbashkët duke marrë përpara si në një cunam, Romën, Madridin dhe ndoshta Parisin. Dhe që bllokimi në kryeqytetin grek mund të transformohet në kufi për unionin. “Ne nuk do të dalim nga Euro”, është përpjekur t’i hedhë ujë zjarrit Tsipras, duke kujtuar që në vitin 1952 ishte Gjermania që siguroi një ulje për borxhet, me qëllim që të shëronte plagët e luftës dhe nazizmit. Megjithatë, agjenda e tij e javëve të fundit është termometri i alarmit të kuq në Kontinentin e Vjetër

Ettore Livini

stock

Alfa dhe omega. Fillimi dhe fundi. Këtu ka lindur, poshtë Partenonit. Bashkë me mendimin perëndimor dhe vetë konceptin e demokrqacisë. Dhe këtu Europa rrezikon tani të shohë funeralin e vet. Skenari, thonë Kasandrat është Bursa helene (që dje pësoi një rënie me 12.7%) tashmë është shkruajtur dhe është vënë në skenë gjatë këtyre orëve: Greqia ka afruar për në 17 dhjetor procedurat për zgjedhjen e presidentit të Republikës dhe qeveria ka kandiduar për këtë post ish Komisionerin e BE, Stavros Dimas. Nëse Dimas – siç është shumë e mundur që të ndodhë – nuk do të arrijë kuorumin, vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme në fund të janarit, ndërkohë që favorite duket të jetë e majta radikale Syriza.
Barometri i tregjeve – dje ka qenë vetëm antipasta – nuhat stuhinë e përsosur: tronditje të spread-eve, politika në kaos. Spektri i kundërvënies së fortë mes partisë së Alexis Tsipras dhe atyre që mbështesin fort politikat e kursimin po bëjnë të dridhet Euron. “Eshtë një paradoks. Mendo që mes këtyre gurëve 2500 vjet më parë, shumë kohë përpara Merkelit dhe Junckerit, nisi të lulëzojë utopia e Europës së bashkuar dhe solidaritetit mes shumë polisëve të ndryshëm”, thotë Heleni Simitis, studente e Politeknikut të Athinës, përpara rrënojave të Agorës. Historia ka ndryshuar, protagonistët jo: fati i monedhës së përbashkët do të luhet në javët e ardhshme si në një lojë pokeri, në sallën e Parlamentit të Athinës, që do të thirret të shkruajë një tjetër faqe në historinë e BE-së. “Shpresojmë – thonë me shaka pensionistët që bisedojnë mes tyre në sheshin Sintagma – të mos jetë e fundit”.
Qarku i mbyllur helen nuk është një rrufe në qiell të hapur. Fuçia e barutit ka muaj që zien. Kura me gjak dhe lotë që u imponua prej BE-së, FMN-së dhe Bankës Qendrore Europiane në këmbim të 240 miliardë Eurove hua ka dhënë rezultate me dritëhije. Vendi, po ta shohësh realitetin me sytë e atyre që arsyetojnë, ka dalë nga tuneli: vitin tjetër GDP do të rritet me 2.9%. Bilanci shtetëror është në aktiv me 3.5 miliard Euro në fund të tetorit. Megjithatë, kriza ka lënë një pasojë sociale shumë të rëndë: një e katërta e GDP ka shkuar në tym, papunësia është 26% dhe të ardhurat familjare, prej shkurtimit të pagave dhe pagesave sociale kanë rënë me 40%. “Kemi qenë kavie të një eksperimenti financiar – thotë Mikis Asteris, inxhinier që ka parrë pagën e tij të bjerë nga 1800 në 1250 Euro – dhe rezultati është që djepi i demokracisë dhe Europës rrezikon tani, për arsye të spread-eve dhe treguesve ekonomikë, që të shndërrohet në varrin e saj”. Qeveria e unitetit kombëtar e Antonis Samarasit ka vendosur të ecë përpara, duke preferuar ta shohë gotën gjysmë plot. Dhe pavarësisht se risku i zgjedhjeve të parakohshme dhe efektit domino mbi Euron, ka dashur të fitojë kohë, e bindur – është basti i kryeministrit – se në fshehtësinë e dhomës së votimit zgjedhësit nuk do të vendosin kryqin tek Syriza, për të mos e kthyer pas me 5 vite orën e vendit. “Nuk mund të lejojmë të kemi dy muaj pasiguri”, ka thënë zëdhënësja Sofia Voultepsi, duke hedhur në “pjatë” emrin e Dimasit, njeri që për nga përkatësia politike – ka qenë ngahera organikë e të djathtës – vështirë se do të ketë konsensusin e nevojshëm për zgjedhjen (në sallë nevojiten 180 vota nga 300; qeveria ka vetëm 154).
Tsipras, armiku publik numër një i fajkonjve të Euros ka bindje krejt të tjera: grekët, thotë i sigurtë, nuk durojnë dot më masat e shtrëngimit. “Kemi GDP e një tigri aziatik, tepricën buxhetore të Norvegjisë dhe koston e punës të një vendi në zhvillim. Cfarë duan më nga ne?”, thonë mësuesit në protestë përballë ministrisë së Ekonomisë. Kërkesat e fundit të Trojkës, 2.5 miliardë shkurtime të tjera në vitin 2015, kanë qenë pika e ujit që ka përmbysur vazon. Dhe nata e përplasjeve të dielën mes forcave të rendit dhe manifestuesve në shesh, për të përkujtuar Alexandros Grigoropoulosin dhe në solidaritet me anarshistin Nikos Romanos – i cili ndodhet në grevë urie në jug pasi kërkon të drejtën për të marrë leksione universitare – është një tjetër “spiune” e sëmundjes kolektive. Lideri i Syrizas nuk ka dyshime: “Jemi gati të qeverisim”, ka deklaruar dje, i sigurtë se Samarasi nuk do të arrijë të zgjedhë presidentin dhe që vendi do i japë partisë së tij mandatin për të ngrirë marrëveshjet me BQE, BE dhe FMN si dhe për të mbledhur një konferencë europiane mbi borxhin që të reduktojë ekspozimin e vendeve në krizë. Greqia, por edhe Spanja. Portugalia, dhe ndoshta Italia.
Cfarë do të ndodhë në atë pikë me tregjet dhe me Euron? “Europa e bashkuar duhej të ishte një rreth virtuoz, si ai që ëndërrohej 25 shekuj më parë në këmbët e Akropolit”, vazhdon Simitis. Në fakt është e kundërta, e marta e zezë ka dhënë një indikacion të parë. Brukseli e ka kuptuar prej kohësh se loja e shahut në Athinë rrezikon të hedhë në erë monedhën e përbashkët duke marrë përpara si në një cunam, Romën, Madridin dhe ndoshta Parisin. Dhe që bllokimi në kryeqytetin grek mund të transformohet në kufi për unionin. “Ne nuk do të dalim nga Euro”, është përpjekur t’i hedhë ujë zjarrit Tsipras, duke kujtuar që në vitin 1952 ishte Gjermania që siguroi një ulje për borxhet, me qëllim që të shëronte plagët e luftës dhe nazizmit. Megjithatë, agjenda e tij e javëve të fundit është termometri i alarmit të kuq në Kontinentin e Vjetër: udhëheqësi i Syrizas është pritur nga Mario Draghi, nga Papa dhe nga ministri gjerman i Financave, Schauble. Fajkonjtë e Brukselit, që ndiejnë erën e gjakut, kanë nisur të ngrejnë zërin. Nëse Greqia do të kërkojë ulje për borxhin, thonë ata, do të rikërkohet projekti i një Euroje me dy shpejtësi: veriu virtuoz nga njëra anë dhe gjinkallat e jugut nga ana tjetër.
Një monedhë e fortë dhe një tjetër, e kategorisë së dytë. Guri i varrit mbi unionin monetar është një lloj silure ndaj vendeve në borxh si Italia, që do të gjendeshin përballë një ekspozimi të jashtëm të pamenaxhueshëm.
Optimistët, që me thënë të drejtën nuk janë shumë, provojnë të shohin një tjetër film: Tsipras – thonë – do të shfaqet si një politikan pragmatist edhe sepse nuk do të ketë numrat për të qeverisur i vetëm. “Po ta vini re, ka nisur që tani të moderojë tonet”, vëren ish kryeministri socialist, George Papandreou.
Elektroshoku i Syrizas mund të jetë madje një shërues për Europën. Duke bindur Brukselin të synojë rritjen ekonomike dhe garantojë Greqisë dhe vendeve të tjerë në telashe pak më shumë frymëmarrje sa i përket borxhit. Zgjedhjet e parakohshme, dhe kjo është e bukura e demokracisë, do të tregojnë kush ka të drejtë. Athina ka shpikur Europën. Dhe në javët e ardhshme, Athina do të ketë në dorë fatin e saj./La Repubblica/
SHQIPERUAR NGA www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button