Psikologji

Nëna do të të qëndrojë përherë pranë. Bën mirë ta lexosh këtë shkrim dhe të reflektosh gjatë…

Thuhet se vlerat e personave që na rrethojnë, i kuptojmë më mirë kur i humbim ata. Fatkeqësisht kështu ndodh thuajse përherë. Vetëm pas vdekjes, njerëzit ta kuptojnë vlerën. Shkaku ndoshta është vetmia nga mungesa e atij personi, ndoshta janë kujtimet, apo vetë natyra e ftohtë njerëzore që nuk i pranon dhe vlerëson gjërat në kohë. Por çfarë vlere ka të pohosh mirësinë apo gjithë vlerat e tjera të dikujt, nëse në atë moment ai nuk është më pjesë e kësaj bote?

Paragrafi i mësipërm është një hyrje për atë që do të mund të lexosh më poshtë. Dua të të sjell në mendje një përfundim të thjeshtë të çdo besimi fetar, pasi pikërisht në besim gjen përfundime të sinqerta dhe të pastra. Në secilin prej tyre, pohohet qartë se nëna është një bekim, një dhuratë e Zotit për fëmijët e saj. Mund të thuhet me plot siguri se pas jetës që të është falur, prania e nënës në jetën tënde është dhurata e dytë më e madhe që ke.

Por çfarë ndodh me ne? Ne lindim, kalojmë fëmijërinë duke e dashur nënën, por pa e kuptuar mirë vlerën e saj. Pastaj hyjmë në adoleshencë dhe na hipën vetja në qejf duke e lënduar me fjalët tona nënën që na pret përditë e shqetësuar në shtëpi, sa herë që ne vonohemi. Nuk e mendojmë thënien e popullit se fjalët vrasin më tepër se plumbi, por i besojmë gojës përpara mendjes. Pastaj rritja vazhdon, ne e kuptojmë vlerën e saj, por nuk kemi kohë të qëndrojmë me të, sepse do të ndjekim studimet e më pas do të martohemi e do të krijojmë familjen tonë. Papritur, gjendemi përballë një fatkeqësie të madhe dhe humbasim nënën tonë duke u penduar se nuk kemi kaluar kohën e mjaftueshme me të.

Pendimi në këtë moment është i kotë. Ndaj, unë dua që sot ti të mendosh thellë për çdo gjë që nëna jote ka bërë për ty, për çdo rrethanë kur ajo të është gjendur pranë, për çdo rast kur ajo ka vendosur nevojat e tua përpara nevojave dhe dëshirave të saj. Kupto se në asnjë rast, askush nuk e ka detyruar atë të bëjë zgjedhje të tilla, por të ka dashur ty mjaftueshëm, aq sa për të sakrifikuar për ty. Vlerësoje këtë gjë. Takoje sot nënën tënde, puthe dhe përqafoje atë. Falenderoje për çdo gjë që ka bërë për ty. Bëje këtë gjë sot, përpara se të jetë shumë vonë. Dhuro dashuri! / bota.al

Leave a Reply

Back to top button