Analiza

Nëse Amerika “rrëshket” larg NATO-s

Tani që amerikanët nuk janë më një faktor për t’u konsideruar, mund të pritet që operacionet brenda, kundër dhe përtej Ukrainës të përshpejtohen. Polonia dhe Rumania janë të parat në shënjestër. Më tej, vendet balltike. Pa amerikanët, të gjithë vendet e botës – duke filluar nga ata europianë – duhet të fillojnë të mendojnë se si të mbrojnë sigurinë e tyre, fizike dhe ekonomike. Vende të ndryshme do të kenë ide të ndryshme se si ta bëjnë, dhe shumë prej këtyre ideve do të përjashtojnë njëra-tjetrën. Historia – përfundon Zeihan – po vihet në lëvizje

Në një artikull të kohëve të fundit, strategu dhe eksperti i gjeopolitikës, Peter Zeihan provon të imagjinojë se çfarë do të ndodhë, kur Presidenti Donald Trump do të mbajë premtimin e tij për t’u shkëputur nga NATO, duke i dhënë praktikisht fund aleancës ushtarake të Atlantikut verior.

“Shtetet e Bashkuara mun të rikthehen në strategjinë e politikës së jashtme që kishin para Luftës së Dytë Botërore, një strategji ofensive të përhershme. Pa patur nevojë që të rendë për të mbrojtur cilindo shtet të botës që është në rrezik, ushtria amerikane do të kishte aftësinë për të ndërhyrë kudo, në çdo moment.

Britanikët, pas daljes në Bashkimi Europian, do të kishin një nevojë shumë të madhe për të shtuar operacionet e tyre diplomatike dhe ato të spiunazhit. Theresa May, kryeministrja e Mbretërisë së Bashkuar, ka propozuar të japë të dhënët që prodhojnë operacione të tilla, në këmbim të një afrimi me amerikanët”.

Rreziku më i madh për Europën, sipas Zeihan, vjen nga Moska, që “dëshiron të zgjerohet dhe të rikthehet për të patur kufij të ngjashëm me ata të epokës sovjetike. Tani që amerikanët nuk janë më një faktor për t’u konsideruar, mund të pritet që operacionet brenda, kundër dhe përtej Ukrainës të përshpejtohen”.

(…) Në këtë kuptim, “Polonia dhe Rumania janë në shënjestër. Janë dy nga pesë vendet që rusët ndjejnë se duhet që t’i rifitojnë, të paktën pjesërisht. Pa dhjetëra-mijëra trupa gjermane në tokë polake, nuk ka shpresë për Poloninë. Në qoftë se në Gjermani nuk ndihen në siklet me idenë e të paturit trupa ruse disa qindra kilometra larg Berlinit, epoka e pacifizmit gjerman është duke marë fund tashmë…

Gjermania dhe Turqia janë të vetmet vende në Europë që kanë fuqinë të frenojnë një përparim të rusëve, dhe për momentin janë në një situatë të rrezikshme, ku marrëdhëniet diplomatike formale po përkeqësohen. Tre vendet e fundit të NATO-s, që janë në shënjestër të rusëve janë Estonia, Letonia dhe Lituania. Suedia tani duhet të zgjedhë, nëse do të vazhdojë me politikën e saj të neutralitetit, dhe të rrijë e të vështrojë, ndërkohë që tre shtetet në fjalë ‘vdesin’, apo të reagojë”.

Sa i përket Azisë, në Japoni, “Abe e di se është e mundur që, shumë shpejt vendi i tij të gjejë veten në një konflikt të drejtpërdrejtë me Kinën dhe për këtë arye duhet të sigurohet që amerikanët të jenë, më e pakta, neutralë.

Ndërsa për Pekinin, fakti që amerikanët dalin nga NATO është ndoshta gjëja më e keqe. Nëse amerikanët nuk i kanë më duart e lidhura për të mbrojtur kufijtë tokësorë europianë, mund të shpërndajnë fuqinë e tyre gjetkë.

Pa amerikanët, të gjithë vendet e botës – duke filluar nga ata europianë – duhet të fillojnë të mendojnë se si të mbrojnë sigurinë e tyre, fizike dhe ekonomike. Vende të ndryshme do të kenë ide të ndryshme se si ta bëjnë, dhe shumë prej këtyre ideve do të përjashtojnë njëra-tjetrën. Historia – përfundon Zeihan – po vihet në lëvizje”. / Në shqip nga Bota.al

Leave a Reply

Back to top button