Analiza

Nëse Evropa nuk tregon elasticitet, “do të thyhet”

Screen Shot 2015-06-13 at 17.24.06

Nga Gideon Rachman

Asnjeri nuk do të vlerësojë këtë krahasim, por Aleksis Cipras dhe Dejvid Kameron, ndodhen aktualisht në situata shumë të ngjashme. Kryeministri grek dhe ai britanik, thonë se kanë siguruar një mandat demokratik në vend, për të kërkuar ndryshime në marrëdhëniet e tyre kombëtare me Bashkimin Evropian.

Të dy liderët kanë llogaritur se evropianët e tjerë do të përmbushin kërkesat e tyre, në vend se të rrezikojnë ta shohin Greqinë të largohet nga eurozona, apo Britaninë të braktisë tërësisht BE-në. Por ndërkaq po të dy, po ndeshen me murin e kundërshtive nga Evropa, çka mund t’i çojë ata drejt destinacionit që janë të etur t’i shmangen – Grexit dhe Brexit.

Si grekët, ashtu edhe dhe britanikët kanë zbuluar, se me një argument të bazuar në rezultatet e zgjedhjeve të tyre kombëtare, mund të shkohet shumë larg në unionin 28-anëtarësh. Kur zoti Cipras pohoi se kishte një mandat demokratik, për të kërkuar ndryshime në Evropë, Volfgang Shojble, ministri gjerman i financave, thuhet se i është përgjigjur: “Edhe unë gjithashtu jam zgjedhur nga populli im”.

Por vështirësitë e ndryshimit në Evropë, shkojnë përtej një përplasje të mandateve demokratike kombëtare. Ato janë të rrënjosura në madhësinë dhe kompleksitetin ligjor të BE-së – një organizatë që tanimë është aq e madhe dhe e ngathët, saqe i sheh ndryshimet radikale thuajse të pamundura për t’u vënë në zbatim.

Britanikët, thonë se nëse sigurojnë kryerjen e ndryshimeve që ata duan në BE, për çështje të tilla si emigracioni dhe të drejtat e parlamenteve kombëtare, do të kërkojë ndryshimin e traktatit – që do të thotë ndryshime në dokumentet ligjore themelore të BE-së. Por ndryshimi i traktatit, kërkon marrëveshjen e të gjitha vendeve të BE-së, disa prej të cilave do të mbajnë referendume popullore. Proces i rinegocimit fton gjithashtu çdo anëtar të BE-së, për të dalë me kërkesat e tij në këtë debat. Në vend se të vihet në jetë një perspektivë që krijon ankth, është më e lehtë për BE-në që thjesht të refuzojë të ndryshojë – përveçse në mënyra të vogla apo simbolike.

Është e rëndësishme të kuptohet, se kjo neveri për të ndryshuar, i detyrohet kryesisht meritave të reformave të cilat janë duke u kërkuar. Qeveri të ndryshme të BE-së, kanë pikëpamje të ndryshme mbi atë nëse kërkesat greke apo britanikë janë të arsyeshme. Ka njëfarë simpatie në Francë dhe Itali për argumentet greke, që borxhet e vendit janë të papagueshme, dhe se vijimi i politikave të rrepta të kursimit do të ishte kundërproduktiv.

Ekziston gjithashtu edhe një lloj simpatie në Evropën veriore, për argumentet britanike mbi mirëqenien dhe rritjen e rolit të parlamenteve kombëtare. Por, pavarësisht nga meritat e grekëve dhe rastit britanik, ka një ngurrim të thellë për të hapur kutinë e Pandorës për një reformë të thellë.

Problemet e përfshira nuk janë thjesht ligjore, por edhe politike.

Shqetësimi është se lëshimet e bëra ndaj grekëve apo britanikëve, do të shkaktojnë një reagim të ashpër, me votuesit gjermanë apo hollandezë që do të kundërshtojnë fshirjen e borxhit grek, apo zgjedhësit e zemrëruar polakë nga kufizimet e të drejtave të emigrimit në gjirin e BE-së.

Synimi i një partie radikale të majtë si Syriza ose euroskeptikë si Konvervatorët Britanikë, qëndron tek përfitimi i lëshimeve nga pjesa tjetër e Europës, mund të nxisë partitë ngjashme në të gjithë kontinentin për të dalë me propozime të ngjashme, duke e bërë kësisoj BE-në edhe më e vështirë për t’u menaxhuar.

Për rrjedhojë qeveritë kryesore në Evropë, në veçanti ajo gjermane, janë më të gatshme të marrin në konsideratë Grexit dhe Brexit, sesa që grekët dhe britanike të realizojnë ambicjet e tyre. Qeveria gjermane ka deklaruar prej disa kohësh, se eurozona mund ta përballojë një dalje të Greqisë nga monedha e përbashkët.

Ndërsa kancelarja gjermane Angela Merkel, duket ende e prirur për ta mbajtur Greqinë brenda unonit për arsye gjeopolitike, Ministria e Financave të Gjermanisë, e drejtuar nga zoti Shojble, tanimë duket me e pritur për ta lënë Athinën në rrugën e vet jashtë eurozonës, duke besuar se kjo ngjarje do të ketë një efekt të dobishëm për anëtarët e tjerë të eurozonës.

Pavarësisht nëse ndodh apo jo Grexit, në Gjermani bien dakord se mësimi që dha kriza greke, është se Evropa duhet të jetë edhe më pak elastike, me një eurozonë që kërkon rregulla të ashpra dhe një zbatim më korrektësi të tyre, duke përfshirë mbikëqyrjen më të rreptë të buxheteve kombëtare nga Brukseli.

Problemi britanik, është më pak urgjent sesa ai grek, dhe përfshin më pak para, por një qasje e ngjashme gjermane tashmë është në zhvillim. Kalova një pjesë të javës së shkuar në Gjermani në konferencën Königswinter, e cila ka mbledhur së bashku për 65-vjet, vendimmarrësit britanike dhe gjermane. Atmosfera aty ishte si gjithmonë miqësore dhe e sinqertë.

Markus Ederer, kreu i Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë u tha miqve britanike:”Gjermania do të mbështesë Londrën, edhe nëse kjo e fundit nuk mund të shkojë gjëkundi”. Lejimi i vendeve të BE-së për të zgjedhur parimet që do të ndjekin, do të “frenojë fuqinë e unonit, ndoshta edhe më shumë se duke vazhduar me një bashkim më të vogël, por me grusht të hekurt”.

Kjo dukej si një deklaratë e qetë, por e drejtpërdrejtë, duke paralajmëruar britanikët, se Berlini është i përgatitur për ta parë Mbretërinë e Bashkuar edhe jashtë BE-së, në vend se të rrezikojë koherencën e brendshme të BE-së. Qasja e vështirë e Gjermanisë, është e bazuar tek vlerësimi realist sesa e vështirë do të jetë kryerja e reformave me 28 vendet anëtare të BE – si dhe një neveri të thellë ndaj pengesave në procesin e integrimit në BE.

Por është gjithashtu një koment alarmant mbi paaftësinë e Evropës, për t’iu përgjigjur rrethanave të ndryshuara, siç është tkurrja e ekonomisë greke, apo emigrimi i papritur i milionave njerëzve në të gjithë BE-në. Dështimi për të qenë fleksibël ndaj ndryshimit, është i rrezikshëm. Një Evropë që nuk mund të “përkulet”, ka më shumë shumë gjasa për t’u “thyer”. FT – Bota.al

BKT Reklama

Leave a Reply

Back to top button