Psikologji

Nëse kërkon të ardhme më të mirë, shko jashtë shtetit!

E ardhmja e një vendi varet nga rinia e tij. Nëse sot rinia çalon diku, nesër hendeku në atë aspekt do të jetë shumë herë më i gjerë. Dhe ne jemi të pranishëm në çdo ngjarje të realitetit të hidhur shqiptar. E shohim çfarë ndodh me çdo shtresë shoqërore.
Ne, ose kemi rini ekselente në çdo drejtim, ose kemi rini që “turpëron” prindërit që u kanë dhënë jetë. Ne nuk kemi rini që në heshtje llogarit suksesin e vet për t’u bërë pjesë e asaj ekselencës, sepse kur përpjekjet e saj dështojnë diku, rinia heq dorë dhe ndërmerr një rrugë që s’ka as fillim e as fund. E ku përfundon? Drejt rrugëve kriminale, drejt zgjedhjeve që të rrëqethin kur i dëgjon. Dyshoj se ndonjë prind do të jetë ndjerë i qetë kur ka parë rastin e djalit që u vra për një karikues celulari. E tmerrshme. Nuk ka ngjarje më të rëndë se kjo dhe këtu ngrihen pikëpyetjet më të mëdha nëse edukimi që merr çdo i ri, është i duhuri apo jo.

Nga gjithë vitet e jetës sime, mund të them se nuk ka prind që të dojë ta shohë fëmijën e vet të degradojë në jetë. Sado të rrënuar ta ketë jetën një prind, sërish do të dojë më të mirën për fëmijën e vet. Por ku gjendet në fakt burimi i regresit të një pjese të rinisë shqiptare? Është shumë e thjeshtë. Tek shoqëria dhe tek shteti. Ne kemi shoqëri që krahason një të ri me tjetrin duke mburrur “të mirin” e duke ofenduar atë “më pak të mirin”. Ne jemi në shoqëri që funksionojmë me krahasime, kur në çdo vend të botës i miri vlerësohet, dhe ai më pak i miri inkurajohet të bëhet po aq i mirë e të evidentohet si i pari.
Ne kemi një shtet që të riun e diplomon dhe e lë në mes të katër rrugëve të papunë. Është e dhimbshme të mendosh gjithë mundin dhe shpenzimet e viteve të studimit, gjithë vuajtjet e prindërve për të siguruar një shkollim dinjitoz dhe në fund të rrish vite të tëra i papunë pa ia shpërblyer atyre gjithë sakrificat për shkollimin tënd. Zgjidhja mbetet vetëm të dalësh, të pish një kafe dhe i mërzitur të kthehesh në shtëpi, sepse edhe atë ditë të gënjyen se do të njoftonin në vendin e punës ku ke aplikuar. E kështu ditët kalojnë dhe rinia mbledh mllef brenda vetes…
Ne nuk kemi rini që nuk mendon. E nënvlerësojmë ne atë, por më besoni, nuk ka të ri që do ta shohë prindin e vetë të stërmundohet akoma duke punuar pas shkollimit të fëmijës së tij, por mundësitë që ofron shteti jonë janë tmerrësisht të pakta.

Pra, rinia e ekselencës së viteve të studimit kërkon thjesht një nxitje, sado të vogël, për të shpërthyer gjithë mllefin e grumbulluar brenda vetes e për të kaluar në ekstremin tjetër, atë të një rinia kriminale.
Këtu nuk ka asgjë për të bërë nga prindi dhe kjo është arsyeja se pse shumë prindër sot i luten fëmijëve të tyre të largohen nga ky vend. Imagjinojeni pak sa e vështirë është për një prind ta bëjë diçka të tillë. Ta rrisësh fëmijën tënd dhe kur dëshira për ta pasur sa më pranë të jetë më e madhe, t’i thuash “Shko, se këtu nuk ke të ardhme!”.

Ndoshta jo gjithmonë mund të ndërtohet një ardhme e denjë për rininë, por unë mendoj se rinia mund të “ndërtohet” për një të ardhme më të mirë. / F. Xhafaj – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button