Nga Allison Whitten
Pas 1 viti lodhje nga komunikimi kryesisht online përmes platformës “Zoom” dhe ndërveprimeve sociale që duken si kopje plastike të atyre në jetën reale, pandemia e Covid-19 e ka bërë të qartë se sa e rëndësishme është shoqëria për mirëqenien tonë.
Prandaj,mund të duket kundër-intuitive që për shumë njerëz në SHBA, kjo verë në vend që të sjellë potencialisht rikthimin e një bote post-pandemike më “normale”, po shoqërohet edhe më diçka tjetër:një dozë serioze e ankthit social. Erin Ton, psikologe klinike në Universitetin Shtetëror të Xhorxhias, SHBA, e përshkruan ankthin social si një grup përvojash të ndryshme që shkaktohen nga mundësia e kërcënimi shoqëror në mjedis.
Ajo përshkruan një model të reagimeve ndaj kësaj simptome, nga ato fiziologjike (rrahje të forta të zemrës, djersitje), tek ato njohëse dhe emocionale (mendime rreth rezultateve negative në një situate sociale, shqetësim në rritje), dhe në sjellje (shmangia e kërcënimit). Ton thotë se shumica prej nesh përjetojnë ankth social në doza të vogla. Madje cilësohet si diçka e pazakontë të mos e përjetosh kurrë njëlloj ankthi gjatë gjithë jetës tënde.
Pavarësisht se ku mund të përfshiheni në spektrin e ankthit social, ka të ngjarë që pandemia t’ju ketë bërë të keni frikë nga disa situata shoqërore për të mbrojtur shëndetin tuaj. Por këto përgjigje të ankthshme kanë ekzistuar tek njerëzit shumë kohë përpara pandemisë, dhe do të mbesin edhe më pas.
Ton thotë se nëse ne mund të gjejmë arsyet evolucionare, kjo mund të na ndihmojë të ndryshojmë kontekstin dhe t’i trajtojmë më mirë individët. Teoritë evolucionare tregojnë përvojën e ankthit social si një përshtatje të evoluar që lindi për të rritur shanset e një individi për të mbijetuar dhe riprodhuar në mjedisin e tij.
Gjatë dekadave të kaluara, janë zhvilluar 2 teori kryesore për të shpjeguar se si ankthi social mund t’i kishte ofruar njeriut një avantazh. E para është një model i bazuar tek konkurrenca sociale, që thotë se ankthi shoqëror evoluoi gjatë kohës që paraardhësit tanë jetonin në struktura shoqërore me hierarki të qartë dominimi midis anëtarëve.
Dhe për të mbijetuar në këtë lloj mjedisi konkurrues, individët e shqetësuar nga shoqëria do të kishin qenë në gjendje të zbulonin më mirë kërcënimet e dhunës ose veprimet që mund t’u kushtonin atyre humbjen e statusin në atë hierarki. Individët me një “gradë më të ulët”, mund të kenë përfituar veçanërisht nga ankthi shoqëror si një mënyrë për të ruajtur statusin e tyre, pasi ata ishin më të rrezikuar për t’u dëbuar nga grupi.
Teoria e dytë bazohet në modelin e përjashtimit shoqëror, ku ankthi social do të ketë shërbyer si një sinjal paralajmërues për individin se ai është i rrezikuar të refuzohet apo përjashtohet, pavarësisht nëse grupi ekzistonte në një hierarki dominimi.
Këtu, fokusi është në mbrojtjen e të gjitha marrëdhënieve ndër-personale, të rregulluara nga një “sociometër” personal si një matës që mat se sa të vlerësuar jeni në marrëdhëniet tuaja. Por vetëm sepse ankthi shoqëror mund të ketë evoluar si një tipar përshtatës për të na ndihmuar të mbijetojmë, kjo nuk do të thotë se ai funksionon në të njëjtën mënyrë në botën tonë moderne.
Ton thotë se rreziqet e mbijetesës tani kanë ndryshuar, por përvoja e ankthit social nuk ka ndryshuar. Në kohën e Neandertalit, thotë ajo, largimi nga grupi nënkuptonte se kishte shumë të ngjarë që personi në fjalë të vdiste. Sot, nuk është kështu (të paktën për shumicën e njerëzve).
“Por ne ende reagojmë sikur rreziqet të jenë po aq të mëdha”- theksoj ajo. Një studim thekson se edhe mijëra vjet më vonë, sjellje të tilla mund të përputhen me parashikimet e teorive evolucionare. Ndërkohë, në vitin 2020 u shfaq një model i ri evolucionar i ankthit shoqëror.
Modeli i ri sugjeron se ankthi social i evoluar zhvillohet gjatë fëmijërisë si një përshtatje e kushtëzuar, që e përgatit individin për kushtet e ardhshme.
Në rastin e zhvillimit të ankthit shoqëror, ku model shpjegon se kur ambienti juaj i fëmijërisë është i mbushur me shenja të kërcënimit shoqëror, ka të ngjarë që mjedisi juaj i ardhshëm të jetë gjithashtu kërcënues në aspektin social. Ndaj, zhvillimi i ankthit shoqëror gjatë fëmijërisë, mund t’ju bëjë më të përgatitur për t’u përballur me ato sfida në moshë madhore. / “Discover Magazine” – Bota.al