
Tim Wu
Drejtuesit e biznesit e përsërisin shpesh se, nëse ka diçka që duan nga ligji, ajo është siguria juridike, rregulla të qarta mbi të cilat mund të planifikojnë. Nëse është kështu, atëherë ata duhet të jenë të kënaqur të dëgjojnë se plani i Netflix për të blerë “Warner Bros. Discovery” është i paligjshëm sipas ligjit amerikan, ashtu siç është edhe oferta konkurruese e Paramount për ta blerë atë.
Ligji Clayton i vitit 1914, i dyti ndër ligjet kryesore antitrust të Shteteve të Bashkuara, ndalon blerjet dhe bashkimet kur efekti i tyre “mund të zvogëlojë në mënyrë të konsiderueshme konkurrencën, ose të priret të krijojë një monopol”. Sipas udhëzimeve të Komisionit Federal të Tregtisë (FTC) dhe Departamentit të Drejtësisë, të dyja marrëveshjet krijojnë “një prezumim paligjshmërie”.
Disa thonë se marrëveshja me Netflix, e cila nuk përfshin CNN-in dhe kanale të tjera kabllore, duhet megjithatë të mbështetet, sepse Paramount do të ishte një blerës edhe më i keq. Argumenti është se David Ellison, drejtori ekzekutiv i Paramount, kërkon të ndërtojë një “perandori të keqe mediatike” duke përdorur paratë e të atit dhe të shkatërrojë CNN-in, i cili është në pronësi të “Warner Bros. Discovery”. Babai i tij, Larry Ellison, është një nga njerëzit më të pasur në botë dhe një donator i rëndësishëm republikan afër presidentit Trump. Nëse Trump kundërshton bashkimin Netflix–”Warner Bros. Discovery”, të cilin ai e ka përshkruar si “një problem të mundshëm” atëherë, sipas kësaj logjike, Netflix duhet të jetë një blerës më i mirë sesa Paramount.
Por një sistem i bazuar në rregulla nuk mund të funksionojë në këtë mënyrë. Çdo bashkim i tillë do të ishte i dëmshëm për vendin, dhe të dyja duhet të kundërshtohen nga autoritetet antitrust. Mesazhi për Warner Bros. Discovery duhet të jetë: Nëse patjetër duhet të shisni, përpiquni të gjeni një blerës që nuk është një konkurrent i drejtpërdrejtë.
Bashkimi i propozuar mes Netflix dhe “Warner Bros. Discovery” do të ishte i dëmshëm jo vetëm ekonomikisht, por edhe në aspektin e krijimtarisë kulturore. Në afat të gjatë, blerja e Warner Bros. ndoshta do të ishte po aq e dëmshme për Netflix sa edhe për vetë Warner Bros. Bashkimi i rivalëve të afërt zakonisht përfundon kështu.
Që prej themelimit në vitin 1923, Warner Bros. ka vënë baste të guximshme, si në aspektin e biznesit, ashtu edhe atë të krijimtarisë. Në fund të viteve 1920, ishte studioja e parë e madhe që realizoi filma me zë. Në vitet 1950, ishte një nga të paktat që investoi fuqishëm në televizion. Në vitet 1970, kompania më e madhe Warner ishte pioniere e filmave me superheronj dhe, duke filluar nga fundi i viteve 1990, divizioni i saj HBO praktikisht shpiku televizionin premium me seriale si “The Sopranos” dhe “The Wire.” Shumë nga hapat e veta kanë qenë kundër rrymës, si zhvillimi i Looney Tunes si një alternativë më e çmendur ndaj animacionit të Disney-t. Pikërisht këtë duhet të bëjë konkurrenca: të detyrojë kompanitë të gjejnë një stil dhe një hapësirë unike për veten.
Netflix, nga ana e tij, është inovatori më i madh i medias në dekadën e fundit. Duke kapërcyer origjinën e tij modeste si një shërbim DVD-sh me postë, ai arriti të ketë sukses aty ku dështuan përpjekjet e mëhershme për të bashkuar internetin me industrinë e argëtimit (si në rastin e Microsoft-it). Netflix vërtetoi se transmetimi online mund të jetë një model biznesi i qëndrueshëm. Ai gjithashtu, mirë apo keq, krijoi modelin e publikimit të të gjitha episodeve njëherësh (me “House of Cards”) dhe prodhimet origjinale globale (si “Squid Game”).
Nëse Netflix dhe “Warner Bros. Discovery” do të bashkoheshin, mund të krijohej një “printues parash”, por e tëra do të vlente më pak se pjesët e saj të marra veçmas. Netflix ka sugjeruar se mund ta mbante HBO-në si një njësi të ndarë, por cila kompani mëmë lejon degën e saj ta tejkalojë apo ta mposhtë në garë? Rezultati më i mundshëm do të ishte një humbje e stilit dhe identitetit të veçantë të të dyja palëve.
Në mënyrë më teknike, zbatuesit e ligjit antitrust do të vënë në dukje se të dy kompanitë janë konkurrente të drejtpërdrejta në shërbimet premium të transmetimit, ku Netflix është numri 1 dhe HBO–Discovery renditet në vend të 3-të ose të 4-t, sipas sistemit të renditjes që përdoret. Bashkimi i tyre do të eliminonte një rival të drejtpërdrejtë. Kjo dëmton konsumatorët, sepse e bën më të lehtë rritjen e çmimeve, dhe dëmton krijuesit e filmave e serialeve, sepse zvogëlon numrin e blerësve potencialë. Kur seriali i radhës me peshë, një tjetër “The White Lotus”, fjala vjen, të jetë gati për prodhim, pritet që Netflix dhe HBO të konkurrojnë për të. Eliminimi i njërës prej tyre përputhet saktësisht me përkufizimin klasik të humbjes së konkurrencës në politikat antitrust.
Mundet që Netflix të argumentojë se konkurrentët e tij të vërtetë janë YouTube dhe TikTok, të cilat “Warner Bros. Discovery” nuk i zotëron. Ky arsyetim bazohet te një ekuivalencë e rreme: ideja se, përderisa shikimi i “The Wire” dhe shikimi i një videoje në TikTok përfshijnë një imazh të lëvizshëm, atëherë ato janë rivale për vëmendjen tonë. Kjo është pak a shumë si të pretendosh se Maxim’s dhe Pizza Hut janë konkurrentë thjesht sepse të dyja shërbejnë ushqim në këmbim të parave. Ligji nuk mund të jetë aq absurd.
Blerja e “Warner Bros. Discovery” nga Paramount nuk do të ishte aspak më e mirë. Përveç mbivendosjes së madhe në shërbimet e transmetimit online, Paramount dhe Warner Bros. janë konkurrentë të drejtpërdrejtë si studio të mëdha filmike me filma në kinema. Qeveria federale, nëse ndjek rregullat, duhet të sfidojë një bashkim të tillë. Nëse qeveria federale tërhiqet, ndoshta, siç kanë frikë disa, për shkak të afërsisë mes Trumpit dhe familjes Ellison, atëherë ka shumë mundësi që Kalifornia të ndërhyjë vetë për të mbrojtur punonjësit e industrisë filmike.
Pse po shitet “Warner Bros. Discovery”? Ajo po ndahet nga kanalet e saj kabllore, prandaj arsyeja nuk lidhet me biznesin e vet thelbësor, divizionet e transmetimit janë fitimprurëse, por me kostot e rënda të bashkimeve të mëparshme të paarsyeshme. Blerja katastrofike e Warner Bros. nga AT&T në vitin 2018 (dhe dështimi i një gjykatësi për ta ndaluar atë) e nisi këtë proces. Më pas, AT&T e shkëputi Warner Bros. dhe e bashkoi me Discovery në vitin 2022, duke i ngarkuar kompanisë së re miliarda dollarë borxh nga financimi i bashkimit. Vendimmarrja e shtyrë nga egoja dhe nga fryrja e kotë, mallkimi i manjatëve, e ka krijuar këtë rrëmujë, dhe jo parimet e shëndosha të biznesit.
Megjithatë, “Warner Bros. Discovery” vazhdon të fitojë para me përmbajtje që miliona amerikanë duan ta shikojnë. Kompania ruan, në themelin e saj, shpirtin pionier të vëllezërve themelues dhe do të jetë më e fortë pa divizionet e veta kabllore. Pasi të gjejë një blerës që nuk është konkurrent ose pasi të marrë tarifën prej 5.8 miliardë dollarësh që oferta e detyron Netflix-in të paguajë nëse rregullatorët e bllokojnë marrëveshjen, ajo do të jetë në pozitë të mirë për t’u ringritur, me kusht që ligji të bëjë detyrën e vet. / NYT – Në shqip nga bota.al



