Analiza

Nga Gdansku në Donetsk

Nga një grup intelektualësh polakë*
Le Monde

Putin-Poroshenko“Të vdesësh për Gdanskun”. Kjo frazë simbolizon qëndrimin e Evropës perëndimore përballë luftës që shpërtheu shtatëdhjetë e pesë vjet më parë. Franca dhe Mbretëria e Bashkuar i dhanë tri herë dritën jeshile diktatorit gjerman. As Anschluss-i, as pushtimi i Sudeteve, as shkatërrimi i Çekosllovakisë nuk i sollën Hitlerit pasoja serioze.
Kur më 1 shtator 1939, në zgjatjen e paktit gjermano-sovjetik, të shtënat e para u dëgjuan në Gdansk, perëndimorët vendosën të mos bëjnë asgjë për këtë “drôle de guerre”. Kështu, ata i dhanë Hitlerit dritën jeshile për të katërtën herë, duke menduar se me çmimin e Gdanskut, do të shpëtonin jetën e tyre.  Kryeqyteti i ardhshëm që u pushtua ishte Parisi, më pas bombat ranë mbi Londër. Vetëm atëherë ata filluan të bërtasin: “Ndal” dhe “Kurrë më!”
Kjo politikë egoiste dhe dritëshkurtër e evropianëve përballë agresorit nuk mund të përsëritet më. Por evoluimi i ngjarjeve të fundit ngjet me vitin 1939. Rusia shtet agresiv, pushton një pjesë të territorit të fqinjit ukrainas: Krimenë. Ushtria dhe shërbimet speciale të presidentit Putin, duke ndërhyrë incognito, operojnë në lindje të Ukrainës, duke mbështetur formacionet që terrorizojnë popullsinë dhe kërcënojnë për pushtim.
“Ostpolitika” e re
Megjithatë,  e reja në krahasim me vitin 1939  është se agresori ka arritur me sukses të tërheqë politikanë dhe biznesmenë, ndërkohë që partnerët e tij perëndimorë besonin akoma në “fytyrën e tij njerëzore”. Lobi i formuar ndikon politikën e shumë vendeve. U fol për “Russia first” (“e para Rusia”) dhe madje Russia only (“e vetmja, Rusia”). Por tani kjo ra poshtë. Evropa, që sot e tutje,  me shumë urgjencë ka nevojë për Ostpolitik-ë të re .
U bëjmë një apel urgjent bashkëqytetarëve tanë dhe shteteve evropiane.
Presidenti i Republikës Franceze François Hollande, gjendet përpara përpjekjes  për të bërë një hap që do të ishte shumë më i rëndë se sa pasiviteti i Francës në vitin 1939.
Në javët e ardhshme, Franca është gati të bëhet i vetmi shtet evropian që ndihmon agresorin: Parisi don t’i lëvrojë Rusisë së Putinit dy anije mbajtëse helikopterësh “Mistral”. Ky bashkëpunim ka filluar në vitin 2010 dhe në atë periudhë filluan dhe protestat. Nicola Sarkozy president në atë kohë, kishte zakon ta priste shkurt duke përsëritur “lufta e ftohtë ka përfunduar”
Aktualisht lufta e hapur në të vërtetë ka filluar. Nuk ka asnjë arsye që të nderohet  e vjetra. Politikanët dhe Bernard-Henri Lévy (filozof francez) i kanë propozuar tashmë Francës t’i shesë anijet e saj ose NATO-s, ose Bashkimit Evropian (BE).
Në se Hollande nuk ndryshon memdim, qytetarët e Evropës do të duhet ta bindin atë për këtë duke bojkotuar produktet franceze.
Qysh në vitin 1982, Gjermania (atëherë RFGJ) kishte filluar të mvarej nga gazi rus, pavarësisht paralajmërimeve kundër instalimit të tubacioneve të reja, duke i cilësuar ato  “instrumente shantazhi” potencial. Por gjermanët qoftë për arsye të një kompleksi faji, qoftë duke besuar në “mrekullinë ekonomike ruse”, vlerësonin bashkëpunimin me Moskën.
E gjithë kjo në emër të një tradite fatkeqe gjermane, sipas së cilës, në Lindje nuk diskutohet veçse me një partner, Rusinë. Kështu, ndërmarrje që i përkasin shtetit rus apo oligarkëve të tij janë vendosur në Gjermani.
Berlini duhet ta frenojë këtë lloj varësie, prapa së cilës fshihen gjithmonë presione politike. Të gjithë evropianët dhe çdo vend do të duhet të marrin pjesë në aksionet në ndihmë të Ukrainës së kërcënuar. Qindra refugjatë të lindjes së Ukrainës dhe të Krimesë kanë nevojë për ndihmë. Ekonomia e saj është dobësuar mjaft si pasojë e kontratave të bëra me kushte dragoniane me gjigantin rus Gazprom, i cili është në pozicion monopoli në tregun energjitik. Ekonomia ukrainase ka nevojë për partnerë të rinj tregtarë.
Për shumë vite, BE-ja i ka bërë të kuptojë Ukrainës se ajo nuk kishte asnjë shans ta bënte anëtare të saj, as dhe të përfitonte ndonjë ndihmë, veçse simbolike. Politika e “Partneritetit lindor” nuk ndryshuar gjë të madhe. A është kjo një mjet që përdoret nga halli? Gjithsesi këto pyetje kanë krijuar dinamikën e tyre. Për herë të parë në histori, qytetarët e një vendi po vriten nën plumbat  me flamurin evropian në dorë. Nëse Evropa nuk tregon asnjë solidaritet me ata, kjo do të thotë që idealet e lirisë dhe të vëllazërisë, të trashëguara nga Revoluicioni francez, nuk përfaqësojnë asgjë për të.
Ukraina ka të drejtën të mbrojë si territorin e saj, ashtu dhe qytetarët e saj  dhe t’i përgjigjet një agresioni të jashtëm me ndërhyrjen e forcave të saj të policisë dhe ushtrisë, përfshirë këtu në rajonet kufitarë me Rusinë.
Si në rajonin e Donetskut, ashtu dhe në pjesën tjetër të vendit mbretëronte nga viti 1991 deri në vitin 2014 një paqe e qëndrueshme. Vladimir Putini, duke çliruar djajtë e luftës dhe duke testuar një tip të ri agresioni, e shndërron Ukrainën në fushë manovrash, me imazhin e luftës civile në Spanjë.
Ata që nuk i thonë Putinit “No pasaran!” e ekspozojnë BE-në në një gjëndje groteske, duke lejuar destabilizimin e rendit botëror.
Asnjeri nuk e din cili do ta drejtojë Rusinë pas tri vitesh. Nuk dihet se çfarë do të ndodhë me elitën aktuale në pushtet, përgjegjëse e kësaj politike aventuriere dhe në kundërshtim me interesat e popullit të saj. Por ajo që dihet është se: ai që vazhdon të bëjë business as usual rrezikon vdekjen e mijëra ukrainasve dhe rusëve, eksodin e qindra-mijëra refugjatëve, si dhe sulme të reja të imperializmit putinian kundër shteteve të rinj.
Dje  Gdansku, dhe sot Donetsku, nuk mund të pranohet që Evropa në vitet që do vijnë të ketë një plagë të hapur e cila rrjedh gjak.
Gdansk, 1 shtator 2014.
Nënshkruesit e këtij apeli janë një grup inteletualësh polakë: Władysław Bartoszewski; Jacek Dehnel; Inga Iwasiów; Ignacy Karpowicz; Wojciech Kuczok; Dorota Masłowska; Zbigniew Mentzel; Tomasz Różycki; Janusz Rudnicki; Piotr Sommer; Andrzej Stasiuk; Olga Tokarczuk; Ziemowit Szczerek; Eugeniusz Tkaczyszyn-Dycki; Magdalena Tulli; Agata Tuszyńska; Szczepan Twardoch; Andrzej Wajda; Kazimierz Wóycicki; Krystyna Zachwatowicz.
PERSHTATUR NE SHQIP NGA BOTA.AL

Leave a Reply

Back to top button