Analiza

NGA MOSKA / Kështu e shohin rusët krizën

keshtu e shohin ruset krizenAktivizmi i Putinit në politikën e jashtme shihet këtu – nga elitat dhe nga një shumicë e madhe e opinionit publik – si një rikthim i krenarisë ruse: një nacionalizëm legjitim dhe patriotik, që e rimerr projektin imperial atje ku e kishte lënë jo Gorbacovi, por Car Nikolla II. Dhe kështu, na shpjegon përpara një shishe birre një prej politologëve më të mirë në qarkullim

MARTA DASSÙ

Moska me diell. Dhe me trafikun në rugën Tverskaja, me kafetë dhe restorantet e mbushur me njerëz. Ata njerëz, klasa e mesme që rritet, që vetëm pak muaj më parë ishin krejt e pakënaqur me Putinin por që sot, pas aneksimit të Krimesë dhe trazirave në Ukrainë, duartrokasin Carin e Kremlinit.

E tregojnë sondazhet e qendrës “Levada”, që i shkakton pak bezdi pushtetit rus, por që pushtetin nuk e prek – këtë na thotë interlokutori ynë, një prej “sondazhierëve” më të njohur në Moskë – sepse edhe një lloj regjimi si ai i Rusisë së sotme ka nevojë të dijë se çfarë mendojnë njerëzit. Cfarë mendojnë rusët?

Misioni ynë në Moskë, i organizuar nga Këshilli Europian për Marrëdhëniet me Jashtë zgjat vetëm disa ditë dhe parashikon vetëm takime joqeveritarë. Në teori, shumë pak për të krijuar një ide. Por ndonjë sinjal e kap: dhe bëhet fjalë për sinjale që shkojnë të gjithë në të njëjtin drejtim. Po përpiqem t’i vë në radhë.

I pari: Aktivizmi i Putinit në politikën e jashtme shihet këtu – nga elitat dhe nga një shumicë e madhe e opinionit publik – si një rikthim i krenarisë ruse: një nacionalizëm legjitim dhe patriotik, që e rimerr projektin imperial atje ku e kishte lënë jo Gorbacovi, por Car Nikolla II. Dhe kështu, na shpjegon përpara një shishe birre një prej politologëve më të mirë në qarkullim, nuk duhet ta shohim si një tjetër Luftë të Ftohtë: BRSS ka marrë fund një herë e mirë. Megjithatë, duhet të përgatitemi për një periudhë të gjatë dhe të vështirë konkurrence mes Rusisë, e cila u ndie e poshtëruar dhe e mënjanuar që nga viti 1991, dhe Perëndimit që nuk mund të zgjerojë më tej zonën e tij të influencës në kufijtë lindore, pa hasur në rezistencë. Ukraina është një fotografi dhe shprehje e drejtpërdrejtë e këtij tensioni.

I dyti: projekti neo-imperial i Kremlinit, thonë interlokutorët tanë, i përjashton vendet balltike, anëtarë të NATO-s. Eshtë një pikë e rëndësishme, duke parë edhe tonin etnik (mbrojtja e rusëve jashtë Rusisë) të projektimit të Kremlinit. Përfshin jo vetëm Krimenë (siç ishte evidente për ata që kishin studiuar më shumë se dy shekuj të historisë së flotës ruse në Sevastopul), por edhe Ukrainën Lindore dhe atë pjesë të Kaukazit që Rusia ka ndërmend ta integrojë në Unionin Euroaziatik. Sfida ndaj rendit europian të pas 1989-ës është mbi parimet dhe është psikologjike, para se të jetë ushtarake. Për këtë arsye, është një sfidë sistemike me risk të lartë, që duhet menaxhuar me shumë vëmendje dhe nuk duhet nënvlerësuar.

I treti: ka një dozë të fortë vetëkënaqësie – në Moskë flasim në anglisht, pavarësisht gjithçkaje – mbi ekonominë e krizës. Teza dominuese është që sanksionet, edhe nëse do të ahspërsoheshin, do ta ndihmonin Putinin që të “riatdhesonte” një pjesë të kapitaleve që tashmë janë të shpërndarë në Europë. Domethënë, të rishtetëzonte ekonominë, duke vënë sërish nën kontroll oligarkët e vjetër dhe të rinj. Ne europianët, kjo gjë pak na bind: por duke qenë se të paktën për momentin sanksionet nuk do të forcohen, është një argument pa shumë lidhje. Në ndërkohë, strategjia e “modernizimit” duket se është zhdukur nga fjalori.

I katërti: çfarë do të ndodhë tani në Ukrainë, mes trazirave dhe frikës për një luftë civile shkatërrimtare? Prova politike janë zgjedhjet e 25 majit, që Moska ka një interes të dukshëm që të mos i mundësojë në të gjithë vendin. Në mënyra të ndryshme, me fjalë të ndryshme, teza e rusëve është gjithmonë e njëjta: e vetmja zgjidhje e pranueshme dhe e negociueshme për Kremlinin – si alternativë ndaj një ndarjeje të dhunshme – është një Federatë ukrainase: një Federatë shumë e lirshme, me thënë të vërtetën, e garantuar prej marrëveshjeve ndërkombëtare. Prej këtu, Rusia është e vendosour të luajë kartat e saj pa hequr vija të kuqe: loja është e fortë, të panjohurat janë të mëdha, duke përfshirë peshën e provokimeve lokalë. Eshtë një bast me risk të lartë.

I pesti dhe i fundit: pak metra larg nga hoteli ku ndodhemi, është selia e delegacionit të Komisionit Europian. Ambasadori, në ditë si kjo, është larguar. Zëvendësi i tij na pret me mirësjellje. Por, është një konfirmim i trishtë fakti që ambasadori është larguar, mu në mes të fazës më kritike të tensionit mes Moskës dhe Ukrainës. Një konfirmim që na e thonë të gjithë rusët që takojmë, në rrugë dhe në zyra: është një lojë që po e luajmë me SHBA. Europës, Putini i ka dërguar një letër të thatë mbi eksportet e gazit. E parë nga Moska, Europa e ndarë nuk është një interlokutor strategjik. (La Stampa)

Leave a Reply

Back to top button