HistoriHorizonti.al

Nga ndarja e tokave biblike, tek shmangia e ekzekutimit në Romë, historia e gjatë e llotarive

Një nga shembujt më të hershëm të llotarisë, gjendet në Dhiatën e Vjetër. Për shembull, toka e Kanaanit u nda midis izraelitëve me short. Një shembull tjetër i llotarisë së hershme, mund të gjendet në qytetin grek të Athinës, ku shumica e zyrtarëve qeveritarë, zgjidheshin me short. Qytetarët meshkuj mbi moshën 18 vjeç, kishin të drejtën ligjore të vendosnin emrat e tyre në një llotari, dhe emrat e atyre që tërhiqeshin do të emëroheshin në detyrë.

Një tjetër shembull i një llotarie të lashtë, ishte dhjetimi romak. Kjo ishte një formë e drejtësisë ushtarake, që synonte ndëshkimin e njësive të shpallura, fajtore për frikën ose mosbindjen ndaj komandës. Në vend se të ndëshkonte të gjithë njësinë, një llotari do të përzgjidhte një numër njerëzish që do të ekzekutoheshin.

Baige Piao në Kinë

Llotaritë e përmendura më sipër, kanë pak ngjashmëri me ato që njohin sot njerëzit. Gjatë Dinastisë Han në Kinë, ekzistonte një llotari e njohur si ‘Baige Piao’ (që do të thotë ‘bileta e bardhë e pëllumbit), e cila është ekuivalenti i lashtë i llotarive të sotme kombëtare me gogla. Popullariteti i kësaj llotarie, i lejoi qeveritë provinciale në Kinën e dinastisë Han, që ta përdorin atë si një mjet për të mbledhur fonde për projekte ushtarake ose publike. Thuhet gjithashtu shpesh se kjo llotari ndihmoi në financimin e ndërtimit të një pjese të Murit të Madh kinez.

Një llotari në vend të taksave

Në Perëndim, përdorimi i llotarive për financimin e projekteve publike, mund të gjurmohet deri në sundimin e perandorit romak August. Gjatë mbretërimit të tij, Roma kishte nevojë urgjente për riparime. Por perandori, nuk mund të rriste taksat, pasi njerëzit tashmë ishin tatuar, dhe nëse taksat do të rriteshin më tej, do të shpërthenin trazirat.

Prandaj, ai çeli një llotari, e cila jo vetëm që siguroi fondet që i duheshin Augustit, por rriti edhe popullaritetin e tij. Megjithatë ndryshe nga llotaritë moderne, çmimet e dhëna për fituesit e llotarisë nga perandori nuk ishin para, por objekte të vlefshme, prona dhe madje skllevër.

Kur filluan llotaritë ku fitoheshin para?

Vetëm gjatë shekullit XV-të, llotaria arriti formën e tij moderne. Fituesve iu jepeshin shpërblime në formën e parave. Megjithëse nuk është krejtësisht e sigurt, se kur filloi dhëna e parave për fituesit e llotarisë, ka dy pretendentë të mundshëm – qyteti i Bryzhit në Belgjikë në vitin 1466, dhe qyteti italian i Modenës më 1476.

Në Bryzh, llotaria u përdor për të mbledhur para për fortifikimin e mbrojtjes së qytetit, ose për sigurimin e ndihmës për të varfërit. Në Itali, llotaria u bë jashtëzakonisht popullore. Përkundër kundërshtimit të Kishës Katolike Romake, e cila e konsideronte atë si një aktivitet mëkatar, llotaria u përhap me shpejtësi edhe në qytete të tjera. Llotaritë në Itali, ndihmuan jo vetëm në mbledhjen e fondeve për projektet e punëve publike, por u përdorën gjithashtu edhe për përfitime personale.

Llotaria e parë në Angli

Në Angli, llotaria e parë mbarëkombëtare u mbajt në 1567, gjatë sundimit të Mbretëreshës Elizabeta I. Ajo synonte ngritjen e fondeve për ndërtimin e anijeve dhe zhvillimin e porteve, gjë që do ta lejonte Anglinë të zgjeronte tregjet e saj të eksportit. Biletat e llotarisë u shitën për 10 shilinga secila, e cila ishte gjithsesi një shumë e madhe për kohën.

Çmimi i parë kishte një vlerë prej 5000 paund, i paguar pjesërisht në para të thata dhe pjesërisht në pllaka ari apo veshje të shtrenjta. Përveç kësaj, të gjithë ata që blinin bileta u garantohej lirimi nga arrestimi për të gjitha krimet, përveç vrasjes, krimeve, piraterisë dhe tradhtisë.

Llotaria vazhdon si një praktikë e qeverive për të siguruar fonde

Në shekujt e mëvonshëm, llotaria mbeti shumë popullore, pasi ishte një mënyrë e shkëlqyer e rritjes së të ardhurave në arkën e shtetit, pa rritur taksat. Për shembull, llotaria u përdor për të mbledhur para gjatë epokës koloniale në Shtetet e Bashkuara, si dhe nga Etërit Themelues më vonë, dhe nga monarkia franceze gjatë shekullit XVIII-të.

Megjithatë, ato u nxorrën jashtë ligjit në një numër vendesh. Për shembull në Francë, llotaria

u ndalua në vitin 1836, me arsyetimin se ajo shfrytëzonte të varfërit, ndërsa disa shtete në Amerikë e nxorrën jashtë ligjit llotarinë gjatë viteve 1870. Llotaria u anulua gjithashtu edhe në Britaninë e Madhe më 1826-ën. Megjithatë më vonë llotaria, do të riniste në këto vende gjatë shekullit XX-të.

ancient origins – bota.al

Leave a Reply

Back to top button