Analiza

Nga Rusia, me shqetësim: Përgjigje për një mik amerikan

Screen Shot 2015-04-08 at 10.05.28

Ivan Timofeev

Letër-përgjigje e hapur nga Ivan Timofeev, Drejtor Programesh në Këshillin Rus të Cështjeve Ndërkombëtare, drejtuar homologut të tij amerikan, Robert E. Berls Jr.

I dashur Bob,

Faleminderit për letrën tënde të sinqertë dhe miqësore. Kolegët e mi dhe unë e kemi vlerësuar gjithmonë mendimin tënd si një oficer, akademik dhe diplomat me përvojë. Vec kësaj, unë e di fare mirë që ti asnjëherë nuk i shtrembëron fjalët, dhe nuk shpreh kollaj opinione. Nëse një person me staturën tënde profesionale bën një deklaratë, ajo kërkon vëmendje të madhe. Jam dakord se rrjeta e problemeve kërkon një debat gjithëpërfshirës. Kjo letër është përgjigja ime ndaj propozimit tënd për dialog.

E kuptoj pesimizmin tënd në lidhje me gjendjen e marrëdhënieve SHBA-Rusi. Më beso, situata nuk është më pak alarmante në Moskë, se sa është në Uashington. Për më tepër, nervozizmi do të ishte edhe më akut, nëse problemi do të ishte i kufizuar vetëm tek Ukraina. Kam frikë se problemi është më i gjerë në shtrirje. Ngjarjet në Ukrainë dhe përkeqësimi i madh i marrëdhënieve tona janë vetëm një simptomë e një sëmundjeje më të thellë. Nuk është as e para, as e vetmja. Arsyet janë më të thella, dhe pasojat e tyre mund të jenë katastrofike.

Në fundin e Luftës së Ftohtë, SHBA iu paraqit një shans unik për të udhëhequr komunitetin ndërkombëtar. Idealisht, bëhej fjalë për rolin e Amerikës si e parë mes të barabartëve në botën e re shumëpolare. Për të udhëhequr përmes shembullit, jo forcës. Një udhëheqje e tillë bartte përgjegjësi të madhe, sigurisht. Bota po bëhej më e ndërlikuar dhe më pak e prirur për zgjidhje “shabllone” për të gjithë. 

Udhëheqja në këtë botë shumëpolëshe kërkonte burime të mëdha, ekspertizë diplomatike dhe risi në manovrime. Dhe të mos harrojmë gjënë më të rëndësishme: një udhëheqje e tillë kërkonte veprime të përbashkët dhe bashkëpunim të efektshëm. Përgjegjësia kërkohej të ndarë me qendrat e tjera të pushtetit, përfshirë Rusinë.

Për fat të keq, shansi për të udhëhequr “rrëshkiti mes gishtërinjve” dhe ne ngelëm në testin e bashkëpunimit. Vendet e mungesës së stabilitetit tashmë po shumëfishohen me cdo ditë që kalon. Pa arritur që të shihnim në Ukrainën Lindore një rreze të zbehtë shprese, ja ku ndodhi që Lindja e Mesme u përfshi edhe një herë nga një tjetër zjarr. Terrorizmi ndërkombëtar nuk është zhdukur. Cekuilibrat globalë po bëhen më të fortë. Dhe në këtë sfond, ne tregojmë muskujt, vazhdojmë me intrigat tona, kërcënojmë njëri-tjetrin me luftë, dhe me dëshirë i ushqejmë flakët që rriten.

Ka një rrezik të madh në dëmtimin pa kthim të stabilitetit strategjik. Jam thellësisht i shqetësuar për lidhjen e konflikteve tona lokale me marrëveshjet globale mbi raketat bërthamore. Ajo cështje ka mbetur gjithmonë mbi tryezë, pavarësisht se sa të shumtë apo kompleksë kanë qenë problemet e tjerë që na kanë dalë. Populli rus dhe ai amerikan e di mirë se nga kjo cështje varet fati i njerëzimit.

Por tani situata po ndryshon. Ligji i Mbështetjes së Lirisë së Ukrainës i kushton një paragraf të vecantë pajtueshmërisë me Traktatin e Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme. Sigurisht ne nuk e shohim njëri-tjetrin në sy, në lidhje me raketat me rreze të mesme dhe të vogël veprimi. Një ndryshim i tillë në opinione nuk është aspak gjë e re. Por ne kemi ruajtur gjithmonë një dialog të qetë dhe të arsyeshëm. Përse duhet që kjo cështje të lidhet me Ukrainën?

Po, kriza e Ukrainës është e tmerrshme. Pozicionet tanë ndryshojnë në parim, dhe kjo është temë që meritonnjë diskutim të vecantë. Por në kontekstin e marrëdhënieve tona, tema e raketave bërthamore qëndron në një rrafsh krejt tjetër. Duke lidhur dy cështjet ne vetëm do të dëmtojmë Traktatin e sipërpërmendur, duke e përmbysur ndërkohë stabilitetin strategjik. Ai është tashmë një i vdekur që ecën. A do të përmirësohet si rezultat i kësaj siguria e SHBA, Rusisë dhe Europës? A përfiton gjë Ukraina? Jo. Dhe as nuk mund të shpresojmë për një traktat të ri në të ardhmen e afërt.

Raketat bërthamore janë vetëm një prej fushave të shumta ku bashkëpunimi ynë me dobi reciproke ka ngrirë. A e bën kjo botën më të qëndrueshme? A e ndal rrëshkitjen drejt anarshisë dhe kaosit? Sërish, përgjigja është jo.

Në këndvështrimin tim, detyrë prioritare është të minimizohet dëmi që kriza e Ukrainës ka shkaktuar mbi ato fusha të bashkëpunimit që janë jetike për ruajtjen e stabilitetit global. Përmes partneritetit në këto fusha ne mund të jemi në gjendje të rikthejmë të paktën një minimum besimi. Pa të, një hendek i pabashkueshëm do të krijohet mes nesh për cështjet më të vështira, përfshirë edhe Ukrainën.

Një zgjidhje është që ta ndajmë dialogun tonë në “copa” të menaxhueshme, ku secila të ketë një cështje specifike. Sigurisht do të ketë mbivendosje, por nuk është kjo e rëndësishme. Të paktën do të shërbejë për të mos lejuar politizimin e tepruar të problemeve, gjë që po i dëmton vendet tona dhe botën.

Një tjetër gjë e rëndësishme: unë mendoj se është jetike të ndajmë debatin për axhendën politike të Rusisë, nga problemet e marrëdhënieve ndërkombëtare. Nevojitet një dialog i tillë. Po kështu nevojitet edhe një konsultim për ndryshimet që kanë ndodhur në politikën e brendshme të SHBA. Një “antipastë” e shijshme u ofrua pak kohë më parë nga Mikhail Gorbachevi, i cili bëri thirrje për një perestrojkë në Shtetet e Bashkuara.

Sigurisht, unë e kuptoj që për cështje të politikave, lidhja e të brendshmes me të jashtmen është pjesë e traditës liberale të Amerikës. Por edhe këtu, politizimi i tepruar po pengon kërkimin e kompromisit në marrëdhëniet ndërkombëtare. Në diskutimin tonë të problemeve ndërkombëtare, ne duhet të mbetemi realistë.

Thënë kjo, sado që unë e njoh diturinë tënde mbi vendin tim dhe duke patur parasysh vëmendjen që ti i kushton, në letrën tënde, situatës në Rusi, shpresoj të prek një “kordë” që është në thelb ruse.

Amerikanët i kanë dhënë gjithmonë një kuptim thelbësor cështjes së demokracisë. Demokracia në vetvete perceptohet si një vlerë në SHtetet e Bashkuara.

Në Rusi, ne i respektojmë vlerat që amerikanët i kanë të shtrenjta. Vec kësaj, nuk ka gjasa që të gjesh në Rusi një shumicë të qëndrueshme që të kundërshtojë idenë e demokracisë dhe të mbrojë sundimin e rreptë autoritar.

Demokracia, sipas mendimit tim, duhet të menaxhohet si një mjet praktik. Ajo është një mjet për të përgatitur skenën kundër krizave politike. Cdo shtet ka nevojë për udhëheqës të talentuar dhe vizionarë. Por ka një kërkesë edhe më të fortë për institucione të efektshme. Aty qëndron vlera më e rëndësishme e demokracisë.

Megjithatë, një analizë e kthjellët kërkon që të merren në konsideratë disa pika kyce. Eshtë e qartë që sistemi politik në Rusi po i nënshtrohet një transformimi të zgjatur. Në Francë, për shembull, një transformim i tillë kërkoi më shumë se 150 vjet që të ndodhte. Dhe nuk ishte një proces që shkoi “vaj”. Edhe në SHBA, demokracisë iu deshën pak kohë që të ngrihej në këmbë. Amerika kaloi një luftë civile të përgjakshme. Dhe kjo ndodhi në një kohë kur kushtet e jashtme ishin të favorshme!

Me sa duket, Rusia ka edhe disa udhëkryqe historikë për të kaluar. Dhe Zoti na ndihmoftë, që të mos kemi trazira të ngjashme historike. Rusëve do u duhet të armatosen me mencurinë, vetëpërmbajtjen dhe forcën e mendjes, për të kryer reforma të matura dhe të qëndrueshme. Cdo revolucion apo përpjekje për të “ndërtuar një botë fringo të re” është i destinuar të dështojë.

Duhet mbajtur gjithashtu parasysh se Rusia kaloi nëpër një krizë shtetësie, jo shumë kohë më parë. Pasi kishte përftuar lirinë formale pas shembjes së Bashkimit Sovjetik, populli rus u bë dëshmitar i shpërbërjes së institucioneve, moralitetit, ligjit dhe rendit, bombardimit të parlamentit nga tanket, dhe manipulimeve masive elektorale në vitin 1996. Vetë shpërbërja e Bashkimit Sovjetik (e mbështetur në mënyrë të qartë prej Perëndimit) në thelb i ngjante një grushti shteti. A është për t’u habitur që strukturat politike që u ngritën pas kësaj ishin kaq kalimtare dhe të pasigurta?

Si Rusia, edhe Perëndimi, në fillim iu qasën hapësirës post-sovjetike si një zone të rrafshuar. Por historia lë një shenjë të pashlyeshme, e cila nuk mund të fshihet. Në një masë të madhe, kriza në Ukrainë është rezultat i gabimeve “në programim” të të shkuarës. Këta gabime bëhen edhe më kompleksë prej kaosit në rritje në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ata do të vazhdojnë të ndihen.

Detyra jonë e përbashkët, si profesionistë, është që t’i largohemi sa më shumë të jetë e mundur informacionit dhe propagandës. Anarshisë, kaosit, paragjykimeve dhe stereotipeve duhet t’u kundërvihemi me arsye, gjykim të kthjellët dhe vetëdijësim për interesat tona të përbashkëta. Situata është më komplekse se kurrë. Por vetë ky fakt do të tregojë aftësinë e SHBA dhe Rusisë për të mbetur aktorë kycë dhe për të zgjidhur problemet specifikë.

Sinqerisht,

Ivani

Russia Direct / www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button