Analiza

Nga Shkupi në Bukuresht, nga Varshava në Beograd: Qytetet në lëvizje

Nga Shkupi në Bukuresht, nga Varshava në Beograd, qytetarët e Europës Qendrolindore po mobilizohen dhe bëjnë që të ndihet zëri i tyre. Është fillimi i një alternative reale politike

Në vitin 2006 matematikani rumun Nicușor Dan është kthyer në Bukuresht pasi ka studiuar me vite jashtë vendit dhe ka mbetur i goditur negativisht nga pamja e qytetit të tij të lindjes. Kështu që ka vendosur të impenjohet për ruajtjen e ndërtesave të vjetra të qytetit dhe ka themeluar një lëvizje të vogël, që me kalimin e kohës ka marrë emrin “Salvaţi Bucureştiul” (Shpëtoni Bukureshtin). Gjashtë vite më pas, kandidat për kryebashkiak, Dan ka dalë i treti dhe në 2016 lëvizja e tij është transformuar në parti, Uniunea Salvaţi Romania (Bashkimi Shpëtini Rumaninë), që ka siguruar disa vende në Parlamentin rumun. Në 2007, 1700 kilometra largësi, në qytetin polak Poznań një grup banorësh të lagjes Rataje, të lodhur nga shfaqjet vazhdimisht të ndërtesave të reja rreth banesave të tyre, ka nisur një betejë për të siguruar krijimin e një parku publik në zonë. Tri vite më pas aktivistët janë bashkuar në një parti që ka siguruar 10% të votave në zgjedhjet vendore. Në 2014, ndërkohë e shndërruar në “Aleanca e Lëvizjeve Civile”, kjo lëvizje ka arritur të zgjedhur këshilltarë bashkiakë të ndryshëm në shumë qytete të ndryshme polake dhe deri edhe një kryebashkiak. Në qytetet e së ashtuquajturës Europë e re lëvizjet civile janë në rritje konstante dhe kërkojnë që të imponojnë bonsensin e qytetarëve në kontekste politike gjithnjë e më konfuzë. Fenomeni ka të bëjë edhe me Bullgarinë: në muajt e fundit mobilizimet e popullsisë kanë siguruar disa suksese të rëndësishme. Referendum që në qytetin Tran ka penguar hapjen e një miniere floriri, konsultimi popullor me të cilin banorët e Stara Zagora kanë kërkuar krijimin e një parku public dhe protestat kundër ndërtesave të larta që duhet të ngrihen në lagjen Mladost në Sofje ndoshta nuk janë ngjarje më përmasa të mëdha, por sigurisht që janë pjesë e një tendence më të gjerë: zgjimit politik të qytetarëve, bashkuar me pakënaqësinë për mjedisin ku jetojnë.

Këto iniciativa, fillimisht të damkosura si “veprime të çorganizuara” apo “beteja lokalësh me interes të pakët”, demonstrojnë në fakt se shoqëria civile është gjithnjë e më e vendosur dhe e vetëdijshme. Gjatë viteve ’90 iniciativat civile frymëzoheshin nga modeli i OJQ-ve, i importuar nga jashtë. Ky lloj aktivizmi ka arritur rezultate të rëndësishme, por nuk ka arritur të lindë mobilizime lokale në mbështetje të kauzave të përbashkëta. Frustrimi që ka pasuar ka qenë aq i madh se që deri në artikujt akademikë ka zënë vend bindja se në vendet e Europës Lindore aktivizmi i qytetarëve është pashmangshmërisht një fenomen i parëndësishëm.

Megjithatë, me kalimin e kohës është parë se iniciativat civile mund të mbijnë edhe në vende të pamundura, falë mundësive të ofruara nga rrjetet sociale dhe në valën e një pakënaqësie gjithnjë e më të përhapur. Kur në një vend të caktuar shfaqet një problem apo kur autoritetet vendore refuzojnë që të zgjidhin një çështje që vazhdon prej kohësh, për të ndezur shkëndijën mjafton impenjimi i një grupi të vogël qytetarësh apo një udhëheqës i aftë që të mobilizojë njerëzit. Në pamje të parë këto iniciativa mund të duken reagime të improvizuara që vështirë se do të çojnë në rezultate afatgjata, por faktet demonstrojnë të kundërtën: kur qytetarët mobilizohen për një kauzë konkrete, ata zbulojnë se duke bashkuar forcat mund t’i ndryshojnë vërtet gjërat. Megjithatë, aktivizimi civil natyrisht që nuk është ilaçi universal në gjendje të shërojë të gjitha sëmundjet sociale. Shumë prej lëvizjeve të shfaqura kohët e fundit nuk kanë as vullnetin, as mundësonë që të shkojnë përtej objektivave konkrete që kanë vënë. Vetëm rrallë kalojnë duke u marrë me politikë në kuptimin më të gjerë. Veç kësaj, edhe kur veprojnë në mënyrë efikase, jo gjithmonë aktivistët arrijnë të gjejnë një përgjigje apo një zgjidhje të problemit që i ka shtyrë të bashkohen. Ama fakti që lëvizje të ngjashme ekzistojnë është në vetëvete një lajm i mirë. Në fakt, demonstron se në vendet e Europës Qendrolindore energjia kolektive nuk është ezauruar dhe se kërkesat për një nivel jetese më të mirë dhe për ndryshime politike nuk do të ndalen shpejt.

 

Paradigma e përmbysur

Ato që tërheqin mobilizimet janë çështje të lidhura me mjedisin urban dhe kjo për motive të ndryshme. Në kohën e komunizmit, pjesa më e madhe e vendeve të Europës Qendrolindore ka përjetuar një urbanizim të shpejtë prej shtytjes së industrializimit të promovuar nga ekonomia e planifikuar. Lagje me ndërtesa parafabrikat nisën që të shfaqeshin e të përhapeshin në të gjitha qytetet. 15 vitet e para pas rënies së komunizmit u shënuan nga një rritje e çrregullt e nga hapja e tregut të lirë dhe gjeneruan ndryshime të mëdha në pamjen e të gjitha qyteteve të zonës që shkon nga Deti Balltik në Detin e Zi. Rezultati është që sot problemet e qyteteve polake janë të ngjashme me ato të qyteteve bullgare. Siç ka shkruar urbanisti dhe arkitekti Kiril Stanilov në librin “The post-socialist city” (shtëpia botuese Springer 2007), qytetet e mëdha të Europës Lindore “kanë të njëjtën gjallëri kulturore të metropoleve të Europës Perëndimore, një nivel privatizimi të resurseve qytetare të barabartë me atë të qyteteve ameirkanoveriore (pse jo edhe të njëjtin entuziazëm për qendrat tregëtare, shtëpitë monofamiljare dhe makinat private), shërbime publike të krahasueshëm me ato të Botës së Tretë dhe një ekonomi në fermentim si ajop e qyteteve të Azisë Lindore në vitet ’70 e ‘80”. Herët e avonë një amalgam e ngjashme gjeneron pashmangshmërisht një shpërthim. Hulumtuesja suedeze Kirsten Jacobson, e cila ka studiuar lëvizjet urbane në rajon, ka individualizuar disa tendenca themelore në menaxhimin e qyteteve: liberalizim të politikës së banimit dhe urbanistike me një hapje të plotë ndaj ligjeve të tregut, planifikim të papërshtatshëm, konflikte të gjeneruara nga privatizimet, rënie e cilësisë së pasurisë banesore, lindje kompleksesh të mbrojtura banimi, bashkëjetesë personash shumë të pasur dhe shumë të varfër, privatizim hapësirash publike. Ky proces i fundit, na ka shpjeguar Jacobson, ka marrë përmasa ekstreme, duke krijuar vështirësi të mëdha në cilësinë e jetesës së njerëzve. Të bashkuara me mosbesimin e madh ndaj shtresës politike, këta faktorë e shtyjnë klasën e mesme qytetare të mobilizohet. Problem qëndron se është përmbysur paradigm që ishte afirmuar pas fundit të komunizmit.

Të asimiluar në retorikën e një komuniteti socialist të krijuar nga hiçi, pas 1989 koncepte të tilla si e “mira e përbashkët” apo e “mira bashkiake” kanë mbetur tabu për një kohë të gjatë. Dhe në kaotikët vite ’90 shumë qytete janë zhvilluar pa kurrfarë planifikimi. Për shembull, Sofja e ka pasur planin rregullues të saj vetëm në 2008, në fund të bumit të saj të parë imobiliar. Ky “shkatërrim i të mirave të përbashkëta”, domethënë degradimi konstant i resurseve publike për shkak të shfrytëzimit jo të rregulluar të tyre nga ana e interesave të ndryshme private ka bërë që të shfaqen format e para e kundërshtimit civil. Faktori tjetër që ka lehtësuar shfaqjen e këtyre lëvizjeve ka qenë rritja e standardeve të jetesës, që është shoqëruar nga lindja e një shtrese të mesme në qytetet kryesore: një gjeneratë e re qytetarësh urbanë që udhëtojnë, kanë një ide të qartë sesi duan të jetojnë dhe janë në gjendje të formojnë grupe presioni. “Banorët e qyteteve të mëdha i kanë plotësuar nevojat e tyre parësore dhe ato të konsumit, por tani fillojnë të interesohen për tema si mjedisi dhe cilësia e jetesës”, vëren Michał Ëenzel, Profesor në Universitetin e Shkencave Sociale dhe Humane të Varshavës dhe studiues i shoqërisë civile në Poloninë paskomuniste.

 

Shembulli polak

Shembulli më i rëndësishëm dhe më i strukturuar i këtij lloj aktivizmi vjen pikërisht nga Polonia, ku lëvizjet civile në nivel lokal kanë fituar një forcë të cilës politikës i duhet ta mbajë parasysh. Për shembull, në Sopot 11% e bilancit të komunës shpenzohet mbi bazën e udhëzimeve të qytetarëve. Kurse kryebashkiaku i Łodź është larguar nga posti i tij më një referendum pasi kishte marrë vendime jopopullore. Në Krakovi është afirmuar një lëvizje influente kundër ndotjes atmosferike dhe qyteti, me një referendum, ka refuzuar prerazi kandidaturën për të pritur olimpiadën dimërore të 2022. “Në të kaluarën politika bashkiake e Varshavës ishte vetëm një refleksion i asaj kombëtare, porn ë vitet e fundit disa grupe locale kanë arritur të hyjnë në këshillin bashkiak dhe të prodhojnë ndryshime reale”, shpjegon Ëenzel. “Kjo ka pasur efekte edhe mbi partitë e mëdha e pranishme në këshill, që papritmas kanë nisur t’i kushtojnë vëmendje shoqërisë civile dhe të kërkojnë të formojnë aleanca me lëvizjet civile”. Një prej pasojave më të rëndësishme të këtyre ndryshimeve është se tashmë autoritetet bashkiake marrin parasysh nevojën e dialogimit me qytetarët. “Në qytetet e mëdha rritet vetëdija për faktin se, për të zgjidhur problemet, bashkia duhet të bashkëpunojë përditë me njerëzit”, pohon Ëenzel, duke cituar si shembull bilancin pjesëmarrës, një modalitet menaxhimi fondesh publike në bazë të të cilit qytetarët mund të vendosin drejtpërsëdrejti sesi të shpenzojnë një pjesë të resurseve të buxhetit bashkiak.

Shembulli i Polonisë ka infektuar vende të tjera. Hulumtimi i Jacobson dhe shumë reportazhe gazetareske shikojnë element të përbashkët midis mobilizimeve polake dhe shfaqjes së lëvizjeve urbane në Çeki, Sllovaki, Lituani dhe Rumani. Për shembull, Nicușor Dan është transformuar nga mbrojtës i pasurisë urbanistike të Bukureshtit në lider politik dhe ka arritur që ta fusë partinë e tij në parlamentin rumun. Prova më e qartë e origjinës së përbashkët të këtij fermentimi politik është fakti se vala e aktivizmit ka prekur edhe vende të Europës ish komuniste që nuk janë pjesë e Bashkimit Europian. Në Serbi lëvizja e madhe që lufton kundër projektit gjigantesk ndërtimor të quajtur “Beogradi mbi ujë” po përgatitet të marrë pjesë në zgjedhjet vendore. Edhe në Maqedoni protestat antiqeveritare të 2016 kanë filluar me manifestimet kundër kompleksit të frikshëm dhe të kushtueshëm të ndërtesave dhe monumenteve kitsch të ndërtuar në qendër të kryeqytetit në kuadër të projektit urbanistic “Shkupi 2014”. Diferenca e vetme midis këtyre lëvizjeve dhe atyre të lindura në vendet që janë pjesë e Bashkimit Europian është konteksti politik. Udhëheqësit e Serbisë e Maqedonisë kanë kërkuar që t’ua mbyllin gojën mobilizimeve me represion, duke kontribuar kështi në daljen e tyre nga aspekti i ngushtë i çështjeve urbanistike dhe t’u japin një dimension më politik.

Duke pasur parasysh atë që ndodh në pjesën tjetër të Europës Lindore, Bullgaria duket pothuajse e palëvizsshme. Por edhe këtu nën sipërfaqe gëlon një energji e re civile. Pas protestave ambientaliste të 2012 – që formalisht synon të shpëtonin parkun natyror në masivin e Pirinit, por në realitet qenë një ulërimë zemërimi për vitet e gjata e palëvizshmërisë së institucioneve – në periudhën e fundit ka pasur mobilizime në zona të ndryshme të vendit. Tri në veçanti kanë pasur rezonancë kombëtare. Në të parin qytetarët e Sofjes kanë arritur të shkarkojnë Tsveta Avxhievnan, kryetaren e komunës Mladost, dhe të zgjidhnin një lidere të protestës, Desislava Ivançevën. Zemërimi ishte ushqyer nga një seri spekulimesh imobiliare dhe nga afera jo pak të qarta të Avxhievës. Kurse në qytezën Tran komuniteti lokal është mobilizuar për të refuzuar planet e investimit të një shumëkombësheje që donte të hapte një minierë floriri. Projekti është hedhur poshtë nga 93 përqind e votuesve në një referendum që është mbajtur me 11 qershor. Rasti i tretë është ai i qytetit Stara Zagora, ku po në qershor, me një konsultim popullor banorët janë shprehur në favor të ndërtimit të një parku në vend të një kompleksi ndërtimor. Të tri këto mobilizime kanë ndjekur modelin e lëvizjeve të tjera civile të rajonit: qytetarë që bashkohen për t’ju kundërvënë iniciativave të imponuara nga tregu apo nga institucionet.

Sipas Parvan Simeonov, një politolog që ka marrë pjesë aktivisht në iniciativën referendare e Stara Zagora, 20000 votat në favor të parkut “kanë qenë një sukses i jashtëzakonshëm. Faktikisht, në qytet mungon një shtresë e mesme e ngjashme me atë të Sofjes dhe nuk ka shumë të rinj. Bëhet fjalë për një komunitet relativisht të vogël, rreth 130000 banorë, i dominuar nga konformizmi dhe nga censura. Teorikisht në një vend të kësaj natyre është shumë e vështirë t’i mobilizosh njerëzit rreth një kauze të përbashkët”. Sipas Simeonov, referendum ka qenë “triumfi i politikës që krijon rrjete” dhe u jep jetë dinamikave të reja sociale: “Rashmë është e mundur që të bësh të dëgjohet zëri yt përtej partive tradicionale, që gjithnjë e më shumë pësojnë rrethimin e formave të reja të konkurrencës: nga bota e biznesit tek populistët dhe deri tek lëvizjet civile”.

Analiza e Simeonov pranohet nga aktivistët e shoqatës “Shpëto Sofjen”, e impenjuar që të përmirësojë cilësinë e mjedisit urban të kryeqytetit bullgar. Ajo ka lindur në vijim të vendimit të bashkisë për të anulluar një linjë tramvaji. Në ndryshim nga kolegët e “Shpëtoni Bukureshtin”, militantët bullgarë nuk kanë ndërmend të hyjnë në politike. “Këtu politika është një lojë e pisët dhe ne jemi njerëz parimorë për të krijuar një parti që do gjithmonë kohë, struktura dhe para. Ne nuk kemi asnjë prej tyre”, shpjegojnë ata. Megjithatë, ajo që ka ndodhur në Poloni demonstron se është e pamundur të përjashtohen zhvillime të caktuara. Në vitin 2016 grupi “Shpëto Sofjen” i ka dhënë jetës organizatës “Shpëto Bullgarinë” për t’i koordinuar më mirë aktivitetet me shoqatat e tjera civile aktive në vend.

 

Të bashkuar fitohet

Natyrisht që është shumë shpejt për të pohuar se këto lëvizje kanë gjeneruar ndryshime të thella. Siç shpjegon Michał Ëenzel, “aspekti pozitiv është që janë spontanë; ai negative është që nuk janë të profesionalizuara dhe shpesh nuk e kanë as idenë më të vogël sesi qeveriset një qytet”. Megjithatë prania e tyre po ndryshon dinamikat politike lokale dhe, për pasojë, jetën e përditshme të qytetarëve. Për shembull, në Bullgari, ku 80% e njerëzve pohon se nuk i përket asnjë organizate kolektive – qoftë kjo një rreth sportive, një shoqatë vullnetarizmi apo një parti – mobilizime të ngjashme përfaqësojnë një mrekullit të vogël. Sipas Kirsten Jacobson, këto zhvillime i hedhin poshtë kategorikisht tezat, të mbështetura gjatë nga sociologë dhe historian, sipas të cilave në venndet e Lindjes shoqëria civile është në thelb apatike. “Është e vërtetë se shumë prej këtyre iniciativave janë të tipit reargues, domethënë të provokuara nga kërcënime pakashumë të drejpërdrejta ndaj kontekstit në të cilin jetohet, pork jo nuk do të thotë se duhen damkosur si reagime të thjeshta të tipit “jo në oborrin e shtëpisë time”. Luftërat që kanë të bëjnë me çështje të lidhura me përditshmërinë jo vetëm që janë krejtësisht legjitime, por shërbejnë edhe si katalizator për një process më të gjerë politizimi. Përvojat e përbashkëta krijojnë atë bazë solidariteti dhe shpirti kolektiv që u mungojnë qytetarëve të privuar nga përvoja politike. Tejkalimi i kufijve midis kufijve të sferës së brendshme, asaj civile dhe asaj politike mundëson të promovohen veprime politike dhe përfaqëson një sfidë të vërtetë për shoqëri të mbetura deri më tani të mbyllura në dimensionin privat dhe të dominuara nga dorëzimi dhe nga mosbesimi ndaj vetë konceptit të së mirës së përbashkët”, shpjegon Jacobson. Lëvizjet që janë imponuar në hapësirën urbane e vendeve të Lindjes europiane kanë shërbyer si valvul shfryrjeje. I japin zë dëshirës së qytetarëve për të pasur një jetë më të mirë dhe u mundësojnë që t’i venë autoritetet përpara përgjegjësive të tyre. Por aspekti më i rëndësishëm është një tjetër: sapo njerëzit kanë kuptuar se bashkimi i forcave çon në rezultate konkrete, gjejnë gjithmonë motive të tjera për t’u kthyer e për t’u mobilizuar.

(Ognjan Georgiev për Kapital)

Përgatiti:

ARMIN TIRANA / Bota.al

Leave a Reply

Back to top button