BotaMAIN

Nga Suedia në Europë, shpërthen fenomeni i “vrasësve me porosi”: çfarë është dhe si funksionon

Bandat suedeze të narkotrafikut po eksportojnë në Europë modelin e “dhunës si shërbim”: të rinj të rekrutuar online për të vepruar si freelancer të krimit. Europol ka ngritur task-forcën GRIMM dhe raporton 193 arrestime në vetëm pak muaj. Fenomeni është në rritje kudo.

Bandat suedeze të narkotrafikut po eksportojnë në Europë modelin e “dhunës si shërbim”

Lufta suedeze e drogës, e cila ka frymëzuar edhe serialin e vlerësuar Snabba Cash, tashmë në sezonin e dytë në Netflix, po ndryshon rrënjësisht peizazhin e krimit të organizuar europian. Shkëmbimi i njohurive mes bandave skandinave dhe homologëve të tyre në pjesën tjetër të kontinentit po ushqen përhapjen e një fenomeni shqetësues: “dhuna si shërbim”. Adoleshentë të rekrutuar në internet apo në rrjete sociale për të kryer krime, duke u shndërruar në “freelancer të kriminalitetit”.

Dhuna si shërbim

Europol, me nxitjen e forcave të rendit suedeze që prej më shumë se dhjetë vitesh përballen me një luftë të ashpër droge, në prill të këtij viti ka ngritur një njësi të posaçme kundër krimit të organizuar të gjeneratës së re: Operational Taskforce GRIMM (OTF GRIMM).

OTF GRIMM është krijuar për të frenuar përhapjen në Europë të metodës së rekrutimit të bandave suedeze të narkotrafikut: dhunën si shërbim. Të rinj dhe shumë të rinj, ndonjëherë ende fëmijë, kontaktohen nga rekrutues të krimit të organizuar dhe angazhohen me “kontrata projekti” shumë të paguara: plagosje me armë, vendosje eksplozivësh, rrahje, rrëmbime, vrasje. Freelancerë të krimit që, në varësi të “aftësive” të treguara, mund të thirren sërish në të ardhmen, ose jo.

Ata kushtojnë pak. Nuk janë të lidhur me struktura formale. Dhe nëse nuk fitojnë besimin e rekrutuesve, mund të eliminohen lehtësisht pas përfundimit të “shërbimit”.

Ky modus rekrutimi i bandave suedeze, i cili ka krijuar një bazë të vlerësuar prej rreth 62 mijë personash të përfshirë në kriminalitet, është adoptuar gradualisht edhe nga aktorë të tjerë kriminalë europianë, veçanërisht nga klanet magrebine dhe ballkanike. Sot ai është shndërruar në një metodë gjithnjë e më të përhapur në Spanjë, Francë, Danimarkë, Holandë, Gjermani, Austri dhe Belgjikë.

Rezultatet e Europol-it

Forcat e rendit në Bashkimin Europian e kanë marrë seriozisht kërcënimin e “freelancerëve të dhunës”. Europol, duke vepruar si një qendër koordinimi për hetimet dhe shkëmbimin e informacioneve, ka ndihmuar që në gjashtë muajt e parë të veprimtarisë së OTF GRIMM të arrestohen 193 persona të përfshirë në rrjete kriminale të bazuara në modelin e dhunës si shërbim.

Nga 193 të arrestuarit në Europë, nga prilli deri në fund të nëntorit, 63 ishin freelancerë të krimit, ndërsa 84 ishin rekrutues. Edhe pse fenomeni prek më fort Europën skandinave, gjermane dhe franceze, Europol ka lëshuar një paralajmërim për të gjithë kontinentin: raportimet për freelancerë të kriminalitetit po rriten edhe në Spanjë dhe asnjë vend nuk mund të konsiderohet realisht i sigurt nga kjo prirje. / bota.al

 

Back to top button