MagazineMAIN

Nga vizionari te arroganti apo “krokodili”: zbuloni 10 tipat e shefave

VIZIONARI

Shikon gjithmonë drejt së ardhmes, nuk merret me gjërat e vogla që ndodhin përditë, por dëshiron të përcaktojë drejtimin duke formuluar gjithmonë ide të reja, shpesh të parealizueshme. Është një figurë e rëndësishme kur kompania apo institucioni ka nevojë të shpikë rrugë të reja, por në periudha të tjera mund të sillet vërdallë, pa bërë përparim.

Si të silleni me të?

Duhet ta mbani me këmbë në tokë, duke kërkuar udhëzime të qarta dhe objektiva të sakta.

ARROGANTI

Di gjithmonë gjithçka. Është i bindur se ka gjithmonë të drejtë. Mund të jetë introvert dhe, edhe pse nuk e shfaq hapur arrogancën, përfundon duke u treguar mendjemadh dhe mendjemprehtë. Zakonisht mendon se është i jashtëzakonshëm, edhe pse, si të gjithë, ka arritur në pozicionin e tij edhe falë rrethanave të favorshme.

Si të silleni me të?

Duhet durim dhe këmbëngulje, si edhe një cilësi shumë e lartë në punë. Herët a vonë, defektet e tij do të çojnë në gabime dhe ai/ajo do të largohet.

“KROKODILI”

Qëndron pothuajse gjithmonë në zyrën e tij, por ndonjëherë del për të vëzhguar në heshtje sjelljen e vartësve. Thërret mbledhje të papritura ku shpesh kritikon punën e bërë për muaj të tërë. Di mirë si të veprojë dhe sulmon veçanërisht ata që nuk punojnë sipas metodës së tij/saj: i ndjek derisa t’i detyrojë të transferohen ose të japin dorëheqjen.

Si të silleni me të?

Duhet t’i shmangni goditjet e tij, të kuptoni çfarë pret nga ekipi dhe të ndiqni sa më mirë drejtimin e projekteve të tij.

PROTAGONISTI

Nuk humbet asnjë rast për të dominuar skenën. Do të jetë gjithmonë në qendër sepse mendon se lidershipi kështu funksionon. Por kur situata përkeqësohet dhe duhet të paraqesë rezultate negative, zakonisht shtyn dikë tjetër përpara. Ka frikë të gabojë dhe ka nevojë për kompetencën e ekipit.

Si të silleni me të?

Duhet të jeni gjithmonë gati ta “frenoni” pak, duke zbutur pasojat e gabimeve që vijnë më shumë nga entuziazmi sesa nga paaftësia.

ENIGMATIKU

Merr vendime vetëm, dhe me anëtarët e ekipit komunikon pak: i dëgjon, por zakonisht nuk komenton punën e tyre. Mund të jetë i dy tipeve: ose shumë kompetent dhe i lë vartësit të punojnë të lirë, ose krejt i papërshtatshëm për rolin dhe mbetet te përgjithësimet për të fshehur mungesën e aftësive. Në çdo rast, vartësit kanë shumë hapësirë.

Si të silleni me të?

Duhet të jeni elastikë dhe të vini vetë me propozime.

“MIKU”

Është i sjellshëm me çdo kusht dhe përpiqet të hyjë në muhabet miqësor me ekipin. Pse? Shpesh për t’i bërë të punojnë më shumë “për hir të marrëdhënies së mirë”. Merr vendime vetëm kur është i detyruar dhe, edhe lajmet e këqija i komunikon me buzëqeshje.

Si të silleni me të?

Duhet të hyni në terrenin e tij dhe t’i komunikoni problemet e punës gjatë momenteve informale që ai krijon. Është e pashmangshme të jeni të disponueshëm, por pa e tepruar, që të mos cenohet jeta private.

AGONISTI

Çfarëdo që bën, duhet të jetë më i miri. Studion shumë: teknikat e biznesit dhe “kundërshtarin”. Nuk ka shumë kreativitet, por kompenson me punë të palodhur. Defekti kryesor? Nëse nuk arrin rezultatin që do, fillon të përkeqësohet.

Si të silleni me të?

Duhet të jepni maksimumin, duke qenë konkretë, të saktë dhe sidomos shumë të shpejtë në përmbushjen e kërkesave të tij.

“KUZHINIERI ME YJE”

Jep udhëzime të sakta që duhet të respektohen deri në detaj. Ndalohet çdo inovacion apo ndryshim, sepse vetëm ai/ajo “di” si bëhet ai punim dhe e ka bërë prej vitesh. Është perfeksionist. Nëse vartësit ndjekin saktë udhëzimet, vlerësohen; nëse jo, kritikohen ashpër.

Si të silleni me të?

Mos propozoni ndryshime. Shprehja e kreativitetit duhet reduktuar në minimum.

ETERNAUTI

Nuk ka rëndësi sa vjeç është: beson se askush nuk mund ta zëvendësojë dhe se duhet të sakrifikohet “për të mirën e kompanisë”. I njeh të gjithë, flet gjatë me kolegët dhe mbledh informacione e kontakte. Me kalimin e kohës fiton respektin e të tjerëve, por është edhe i aftë të shmangë fajet, duke ia kaluar të tjerëve ose duke ua atribuuar “rrethanave”.

Si të silleni me të?

Më mirë ta keni në anën tuaj… ose të qëndroni larg.

I PAAFTI

Është aty sepse dikush ka gabuar (rrallë) ose sepse dikujt i intereson ta mbajë aty (shumë më e mundshme).

Si të silleni me të?

Duhet vetëm durim derisa dikush ta kuptojë situatën dhe ta largojë. Ndërkohë, bëni punën tuaj me aq profesionalizëm sa ju lejon ai/ajo. / bota.al

Back to top button