Analiza

Ngjitja evropiane e Polonisë

Alain Salles

Le Monde

Zgjedhja e Donald Tusk si president i Këshillit Evropian i ka dhënë një status fuqie Varshavës. Nga viti 2014 deri në 2020, ajo do të marrë më shumë se 100 miliardë Euro nga fondet strukturore evropiane dhe fondet e politikës së përbashkët bujqësore, si dhe një shtyrje të datës për respektimin e angazhimeve të saj gjatë samitit në tetor për klimën, ndërkohë që Polonia, 90 % të energjisë elektrike e siguron nga qymyrguri

Tusk

Polonia është krenare që ka një bashkëpatriot në Presidencën e Këshillit Evropian, dhjetë vjet pas hyrjes së saj në BE. Ish kryeministri Donald Tusk zëvendësoi ditën e hënë, më 1 dhjetor, Herman Van Rompuyn.

“Kjo është ngjarja më e shënuar për Poloninë, pas Papa Gjon Palit të II dhe Leg Valesës”, shprehet me entuziasëm analisti politik Eryk Mistewicz. “Ka disa javë që ne kemi fituar për herë të parë një ndeshje futbolli kundër Gjermanisë”. Zgjedhja e Tusk në Bruksel na ka dhënë madje një ndjenjë krenarie kombëtare”, shpjegon Marcin Zaborowski, drejtor i Institutit polak të punëve të jashtme.

Ne jemi një komb i keqtrajtuar nga historia. Kjo tregon se ne nuk jemi një vend i huaj në gjirin e BE-së”.

Donald Tusk, kryeministër qysh nga viti 2007, siguroi Bashkimin Evropian i cili ishte i shqetësuar nga “republika monozigote” shumë konservatore e presidentit, Lech Kaczynski (i cili vdiq në vitin 2010 në aksidentin e avionit të Smolenskut) dhe të vëllait të tij binjak Jaroslaw, i cili ishte kryeministër.

Partia e tij “Platforma qytetare” (PO, liberal-konservatore), e futi Poloninë në një periudhë stabiliteti politik dhe suksesi ekonomik u bë i mundur nga përdorimi i mirë i fondeve evropiane.Megjithë krizën ekonomike, Polonia ka qenë një nga vendet e vetme evropiane që ka ruajtur indikatorët ekonomikë në dritën jeshile. Qysh prej vitit 2008, rritja ekonomike e Polonisë ka qenë 20,1 %, ndërkohë që BE-ja ka njohur gjatë kësaj periudhe një rritje me 0,9 %.

Stabilitet politik dhe ekonomik

Në Gliëice, në rajonin e Silezisë industriale, në jug të vendit, Brunon Gabrys është një simbol i ndryshimit të statutit ekonomik të Polonisë. Ky inxhinjer ka lënë vendin e tij në fillim të viteve 1980, për të shkuar në Libi dhe Irak. Ai u kthye në fillim të viteve 1990 pas vendosjes së demokracisë për të themeluar firmën e tij, Aiut, e cila prodhon instrumenta matës precizioni dhe komponentë të teknologjive të larta. Në uzinën e tij të vogël ai punon për prodhues autoveturash gjermane, Lafarge, dhe dhjetëra ndërmarrje të tjera.

Nganjëherë ai kthehet në Itali, ku frikësohet nga mungesa e fleksibilitetit dhe ngadalësia e procedurave të Evropës së vjetër, të cilat e bëjnë atë që të ëndërrojë tridhjetë vite më parë…Ky stabilitet politik dhe ekonomik i ka lejuar Polonisë që të imponohet në samitet evropiane dhe të mbrojë më mirë interesat e saj.

Nga viti 2014 deri në 2020, ajo do të marrë më shumë se 100 miliardë Euro nga fondet strukturore evropiane dhe fondet e politikës së përbashkët bujqësore, si dhe një shtyrje të datës për respektimin e angazhimeve të saj gjatë samitit në tetor për klimën, ndërkohë që Polonia, 90 % të energjisë elektrike e siguron nga qymyrguri. Ky ishte suksesi i parë evropian i Ewa Kopacz, e cila në shtator zëvendësoi Donald Tuskun si kryeministër.

“Polonia ka kontribuar për kompromisin, gjë që tregon se ajo nuk është pa peshë”, analizon Wawrzyniec Smoczynski, drejtor i qendrës së analizës Polityka Insight.

Në më pak se njëqind vjet pas rilindjes si shtet në vitin 1918, Polonia imponohet sot si një nga vendet evropiane që merret në konsideratë. Ish presidenti francez, Valéry Giscard d’Estaing e përfshinte Poloninë në zemrën e re të Evropës së 12 vëndeve, e pagëzuar “Europa”. Polonia ishte i vetmi nga ish vëndet e lindjes që gëzonte këtë nder. “Ne kemi ruajtur për një kohë të gjatë imazhin e një vendi pak jashtë Evropës. Ne sot jemi një nga vëndet e saj, aktorë kryesorë. Aktualisht jemi bërë pothuaj aq të rëndësishëm, sa Spanja apo Italia”, shprehet me gëzim senatori i platformës qytetare, Aleksander Pociej.

Polonia është vendi i gjashtë për nga popullsia (38.5 milionë banorë) dhe vendi i shtatë për GDP (390 miliardë euro). Por renditet pas Sllovakisë dhe Republikës çeke në nivelin e GDP për banor.Varshava ka ditur që zëri i saj të dëgjohet në kancelaritë perëndimore. Në sajë të shkathtësisë së ish-ministrit të punëve të jashtme, Radoslaw Sikorski, Polonia është dëgjuar më shumë. Por kjo influencë arriti në mënyrë paradoksale caqet e saj me krizën ukrainase.

Paga minimale 300 euro 

Çështja ruse është kudo e pranishme në Poloni. “Nëqoftëse ju jeni në Varshavë, pranë armëve bërthamore të vendosura në Kaliningrad, nuk keni të njëtën ndjesi të kërcënimit rus, si në Madrid”, thekson M. Zaborowski. Ngurrimet evropiane në administrimin e dosjes ukrainase kanë zëmëruar shumë Varshavën. “Në krizën ukrainase, Evropa dha prova të një miopie strategjike. Ajo hezitoi për sanksionet. Disa shtete dhe firma të mëdha evropiane janë të fiksuara nga ideja se nuk duhet zemëruar Rusia”, shprehet Roman Kuzniar, këshilltar i presidentit polak Bronislaw Komorowski, i cili përshëndet vendimin e Francës për të mos lëvruar Moskës helikopter-mbajtësen “Mistral”.

Deklaratat e para të kryeministres së re, Ewa Kopacz u gjykuan më pajtuese kundrejt Rusisë. “Ne duhet të jemi të patundur, por ne duhet të gjejmë gjithashtu një zgjidhje që lejon zhvillimin e Ukrainës. Ne nuk mund t’i prishim krejtësisht marrëdhëniet tona me Rusinë”, shprehet eurodeputeti i “PO”, Michal Boni. “Qëndrimet janë të njëjta, por është mënyra e të shprehurit të tyre që ndryshon”, shkruan Wawrzyniec Smoczynski në revistën Polityka Insight. “Nuk ka ndryshime reale në qëndrimin kundrejt Rusisë dhe Ukrainës qysh me largimin e Tusk dhe Sikorskit”, pohon Zaborowski.

Polonia është në orbitën e mirë evropiane, por ajo duhet gjithmonë t’i bëjë ballë sfidave. Në rradhë të parë modernizimi i ekonomisë së saj, ndërkohë që ajo alokon vetëm 0,8 % të GDP-së së saj për kërkimin shkencor dhe zhvillimin. Polonia ka ndërtuar suksesin e saj me një fuqi punëtore pak të shtrenjtë. Ajo prodhon në sasi të mëdha pjesë këmbimi për industrinë e autoveturave dhe të aeronautikëse. Ajo ka zhvilluar shumë ndërmarrjet jashtë vendit (kontabiliteti call centers, etj.).

Shoqëri shërbimi gjejnë në Poloni specialistë që zotërojnë shumë gjuhë të huaja dhe me kulturë, si dhe me pagë jo të shtrenjtë. Paga mesatare është 900 euro dhe paga minimale 300 euro në muaj. Pagat janë rritur me 19 % nga viti 2008.

Rreziku i fundit është politik. Platforma qytetare ka humbur zgjedhjet vendore të 16 nëntorit, ku për herë të parë qysh prej shtatë vitesh, u rendit e para, partia e djathtë konservatore “E Drejta dhe drejtësa (PiS)” e Jaroslaw Kaczynskit, ndërkohë që sondazhet parashikonin një fitore të partisë së Ewa Kopacz. “Largimi i Donald Tuskut tashmë ka filluar të ndihet”, shprehet Eryk Mistewicz.

SHQIPEROI: S. METANI/www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button