Analiza

Ngrohja, temperatura mesatare mund të rriten dhe 5,3°C deri në vitin 2100

Liberation

ngrohjaFranca do të bëhet më e ngrohtë dhe me më shumë reshje, me më shumë episode metereologjike ekstreme, konkludon raporti i dorëzuar ministres së ekologjisë Ségolène Royal, e cila njoftoi me këtë rast masat e kursimit të energjisë në banesat publike dhe ato private.
I porositur nga ministria në vitin 2010, ky raport mbi evolucionin e klimës në Francë deri në vitin 2100 bëhet i njohur në pritje të paraqitjes në  Parlamentin francez të projekt-ligjit të tranzicionit energjetik, që duhet të jetë një ligj i pesë vjeçarit.
Sipas ekipit të ekspertëve i drejtuar nga klimatologu Jean Jouzel, deri në vitin 2070, Franca do të përballet me një ngritje të temperaturave mesatare nga 0,6° deri në 1,3°C në krahasim me vitet 1976-2005. Në verë në Jug lindje të vendit do të arrijë deri në 2°C.
Më pas, në periudhën 2071-2100, kjo tendencë do të përkeqësohet me një rritje mesatare të temperaturave nga 2,6°C në 5,3°C dhe “që do të mund t’i kalojë 5°C në verë” në jug-lindje.
Fenomenet  meterologjike ekstreme – valët e të nxehtit, thatësirat e mëdha  – do të jenë më të theksuara: deri në vitin  2100, valët e të nxehtit të verës do të mund të kalojnë 20 ditë, madje 40 ditë në skenarin më pesimist.
Pritet që të kemi më shumë episode të thatësirës në Jug, nga 2 deri në 8 ditë shtesë, që nganjëherë mund të prekin të gjithë vendin. Ndërsa valët e të ftohtit të dimrit  do të rrallohen, me 6 deri në 10 ditë më më pak i ftohtë i madh, sidomos në veri.
Përsa i përket reshjeve Franca do të përballet me një rritje të lehtë të reshjeve mesatare, në verë ashtu dhe në dimër, nga 0 dhe 0,42 mm/ditë mesatarisht. Reshjet ekstreme do të shtohen në pjesën e dytë të shekullit në një pjesë të madhe të territorit të Francës, një rritje mbi 5 %, duke arritur deri në 10% në veri-lindje.
Në rajonet jashtë Francës temperaturat mund të rriten me 3,5°C, ndërkohë që reshjet do të pakësohen. Frekuenca e cikloneve tropikale do të pakësohet gjithashtu në fund të shekullit, por forca e tyre (erërat, shirat) do të rritet.
Ndërtesa publike me energji pozitive
Ministrja e Ekologjisë preferoi të paraqesë këtë raport gjatë një vizite në masivin e Mont-Blanc, ku tërheqja e akullnajave ilustron ndryshimet klimatike. “Ky raport konfirmon skenaret e ndryshimit klimatik, me aspekte shumë konkrete për jetën e përditshme në Francë. Kjo rrit ndërgjegjësimin jo për një diskutim katastrofik, por për të dhënë një çelës për të vepruar”, është shprehur ajo.
Segolen Royale përfitoi t’i njoftonte francezët edhe për një masë të re që do të merret për kursimin e energjisë: “Të gjitha ndërtesat e reja publike, apo ato që marrin subvencione publike duhet të jenë me energji pozitive”, i ka deklaruar ajo agjencisë franceze të lajmeve AFP gjatë një bisede telefonike. Ky detyrim do të përfshihet në projekt ligjin që do t’i paraqitet Parlamentit më 1 tetor.
Çdo banesë e re publike do të duhet pra, që sot e tutje të ndërtohet në mënyrë që të prodhojë më shumë energji se sa konsumon. Ky rregull  do të zbatohet gjithashtu “për të gjitha banesat sociale”, pasi ato janë të subvencionuara, ka saktësuar ajo.
Ndërtesat me energji pozitive jo vetëm kufizojnë konsumin e tyre për ngrohjen apo për energjinë, nëpërmjet teknikave të izolimit dhe të menaxhimit inteligjent të energjisë, por krahas kësaj rikuperojnë ose prodhojnë energji të rinovueshme (me panelë diellorë, energji eolike, etj.). Megjithëse të rralla, disa qindra shëmbuj tashmë kanë filluar të shfaqen në Francë qysh prej disa vitesh.
Projekt ligji për tranzicionin energjitik synon në reduktimin e lëshimit të gazrave me efekt serre në Francë nga 30% deri në vitin 2030 dhe për të arritur 32% energji e rinovueshme. “Ne kemi jo vetëm mjetet e tranzicionit energjetik, por gjithashtu obligimin sepse kjo është një levë për daljen nga kriza, duke i dhënë hov sektorëve të ndërtimit dhe punimeve publike”, ka vlerësuar ministrja, duke premtuar që ky ligj do të jetë “më i avancuar në Evropë”.
PERGATITI: S. METANI
BOTA.AL

Leave a Reply

Back to top button