Analiza

Një arsye e madhe e Merkelit për ta mbajtur Greqinë në eurozonë

Screen Shot 2015-06-23 at 23.25.05

Nga Philip Stephens

Në Berlin, ashtu si edhe në kryeqytetet e gjithë Evropës, politikanët dhe hartuesit e politikave kanë filluar të mendojnë për të nesërmen. Ndoshta kjo mund të jetë java, muaji dhe viti pasues. Hapi i parë është për t’u përgatitur për pasojat e mundshme, nëse qeveria greke vendos të shpallë falimentin.

Hapi i dytë, është të pyetet çfarë ndodh më pas. Dalje vetëm nga euro dhe ndoshta edhe nga BE-ja?

Një shtet i dështuar, që rrënohet krah të një shteti tjetër të dështuar? Apo një terren ballkanik për Vladimir Putinin e Rusisë?

Mes kësaj vorbulle, kam dëgjuar një duzinë arsyesh të mira, se pse kancelarja gjermane Angela Merkel dhe liderët dhe kolegët e saj të eurozonës – në Madrid, Lisbonë dhe Dublin, sa për të përmendur 3 prej atyre që kanë një linjë më të ashpër ndaj Athinës – duhet t’i përgjigjen bllofit të Greqisë.

BKT

Jo nga ndonjë ndjenjë e vetë-drejtësisë, dhe as në frymën e dënimit ose ndëshkimit, por për shkak se negociatat nuk kanë sjellë ndonjë alternativë më të mirë. Kryeministri grek Aleksis Cipras, nuk ka pasur një histori të keqe për të treguar pas fitores së tij në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të janarit të këtij viti.

Greqia ka nevojë për lehtësimin e borxheve; dhe qeveria e udhëhequr nga Syriza u ka premtuar votuesve, se do të thyejë klientelizmin që helmon politikën dhe ekonominë e vendit. Një vëzhgues objektiv, do të kishte propozuar një marrëveshje:reformë radikale të institucioneve shtetërore, zbrapsjen e oligarkëve dhe mbylljen e karteleve dhe dyqaneve që varfërojnë popullin grek, si dhe një sulm të vazhdueshëm ndaj fenomeneve korruptive, në këmbim të premtimit për rishikimin e borxhit.

Vullneti i mirë është konsumuar. Premtimet e Syrizas u katandisën në hiçmosasgjë. Klikat, kartelet dhe oligarkët, lulëzojnë si më parë. Dhe në bisedimet me kreditorët e saj të eurozonës, Athina ka shfaqur një përzierje toksike të arrogancës, amatorizmit dhe korrupsionit zulmëmadh.

Harroni argumentat e detajuara në mesin e teknicienëve, mbi madhësinë e saktë të tepricave primare të Greqisë ose shkurtimet e nevojshme, për të krijuar një sistem të qëndrueshëm pensionesh. Në bisedat me udhëheqësit e tjerë, zoti Cipras ka patur qasje një linjë fondamentaliste. Ai dëshiron lehtësimin e mjaftueshëm të borxheve, për ta çliruar Greqinë nga të gjitha detyrimet në programin e tij aktual me kreditorët.

Dhe ai dëshiron të dalë nga programi, për shkak se Syriza kundërshton parimet liberale të tregut. Prandaj, nuk është befasuese që nëse ecni nëpër korridoret e Berlin këto ditë, të keni ndjesinë e një frustrimi të madh. Nga kancelarja tek ministrat e financave dhe të mbrojtjes, mesazhi është se fati i Greqisë qëndron në duart e qeverisë së saj.

Nëse zërat më të lartë, dëgjohen në mesin e Kristian Demokratëve të zonjës Merkel, partnerët e koalicionit, Socialdemokratët kanë shprehur edhe më herët simpatinë e tyre ndaj Syrizas. Njerëz të afërt me kancelaren, thonë se ajo është absolutisht e gatshme ta shohë Athinës jashtë eurozonës. Sigurisht, që ka dallime me ministrinë e financave, shefi i të cilës Volfgang Shojble këmbëngul se detyra e parë e Gjermanisë, është të sigurojë një të ardhme afatgjatë për eurozonën, duke zbatuar rregullat. Merkel ndërkohë sheh tek një perspektivë më e gjerë politike.

Nga ana tjetër, ajo po ruhet nga krahët ndaj një kryengritje të mundshme brenda partisë së saj, nëse endet shumë larg nga linja e ministrit të financave. Kancelarja, dhe kjo ndonjëherë harrohet, është një lidere e praktikuar mirë edhe në artin e vetë-ruajtjes. Dhe e vazhdon akoma. Ndërsa Syriza, duket e vendosur të marshojë edhe buzë humnerës dhe partnerët e saj, janë të bindur se eurozona do të përballojë goditjen e rënies së tij, një arsye e mirë për të insistuar në mbajtjen e Greqisë në eurozonë, ndjehet në mënyrë më akute nga zonja Merkel, sesa nga ndonjë lider tjetër i BE.

Ka shumë arsye jashtë ekonomisë, që mund të ndikojnë tek ajo. Dalja e Greqisë nga euro, do të grumbullonte më shumë pasiguri në kontinent dhe sidomos tek rajonet më të ndezura.

Putin, që tashmë po provokon destabilitet dhe subversion në Ballkan, do të kapte momentin. Qëndrimi i Evropës, kundër revashizmit rus mund të dobësohej seriozisht. Do të ishte edhe më e vështirë të kontrolloheshin flukset e emigrantëve nëpër Mesdhe;dhe përpjekjet për bashkimin e Qipros do të ngecnin.

E gjithë kjo, madje edhe para ndikimit mbi besueshmërinë e tregjeve në të ardhmen afatgjatë të eurozonës. Megjithatë, hamendja ime është se gjëja që e mban zonjën Merkel zgjuar gjatë natës, është në të njëjtën kohë shumë më pak të prekshme dhe jashtëzakonisht më e fuqishme, se çfarëdolloj llogaritje e vështirë në kokë.

Më shumë gjasa, ajo është e ndarë në mes besimit të saj të fortë, mbi rëndësinë e ruajtjes së rregullave – shkelja e rregullave nga zoti Putin, shpjegon reagimin e saj të ashpër ndaj pushtimit rus të Ukrainës Lindore – dhe kuptimit të saj akut të misionit evropian të Gjermanisë.

Zonja Merkel, e sheh veten si një rojtare të unitetit evropian, aq më tepër që prej kohës kur qeveria franceze e Fransua Holond, është tërhequr nga roli i bashkëudhëqësit, që dikur përbënte metaforikisht motorin franko-gjerman.

Largimi i Greqisë do të ishte një dështim historik; një pranim i brishtësisë së ndërmarrjes Evropiane, dhe një sinjal për botën se procesi i integrimit ende mund të shkatërrohet. Asnjë nga këto, nuk do të thotë shumë për anglo-saksonët, me një prirjeje euroskeptike. Por një Gjermani e re e ribashkuar, u themelua mbi supozimin se e ardhmja e saj ishte rrënjosur në unitetin më të madh, që kishte patur ndonjëherë Evropa.

Kjo, dhe vizitorët në Berlin e kujtojnë, ishte trashëgimia e madhe e Helmut Kolit. Një mik i imi italian, sugjeroi pak ditë më parë se Evropa mund ta shikojë Greqinë, siç Italia e ka parë prej kohësh rajonin Mezzogiornios:të pazëvendësueshëm, jashtëzakonisht të shtrenjtë, por në fund të fundit me vlerë për të paguar për të.

Unë jam i sigurtë, se Merkel nuk do të shkojnë aq larg, por as nuk do ta lerë kaq lehtë Greqinë të largohet. Këtu qëndron edhe ironia. Sido që të jetë rezultati – Grexit ose një program tjetër shpëtimi – kancelarja gjermane mund të jetë humbësja më e madhe.

“Financial Times”-Bota.al

Leave a Reply

Back to top button