Psikologji

Një ditë larg gjithçkaje

Me ardhjen e të nxehtit, filluan dhe postimet në rrjetet sociale. S’kishte si të ndodhte ndryshe. Foto nga deti, nga pishinat, nga shkuma party-t, ndërkohë që shumë të tjerë si ne janë në punë, apo disa të tjerë edhe duke mësuar për provimet e sezonit. Në pikun e vapës të vijnë dhe ca ide filozofike se sa e pabarabartë është kjo jetë, sikur këto ide do t’i zgjidhin gjërat.

Pastaj ka edhe nga ata që i kanë planifikuar pushimet jashtë vendit që gjatë dimrit. Nuk rrinë pa postuar për vendet ku do shkojnë. Ata mirë kanë bërë, por jo të gjithë i kemi mundësitë e tilla dhe këtë e kemi kuptuar më së miri. Për mendimin tim, për ne që s’i kemi këto mundësi, jugu i vendit tonë është një perlë e vërtetë. Gjen plazhe me ujëra të kristalta, saqë është mëkat mos t’i vizitosh gjatë verës. E kanë tepruar pak tregtarët me çmimet, por edhe atyre nuk ua hedh dot. I dinë vlerat e vendeve dhe i rrisin çmimet. Por krahas kësaj, mua më vjen çudi se si nuk dimë t’i vlerësojmë bukuritë e Jalës, Radhimës, Himarës e vendeve të tjera super të bukura.

Mendoni për një moment për kosovarët, apo për qytetarët e vendeve të tjera që nuk kanë bregdet. Bëjnë kushedi sa rrugë, shpenzojnë shumë më shumë se ne për të ardhur në bregdetin tonë. Ndërkohë ne e kemi bregdetin jugor dhe nuk dimë ta vlerësojmë, por zgjedhim vendet jashtë se atje na duket më bukur. Fotoshopi bën të vetën, por ka ende nga ata që besojnë që ngjyrat e theksuara blu nëpër fotot e agjensive turistike janë vërtet ashtu jashtë shtetit.

Ndërkohë jemi dhe ne të tjerët që rrimë mbyllur brenda në shtëpi, ose në punë. Mendojmë për gjithë ato probleme që e kanë zaptuar jetën tonë dhe na duket e kotë të mendojmë të “bëjmë qejf” nëpër pushime, ndërkohë që nuk kemi zgjidhur akoma problemet që kemi. Plazhi është një privilegj i madh, ndërkohë që stuhi të tëra me probleme e kanë pushtuar jetën tonë.

Faji është i gjithë yni. Për këtë pjesë gabojmë shumë rëndë. Të gjithë e dimë që problemet nuk mbarojnë kurrë, e prapë mundohemi e stërmundohemi t’i zgjidhim. Na rroftë e diela pushim që kemi në fundjavë, ndërkohë që e kalojmë brenda e mendohemi për gjithë hallet e problemet që kemi. Të gjithë e kuptojmë se detyrimet vijnë përpara dëshirave. Mendojmë se duhen mbyllur fillimisht ato që duhen bërë, përpara se të kalohet në gjërat që kemi dëshirë të bëjmë.

Së pari harrojmë se pushimet nuk janë dëshira, por nevoja për secilin nga ne dhe së dyti, a e dini se si vijojnë gjërat? Kur mbyllim një problem, na del një tjetër. Nëse nuk është problem, është ndonjë dëshirë e madhe dhe na mundon krejtësisht njësoj sikur të ishte një problem. Mendojmë ta mbyllim edhe atë, ndërkohë që ditët ikin dhe verës i vjen fundi.

Disa mundohen të kursejmë, të mos shpenzojnë shumë, të kënaqen duke dalë për ndonjë kafe në qytetin e tyre pa iu larguar rutinës së përditshme, por harrojnë se sa të nevojshme i kanë pushimet, pushimet në një vend tjetër. Ka nevojë çdokush nga ne për disa ditë larg stresit të punës, shkollës, larg problemeve të përditshme. Kemi nevojë të qetësohemi, të mbyllim rrjetet sociale dhe për disa ditë të largohemi nga gjithçka. Të jemi ne dhe familja ose shoqëria jonë dhe të shijojmë çdo moment të mundshëm.

Ndaj, nëse gjen pak kohë të lirë, mos u mendo dy herë. Ik me pushime, sikur edhe të shkosh një ditë të vetme në fundjavë, të dielën që ke pushim. Telefono shoqërinë tënde, ose organizo familjen për të shkuar në plazh atë ditë. Ndoshta nuk do kënaqesh aq shumë sa me pushimet afatgjata, por qetësinë do e kesh. Do e harrosh pak rutinën dhe ky është qëllimi i pushimeve. Të qetësohesh dhe pastaj t’i kthehesh rutinës së përditshme plot me energji pozitive.

Dikush ndoshta nuk do i ketë kushtet apo komoditetin, si në filmat që ka parë, por më besoni që gjithë lodhja që keni pasur gjatë gjithë vitit, nuk do ju bëjë të shihni kushtet. Do preferoni të shtriheni në atë shezllonin tuaj, me kremin në trup dhe të merrni qetësisht disa rreze dielli. Në fund të ditës nuk do mbani mend problemin që zgjidhët, por kënaqësinë që fituat gjatë asaj dite. Mendoni edhe që kudo ku të shkoni, nëse do të keni pranë njerëz me shpirt të bukur, do të ndiheni gjithmonë mirë. / bota.al

Leave a Reply

Back to top button