Analiza

Një Europë e qytetarëve

Screen Shot 2016-04-16 at 23.04.44nga Ana Palacio

Muaji i kaluar ishte një tjetër muaj mizor për Europën, i cili e pati kulmin në sulmet terroriste në Bruksel, në 22 mars. Pas atyre sulmeve, europianët kanë vënë në shënjestër dështimet institucionale të Bashkimit Europian dhe paaftësinë e tyre, për të mos përmendur krizën ekzistenciale me të cilën ai përballet.

Mendime të tilla duket se shfaqen shpesh këto ditë, teksa Europa përballet me një seri të pafundme emergjencash, nga kriza greke, tek fluksi i refugjatëve. Megjithatë vetëkënaqësia mbetet në rend të ditës, teksa udhëheqësit e BE adoptojnë një mentalitet reagimi ndaj krizës që privilegjon reagimin në vend të veprimit, dhe përjetëson ciklin e destabilizimit.

Fakti që krizat janë shndërruar në normalen e re të BE e ka forcuar idenë, tashmë të kudogjendur mes eurofilëve dhe eurokratëve, se ne thjeshtë do të vazhdojmë të bëjmë përpara. Kjo qasje është e gabuar dhe e rrezikshme.

Kështu si është, uniteti europian po shpërbëhet me shpejtësi. Referendumi i sapo përmbyllur në Holandë, ku votuesit holandezë refuzuan në shumicë një marrëveshje asociimi mes BE dhe Ukrainës, është thjeshtë shembulli më i fundit. Nëse BE dëshiron t’i mbijetojë këtij shkatërrimi me lëvizje të ngadaltë, nevojitet me urgjencë veprim i guximshëm.

Eshtë koha të vendoset, nëse BE është vërtetë një sipërmarrje transnacionale, apo thjeshtë një mjet për marrëveshje ndërqeveritare. Nëse është e dyta, atëherë duhet që t’i vëmë emrin që ka. Por në atë rast duhet të kuptojmë se ne – BE dhe shtetet anëtare – praktikisht po dorëzohemi përpara humbjes së peshës sonë. Nëse vetëm flitet dhe nuk veprohet për një qasje të përbashkët në fushat kritike, kjo i lë problemet hapur dhe shanset të pashfrytëzuar. Thënë më thjeshtë, me një qasje “secili për vete”, të gjithë do të fundosen.

Një sipërmarrje transnacionale është opsioni më i lartë. Por është edhe më i vështiri, sepse ai kërkon ndryshime të thellë dhe themelorë, për qasjen ndaj çështjes së integrimit europian.

Mëkati fillestar i projektit europian është se, pavarësisht Brukselit, nuk ka bazë elektorale europiane. Ngjarjet, politikat, dhe sfidat shihen me lente kombëtare. Kriza e refugjatëve e ka nxjerrë fort në pah këtë gjë; por vënia e theksit mbi sistemin europian nxjerr në pah perspektivat nacionaliste.

Dhe përse nuk duhet të jetë kështu? Në fund të fundit, llogaridhënia politike – për të mos përmendur paratë e taksave – burojnë nga qytetarët, tek kryeqytetet e shteteve. Por ndarja mes BE dhe qeverive të vendeve anëtare është e rremë. Nën-varësia, e zbatuar si duhet dhe e kuptuar si fuqi vendim-marrëse në nivelin e duhur të qeverisë, është dhe duhet të mbetet një parim udhëheqës i veprimit europian. Megjithatë, ka raste kur nevojitet veprim kolektiv. DHe që ky veprim të jetë i efektshëm, niveli i BE nuk duhet të jetë një vend për të “larë duart”.

Figurat politike kombëtare nuk mund të vazhdojnë të pretendojnë se Brukseli apo Komisioni Europian është burimi i gjithë problemeve të tyre, dhe të ndjekin masa dritëshkurtëra që në fund i acarojnë krizat. Po kështu, zyrtarët e BE nuk mund të vazhdojnë të mbledhin supet dhe të fajësojnë politikanët kombëtarë për dështim në implementimin e masave mbarëeuropiane. Në vend të kësaj, BE i nevojitet një autoritet i vërtetë për të zbatuar politikat.

Një person i brendshëm në Bruksel më tha kohët e fundit se BE, për shkak të krizave, po hyn në një fazë të re fuqizimi, ku ajo dhe jo shtetet anëtare, ka autoritetin real implementues. Dhe në të vërtetë, ka shembuj ku BE ka marrë një lloj pozicioni ekzekutiv; kështu, BE pritet të luajë një rol udhëheqës në zbatimin e marrëveshjes së saj të fundit me Turqinë, për të zgjidhur krizën e refugjatëve.

Por një ndryshim pozitiv dhe legjitim drejt një ekzekutivi të efektshëm të BE-së kërkon një lidhje më të fortë mes njerëzve dhe atyre që veprojnë në emër të tyre. Me fjalë të tjera, ne duhet të krijojmë një bazë elektorale transnacionale.

Kjo nuk është ide e re. Ka patur prej kohësh mbështetje për idenë e nënshtetësisë europiane, dhe traktatet e BE përfshijnë nene që do të shërbenin si gurë themeli për këtë qëllim. Por përparimi i kufizuar në këtë front, pasqyron ndjenjat popullore. Në pesë vitet që kur Eurobarometri nisi të pyesë pjesëmarrësit në vëzhgime nëse ndihen qytetarë të BE, numri i atyre që përgjigjen pozitivisht është rritur me vetëm 2% (nga 62% në 2010 në 64% në 2015).

Thellimi i lidhjeve politike mes europianëve kërkon reformë institucionale, të bazuar në veprimin kolektiv, vetëdijësimin dhe pronësinë. Fara e një sipërmarrjeje të tillë – që nga zëvendëismi i sistemit elegant të Spitzenkandidaten me zgjedhje të drejtpërdrejta në mbarë BE-në për presidentin e Komisionit Europian, deri tek shqyrtimi i idesë së një takse të drejpërdrejtë për BE me qëllim krijimin enjë vije të qartë llogaridhënieje – tashmë është hedhur.

Sigurisht që përpjekje të tilla do të hasin në kundërshti; në fund të fundit, sistemi aktual është jo pak i rehatshëm për shumëkënd. Por procesi i shpërbërjes ka nisur. Vetëm një qytetari e vetëdijshme europiane mund të dobësojë forcat centrifugale që shfaqen në çdo krizë, sepse vetëm një qytetari e tillë europiane mund të garantojë llogaridhënien në nivel të BE, mund të detyrojë zyrtarët që të formulojnë dhe zbatojnë politika efektive, dhe të thejnë kështu ciklin e fajësimit që aq shumë e vështirëson vendim-marrjen europiane. Krijimi i këtij vetëdijësimi do të jetë një proces kohëgjatë, por ai është thelbësor.

Në një kohë sfidash të tilla të vështira, forcimi i transnacionalizmit mund të duket masë ekstreme dhe e paarritshme. Por nëse nuk pranojmë arsyet e vërteta përse vazhdojmë të goditemi prej krizave, do të jemi të destinuar që të vazhdojmë të zvarritemi përpara, deri kur të mos ketë më BE./Bota.al

Botuar nga Bota.al me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate – A Europe of Citizens

Leave a Reply

Back to top button