Analiza

Një leksion francez për liberalët amerikanë

Nga Kenneth R. Weinstein

Screen Shot 2015-03-02 at 2.02.49 PMPas sulmeve të tmerrshme terroriste javët e fundit në Evropë, një udhëheqëse imponuese në rrafshin ndërkombëtar, ka dalë në ballë të luftës kundër radikalizmit islamik: Franca, dhe veçanërisht qeveria e saj socialiste. Pas sulmeve terroriste në Paris, në zyrat e revistës satirike “Charlie Hebdo”, dhe në supermarketin hebre “Hyper Cacher” në fillim të janarit, e majta franceze filloi t’i rikthehet parimeve të saj të kahershme të laicizmit dhe liberalizmit, të cila gjatë viteve të fundit ishin sprapsur, për t’ia lënë vendin multikulturalizmit dhe korrektësisë politike.
Pas vrasjeve të ndodhura në kryeqytetin danez Kopenhagë, në mesin e muajit shkurt, si pasojë e sulmeve në një sinagogë dhe tek një mbledhje, ku po diskutohej mbi sulmet islamike dhe karikaturistët që vizatojnë profetin Muhamed, kryeministri socialist francez, Manuel Vals, dha menjëherë mbështetjen e tij për danezët, duke shkruar në Twitter se “liberté” (liria) ishte sulmuar, duke shtuar se “Franca nuk do të dorëzohet”. Nga kjo përgjigje, duhet të mësojë shumë e majta amerikane.
Për më shumë se një dekadë, e majta amerikane, e ka shndërruar në një prioritet shmangien e një ekzaminimi serioz të islamit radikal. Ajo është kujdesur përherë të heqë shpejt nga vetja barrën e akuzave mbi islamofobinë ose për t’i sfiduar ata që nuk e miratojnë gjuhën e tyre të vlerave neutrale, duke lënë të kuptohet se diskutimi i sinqertë, mbi sfidën e islamit radikal, do të sjellë sulme të mëtejshme.
Mjerisht, edhe kjo qasje, nuk ka çuar në një zbutje të xhihadit të dhunshëm. Në vend të kësaj, liberalët tani merren me diskutime të vështira, rreth shtysës themelore të terrorit islamik.
Nëse presidenti Barak Obama, refuzon të përdorë frazën “Islami radikal”, duke përdorur në vend të saj temrin “ekstremizëm i dhunshëm”, apo duke e mohuar se Shteti i vetëshpallur Islamik, është në fakt “islamik”, ndikimi mbetet i njëjtë: Diskutimet e debatet, si dhe kërkimi shpirtëror, që do të duhej të vijnë së bashku me ato përpjekje të rëndësishme, janë penguar.
Përkundrazi, udhëheqësit e majtë të Francës po përshtatin një qëndrim të kundërt: ata kanë të refuzuar qasjen politikisht korrekte, vlerat neutralte, që dështuan të sfidonin radikalizmin islamik, deri kur islamizmi i rritur në shtëpi, goditi Francën. Tani ata po përballen me thelbin dhe kuptimin e drejtë të radikalizmit islamik.
Pas sulmeve të Parisit, lidershipi socialist i Francës përqafoi luftën kundër terrorit islamik, si një çështje thelbësore për identitetin kombëtar francez, duke e përcaktuar atë si një luftë për parimet e iluminizmit dhe tolerancës, përkundrejt fanatizmave reaksionare.
Në formulimin e përgjigjes së saj, e majta franceze po ringre dy nga parimet e saj themeluese. I pari është një produkt i Iluminizmit dhe mendimtarit të madh të shekullit të XVIII-të, Volterit: laicizmi. (Në shumë mënyra, vetë Charlie Hebdo është një trashëgimtare vulgare, e një tradite të pasur franceze, mbi satirën laike dhe antifetare).
Parimi i dytë, uniteti qytetar, u artikulua mjaft mirë nga kundërshtari filozofik i Volterit, Zhan Zhak Ruso. Ky e argumentoi unitetin republikan, nocionin sipas të cilit pjesërisht, interesat private, duhet të jenë në vartësi të një të mire universale qytetare.
Kuptimi i këtyre doktrinave ndihmon të përcillet vlera e tyre, në debatin mbi terrorin. Si fillim laicizmi u ngrit nga kundërshtimi i zjarrtë ndaj fesë zyrtare në Francë, Kishës Katolike, e cila ishte në aleancë me regjimin e vjetër monarkik. Përpjekjet e së majtës për të ndarë fenë nga jeta publike, patën sukses në vitin 1905, kur Franca ndërmori reforma të mëdha ligjore, duke lejuar lirinë e adhurimit privat, por duke ndaluar dhënien e fondeve shtetërore për kishën. Arsimi publik gjithashtu u bë plotësisht laik.
Sot, ndarja strikte në Francë, mes fesë dhe shtetit, e ndalon shprehjen e fesë nga shteti. Kjo mbrojtje e ashpër e jetës publike nga feja, që përfshin edhe një ligj që ndalon perçen, është e huaj për shumicën e amerikanëve, të cilët e shohin shtetin si promovues të lirisë së fesë, jo lirisë nga feja. Sfida për të majtën franceze është që të aplikojë të njëjtat parime që ka vendosur ndaj klerit të krishterë një shekull më parë, edhe ndaj bashkësisë së madhe myslimane, pa rënë pre e paragjykimeve apo injoruar diskriminimin real ekonomik dhe social, që ende pengon integrimin e muslimanëve.
Eshtë interesante të theksohet, që kryeministri Vals, tani politikani më popullor i së majtës, mbeti i izoluar gjatë në partinë e tij, pikërisht për shkak të respektimit të këtyre parimeve laike. Parimi i dytë, uniteti republikan, është thelbësor që nga themelimi në vitin 1870 i Republikës së Tretë, ku shenjat dalluese të Francës janë asimilimi qytetar, laicizmi dhe patriotizmi. Pikërisht tek këto parime, zoti Vals ka mbledhur Francën.
Në dallim nga shumë amerikanë të majtë, zoti Vals flet haptazi për një France në luftë me “terrorizmin, xhihadin, dhe islamin radikal”, ndërsa refuzon akuzat për islamofobi, apo edhe përpjekjet e tjera për të “shuar kritikat ndaj islamit”. Kohët e fundit, Xhonatan Chait argumentoi në revistën “New York” se e majta amerikane, është shpesh e gatshme të përdorë politikën e identitetit, për të shtypur lirinë e shprehjes.
Duke vënë theksin tek frika e fyerjes së myslimanëve, ajo sugjeron se feja e tyre i bën ata të paaftë për një debat serioz. Për të vendosur korrektësinë politike, mbi mbrojtjen e vlerave liberale, ne duhet të heqim dorë nga shoqëritë tona dhe anëtarët myslimanë të ideve ekstremiste. Ne mund të jemi qytetarë, pa qenë të dobët. Mund të shikojmë sesi udhëheqja franceze u përqëndrua në karakterin ideologjik të islamizmit radikal, edhe pa u shfajësuar për aderimin e saj në parimet liberale, si një pikë kthese në luftën tonë të përbashkët. /”Instituti Hudson”/
a.g./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button