Ekonomi

Një mësim nga ngjitja e Polonisë dhe rënia e Ukrainës

Phil Gramm
Michael Solon
poland 1Teksa nxirrte Turqinë prej rrënojave të Perandorisë Otomane, Mustafa Qemal Ataturku paralajmëronte bashkatdhetarët e tij në vitin 1923, se gjithçka që kishin arritur, varej tashmë në një ekuilibër shumë të brishtë: “Sado të mëdha që të jenë, fitoret politike dhe ushtarake nuk mund të zgjasin, nëse nuk kurorëzohen edhe me triumfe ekonomikë”. Nëntëdhjetë vjet më vonë, këto fjalë të mençura të Ataturkut kanë vlerë jo vetëm për Turqinë në fillimet e saj, por për të gjithë kohërat dhe për të gjithë popujt që kërkojnë të fitojnë dhe ruajnë lirinë dhe pavarësinë.
Nuk ka shembull modern më të mirë, sa i përket fuqisë së një triumfi ekonomik, se sa eksperienca e Ukrainës dhe Polonisë në periudhën e pas Luftës së Ftohtë. Me rënien e Murit të Berlinit dhe shpërbërjen e BRSS, të dy kombet – të cilët dolën prej dominimit sovjetik me sisteme ekonomikë dhe politikë praktikisht identikë – krejt papritur e panë veten në gjendjen më të rrallë të mundshëm në Europën Lindore: pavarësinë.
Ukraina e ka çuar dëm potencialin e saj ekonomik me korrupsion të pandalshëm, nepotizëm dhe kontroll të qeverisë. Me defiçite buxhetorë deri 14% e GDP-së, hiperinflacion, dhe një ekonomi informale që i afrohet 50% të të gjithë veprimtarisë ekonomike, ekonomia e Ukrainës, që nga viti 1992 është rritur vetëm sa një e pesta e ekonomisë së fqinjit të saj më të vogël, Bjellorusisë. Të ardhurat për frymë në Ukrainë, të matura me dollarë, kanë arritur vetëm 3900 USD në vitin 2013, nga një bazë prej 1570 USD që ishin në vitin 1990.
Sot, e gjithë bota është e vetëdijshme se dështimi ekonomik i Ukrainës ka vënë në rrezik lirinë dhe pavarësinë e Ukrainës, si dhe e ka detyruar atë të luftojë me kurajë për të dyja.
Sipas të gjithë matësve tradicionalë, Ukraina duhej të ishte një vend i pasur. Ajo ka tokë bujqësore të klasit botëror, është e pasur në hidrokarbure dhe burime minerale, dhe ka një forcë punëtore të mirëarsimuar. MEgjithatë, Ukraina mbetet e varfër sepse, ndërkohë që shtete të suksesshëm europiano-lindorë i kanë zëvendësuar institucionet e tyre të planifikimit qendror me reforma të bazuara mbi tregun, Ukraina nuk ka qenë asnjëherë në gjendje të shkëputet prej zinxhirëve të kolektivizmit. Vetëm tani Ukraina po përpiqet seriozisht që të kufizojë qeverinë, të kontrollojë shpenzimet, të ndalë rritjen e borxhit kombëtar dhe të stabilizojë vlerën e monedhës së saj.
Këto janë reforma që Polonia i vuri në zbatim pothuajse çerek shekulli më parë, duke e transformuar rrënjësisht ekonominë e saj. Duke vënë në zbatim parimet e ekonomisë së tregut dhe çliruar gjeninë e popullit të vet, Polonia ka shkuar drejt një triumfi ekonomik, teksa të ardhurat për frymë, të matura në dollarë, arritën në më shumë se 13 432 USD, nga 1683 USD që ishin në vitin 1990. Sot Polonia është vendi me rritje më të shpejtë ekonomike në Europë. Sukseset e saj ekonomikë dhe reformat demokratike i kanë siguruar anëtarësimin në BE, dhe sovraniteti dikur i pasigurtë i Polonisë, sot është “i ankoruar” në NATO.
Njeriu që ka meritën më të madhe për transformimin e Polonisë është Leszek Balcerovic, ish ministri i Financave që më vonë u bë Guvernator i Bankës Qendrore të Polonisë. Kur e transformoi vendin e tij, nga një ekonomi kolektiviste shtetërore, në një ekonomi të orientuar nga tregu i lirë, Balcerovici, në vitin 1989 nuk kishte një manual për të lexuar, apo një shembull modern për të ndjekur.
Ai kishte përballë dy zgjedhje: të vepronte me guxim, me atë që e quante “terapia e shokut”, ose të vepronte ngadalë dhe hap pas hapi. Veprimi i guximshëm kishte pak shanse për suksesi, por veprimi hap pas hapi nuk kishte fare shanse për sukses. Siç e thoshte Balcerovici, “një opsion me shumë risk është gjithmonë më i mirë se sa një opsion i pashpresë”.
Koncepti i tregjeve të lirë ishte i huaj për popullin polak, por Balcerovici kuptoi se liria ekonomike ishte një kusht i domosdoshëm për prosperitetin dhe, për ruajtjen e lirisë politike dhe pavarësisë kombëtare. Plani Balcerovic u ndërtua përreth lejimit të kompanive shtetërore që të falimentonin, ndalimin e financimit të defiçitit si dhe ruajtjes së një monedhe të fortë. Ai u dha fund interesave artificialisht të ulëta të huave për kompanitë shtetërore, hapi tregtinë me jashtë dhe vendosi konvertueshmërinë e monedhës.
Plani i tij u shndërrua në ligj në 31 dhjetor 1989, dhe brenda pak ditësh inflacioni – i cili kishte arritur një normë vjetore 17 000 % – nisi të bjerë. Polonia “lidhi” vlerën e monedhës së saj me dollarin, gjë që lejoi rivlerësimin e monedhës së saj katër vite më vonë, duke u vënë kryqin katër zerove. Sapo reformat nisën të zbatohen, mallrat nisën të shfaqen fillimisht në bagazhet e makinave, më pas në stenda në rrugë, në dyqane të vegjël dhe në fund në dyqane të mëdhenj. Po ndodhte një tranzicion i mrekullueshëm, dhe pjesa tjetër është histori.
Duke kurorëzuar fitoren e saj të madhe të arritjes së pavarësisë me një triumf ekonomik, Polonia ishte vetëshpallur një shtet perëndimor. Ndërkohë që populli i Ukrainës është i ndarë prej gjuhës dhe trashëgimisë, në Poloni populli është i bashkuar prej begatisë dhe një shprese të përbashkët për të ardhmen. Duke përdorur fitoren politike për të ribërë ekonominë, Polonia krijoi begatinë që ka forcuar dhe konsoliduar lirinë dhe pavarësinë e saj.
Sentenca e Ataturkut është një paralajmërim se pa rritje ekonomike dhe begati, fitoret politike dhe ushtarake mund të jenë rastësore dhe pa vazhdimësi historike. Presidenti Obama ka arritur fitore historike politike. ObamaCare, reformat financiare Dodd-Frank, programi më i madh i stimulit në historinë e Amerikës dhe zgjerimi më i qëndrueshëm i autoritetit rregullator në tre të katërtat e shekullit arritën të përmbushin një agjendë progresiste që kish nisur që para shekullit 20. Ndërkohë që Obama e ka transformuar shoqërinë amerikane, programi i tij nuk ka arritur të prodhojë një triumf ekonomik, një dështim ky që një shoqëri e lirë nuk do ta tolerojë gjatë.
Programi i Reaganit, i cili nisi në fillimin e viteve ’80, dominoi politikën ekonomike të Amerikës për një çerek shekulli, sepse ai prodhoi begati me bazë të gjerë në atë që sot na duket si një periudhë e artë. Ndërkohë që programi i Reaganit është shfuqizuar në pjesën ëm të madhe, në mesin e rimëkëmbjes së dështuar ku ndodhemi sot, suksesi i tij shndërrin edhe më fort.
Por më shumë se sa për kujtime, Amerika ka nevojë për një brez të ri udhëheqësish që të jenë gati, siç ishin Reagani dhe Balcerovici, me një plan veprimi kur Amerika t’i kthehet sërish sistemit të lirisë dhe shanseve që e bënë atë kombin më të madh në historinë e botës.
* Gramm, ish senator republikan i Teksasit është partner në US Policy Metrics dhe akademik në American Enterprise Institute.
* Solon, ish këshilltar në Kongres, është partner në US Policy Metrics
PERSHTATUR NE SHQIP NGA BOTA.AL

Leave a Reply

Back to top button