Psikologji

Një mik i mirë… në rrjetet sociale

E keni menduar ndonjëherë se sa shumë rastësi mund të na ndodhin në jetë? Jeta është me surpriza të këndshme, ose jo. Mund të jemi duke bërë diçka dhe në mënyrë krejt të papritur na shfaqet një mundësi që e prisnim prej kohësh. Mund të njohim dikë dhe të ndihemi keq se pse nuk e kemi njohur qysh kohë më parë, sepse mund të gjejmë shumë cilësi të përbashkëta me të.

Mundësitë apo njohjet mund të na shfaqen edhe online, aty ku të gjithë mendojnë se njerëzit shtiren, apo nuk janë vetvetja, sepse ekrani i një kompjuteri apo celulari e fsheh fytyrën apo reagimin tonë të vërtetë. MIrëpo askush nuk mendon se sa e lehtë është të hapemi me dikë që ndoshta e kemi njohur sot dhe që nuk e njohim realisht. Askush nuk e kupton se sa të lirshëm mund të ndihemi teksa flasim me dikë që nuk ka për të na gjykuar.

E keni ndjerë ndonjëherë barrën mbi supe, nëse keni folur për diçka shumë personale me dikë që nuk duhet ta bënit? Ju është dukur sikur ai person do t’ju përfliste në gjithë të njohurit tuaj të përbashkët? Epo kjo gjë nuk mund t’ju ndodhë, nëse hapeni me dikë që keni pak që e njihni, por që shihni se keni plot karakteristika të përbashkëta me të. Dhe është e habitshme se si ndonjëherë mund të gjeni miq aq të mirë online, saqë nuk i keni gjetur asnjëherë përreth jush. Është e habitshme se si gjërat janë ndarë në mënyrë të tillë që dy njerëz, të cilët kanë të njëjtat këndvështrime për çështje të ndryshme të vendosen aq larg njëri-tjetrit dhe të komunikojnë përmes internetit. Por ja që gjërat kështu janë të shkruara dhe duhet t’i bindemi fatit tonë. Ajo që na takon, është të jemi falenderues, nëse njohim dikë online që të na kuptojë më mirë nga sa e njohim veten tonë… / bota.al

Leave a Reply

Back to top button