Analiza

Një mundësi ideale për “të lënë shenjë” në histori

Thomas L. Friedman

njw mundesi ideale 1Deri tani, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka luajtur dobët në krizën e Ukrainës. Dua të them, sa i fortë mund të jesh, kur aleatët e tu këmbëngulin që të veshin maska? Por Putini mendon që i njeh kundërshtarët edhe më mirë nga sa ata e njohin vetveten. Ai mendon që amerikanët nuk do të jenë asnjëherë seriozë për energjinë, që europianët nuk do të jenë asnjëherë seriozë për sanksionet, që reformatorët ukrainas nuk do të jenë asnjëherë seriozë për qeverisjen, dhe që ai mundet të kontrollojë forcat separatiste që “ka lëshuar” në Ukrainë, t’i vërsulë, apo t’i tërheqë si të dëshirojë.

Përfundimi i krizës së Ukrainës varet shumë nga vërtetësia e kësaj që mendon Putini. Si po ecën deri tani basti i tij?

Kohët e fundit është folur shumë për lidershipin e Presidentit Obama. Ajo që di unë, është se nëse Obama do të dëshironte, Ukraina i ofron atij një shans të artë për trashëgiminë që do të lërë si lider. Me një iniciativë të vetme, ai mundet që në të njëjtën kohë të bëjë Amerikën më të fortë, Putinin më të dobët, planetin më të shëndetshëm dhe nipërit tanë më të sigurtë.

Duke qenë se kemi përjashtuar dërgimin e trupave, aftësia jonë (në terma afatshkurtër) për të influencuar Putinin duhet të mbështetet tek sanksionet me objektiva të qartë. Por mënyra më serioze për të dobësuar Putinin, ekonomia dhe qeveria e të cilit varet shumë nga një çmim mbi 100 dollarë për fuçi për naftën, është një kthesë e fortë në sektorin energjetik në Amerikë, e cila do të çlironte forca të tilla që, me kalimin e kohës, do të fillonin të kishin impakt mbi çmimin global dhe disponueshmërinë e naftës dhe gazit.

Obama duhet të mbledhë udhëheqjen e Kongresit në Camp David dhe t’u parashtrojë planin e tij: t’u ofrojë republikanëve naftësjellësin Keystone XL, shtrirje të mëtejshme të kërkim-zbulim-nxjerrjes së naftës dhe gazit, dhe në kërmbim të kërkojë një taksë mbi dioksidin e karbonit në përpjestim me të ardhurat, si dhe një standart kombëtar, sipas të cilit çdo kompani në Amerikë, do të aplikonte – në mënyrë graduale – gjithnjë e më shumë energji të rinovueshme. Po kështu, duhet të miratojë edhe stimuj për të rritur pjesën që zë energjia bërthamore në prodhimin e energjisë elektrike.

Unë e urrej Keystonin, që sjell shtresa argjilore të shpifura nga Kanadaja dhe kam shumë shqetësime për nxjerrjen e naftës dhe gazit me standarte shumë të ulët mjedisorë, por këtë marrëveshje do ta pranoja menjëherë sepse, shumë shpejt një taksë e duhur mbi dioksidin e karbonit do ta bënte joekonomik nxjerrjen prej shtresave argjilore.

Shtëpia e Bardhë sapo publikoi një studim i cili paraqet efektet e ndryshimit të klimës të shkaktuar prej veprimeve të njeriut në çdo cep të Amerikës, për të mos përmendur botën. Kështu që, një marrëveshje e tillë e madhe, do të jetë një strategji që veç fitues do të ketë. Do të na rriste njëkohësisht hapësirën e manovrimit ndaj Putinit dhe Nënës Natyrë. Dhe do të ulte shumë kostot e teknologjive të reja, me qëllim që t’i zbatojmë në shkallë të gjerë, dhe të garantojmë që Amerika do të jetë lidere në industrinë globale të të ardhmes: teknologjinë e pastër. Obama duhet ta flakë mantelin e maturisë dhe të bëjë veprime të mëdhenj. Nëse republikanët nuk mbështesin, kjo do i ekspozonte si politikanë që nuk janë të gatshëm të bëjnë gjërat që do frenonin Putinin, për të mos përmendur ndryshimet klimatikë dhe politikat që do të na bënin më të fortë dhe më të shëndetshëm.

Por, siç e thashë, Putini mendon që na njeh më mirë se sa njohim vetveten. Nuk është se s’ka arsye: për dekada të tëra, të dy partitë në Amerikë nuk kanë arritur të zhvillojnë një strategji energjetike, dhe kemi paguar për këtë – me tronditjet e çmimeve të naftës, luftëra, ndotje dhe ndryshim klime. A jemi të dënuar që të jemi përgjithmonë marrës, dhe jo krijues të politikave energjetike?

Dhe Putini mendon se i njeh europianët më mirë, përderisa shumë prej tyre përfitojnë nga nafta dhe gazi që ai u ofron. Deri tani, europianët kanë folur butë, duke mbajtur në dorë një baguette të madhe.

Edhe reformatorët në Ukrainë kanë një rol të madh për të luajtur. Ata duhet të gjejnë një mënyrë për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme në sa më shumë pjesë të Ukrainës që të munden në 25 maj, dhe më pas të kryejnë me shpejtësi zgjedhje parlamentare dhe reforma kushtetuese, për të hedhur themelet e një qeverisjeje të mirë. E fundit gjë që do të donte Putini, është një qeveri reformatore e zgjedhur me vota të ndershme në Kiev, që do të kishte legjitimitetin të afronte Ukrainën me Bashkimin Europian. Kështu që, kjo është e para gjë që duhet të bëjnë ukrainasit.

Por Putini duhet të bëjë kujdes. Aleatët separatistë që ka nxitur përmes agjentëve të tij, si dhe propaganda e madhe “Gëbelsiane” në Ukrainën lindore mund t’i dalë jashtë kontrolli. Separatistët e frymëzuar nga Putini mund të bindin Ukrainën lindore se me Lindjen nuk ka të ardhme, dhe Kievi mund t’i lërë të bien në prehërin e Putinit – dhe nën përgjegjësinë ekonomike të tij.

Putini mund të mendojë se është Supermeni, por fakti është që Amerika, Europa dhe reformatorët ukrainas kanë së bashku aftësinë të gjenerojnë Kriptonitin që do e bënte atë të pafuqishëm: unitetin europian, legjitimitetin e qeverisë ukrainase dhe energjinë e SHBA. Këto janë gjërat të cilave ai u trembet më shumë. Por, e përbashkëta e tyre është se janë të vështira, duan vendime seriozë dhe do të kërkojnë një lidership të jashtëzakonshëm për t’u arritur. Kështu që, mbajini parasysh këta fronte. Ju siguroj që Putini po e bën. (New York Times)

Leave a Reply

Back to top button