Analiza

Një mur lufte dhe urie, ndan racën njerëzore

  • Eshtë sikur një mur e ka ndarë racën njerëzore, nga njëra anë janë ata që jetojnë në zonat e luftës dhe tragjedisë, dhe nga ana tjetër ata që jetojnë në iluzionin e paqes, në vendet që prodhojnë kushtet e luftës, por që i mohojnë përgjegjësitë e tyre
  • Për një konsumator të lajmeve në Perëndim, është më e lehtë të imagjinojë veten në një bar të Parisit, ose në Ramblas. Një sulm mbi këto qytete e trondit, sepse pasqyron njerëzimin në njërën anë të murit. E ka më të vështirë të imagjinojë veten në qendër të Mogadishut ose në distriktin administrativ të Ghaznit, në anën tjetër të pengesës që ndan njerëzimin
  • Migrimi dhe lufta janë fakte të pamohueshme. Por arsyet për migrimin dhe luftërat janë shqetësuese. Na volit gjithmonë të fajësojnë kulturën: shiitë dhe sunitë nuk bashkëjetojnë, turqit urrejnë kurdët, Islami ka një shpirt të dhunshëm që nuk mund të zbutet. Janë shpjegime raciste për një realitet që duhet të kuptohet, jo vetëm përmes përshkrimit kulturor, por edhe përmes analizës së faktorëve të tjerë, që zakonisht injorohen

Nga Vijay Prashad

Lajmet vijnë si uragan. Forcat irakiane pushtojnë Kirkukun, ndërsa Forcat Demokratike të Sirisë marrin Raqqan. “Ai Ueiuei” bën një film për refugjatët, ndërsa njerëz të dëshpëruar vazhdojnë të ikin nëpër shkretëtirën e Saharasë dhe kufirin që ndan Bangladeshin nga Burma. Portoriko ende nuk ka energji elektrike. Një ciklon godet Irlandën. Ushtarët amerikanë vdesin në Niger. Një pajisje shkatërruese shkakton qindra viktima në Mogadishu. Talebanët sulmojnë Paktian dhe Ghaznin në Afganistan.

Ekziston një frikë në rritje për një luftë të re të paligjshme nga amerikanët, kësaj radhe kundër Iranit ose Koresë së Veriut, ose të dyjave.

Është e vështirë për t’u gëlltitur. Duket se ka shumë dhimbje, shumë trishtim, shumë paaftësi për t’i transformuar këto histori, nga tragjedi, në shpresë.

Lufta dhe iluzioni i paqes

Në teori, mposhtja e grupit Shteti Islamik në Raqqa, duhet të jetë një burim gëzimi. Por edhe në këtë rast, ata që e kanë ndjekur deri në thellësi këtë histori, hezitojnë para se të festojnë. “Fitorja” është në kontrast me ngjarjet e Kirkuk-ut, një provë se periudha pas humbjes së IS-it do të jetë e komplikuar, ashtu si lufta kundër grupit xhihadist. Kufijtë janë duke lëvizur, shtetet konsolidojnë territoret e tyre.

A synon ushtria e Damaskut të shkojë në veri të Raqqës dhe të përplaset me forcat demokratike siriane? A synon ushtria turke të shkojë në jug, për t’iu kundërvënë ambicieve kurde, të cilët janë në shumicë, në forcat demokratike siriane? Çështja kurde, e mbajtur shtypur prej kohësh, a do të shkaktojë shpërthimin e ardhshëm në Azinë e brishtë perëndimore?

Çfarë mund të mendojmë për të vdekurit në Somali dhe Afganistan, tronditëse në shifra dhe tronditëse, pasi as nuk e kanë gërvishtur ndërgjegjen e Perëndimit? Është e vështirë për Perëndimin të njohë humanitetin, e të vdekurve somalezë dhe afganë. Emrat e tyre nuk janë komunikuar, jeta e tyre është e vështirë për t’u kuptuar. Eshtë sikur një mur e ka ndarë racën njerëzore, nga njëra anë janë ata që jetojnë në zonat e luftës dhe tragjedisë, dhe nga ana tjetër ata që jetojnë në iluzionin e paqes, në vendet që prodhojnë kushtet e luftës, por që i mohojnë përgjegjësitë e tyre. Është e lehtë për opinionin publik perëndimor të injorojë bombat në Afganistan, një vend i shkatërruar kohët e fundit, nga një luftë e nisur prej Perëndimit.

Është edhe më e kollajtë të injorohet Somalia, rënia e të cilës në duart e zotërinjve të luftës, është e lidhur ngushtë me peshkimin e peshqve të egër të peshkarexhave shumëkombëshe, në ujërat territoriale të Somalisë, si dhe me ndërhyrjet e fuqive të huaja (duke përfshirë Shtetet e Bashkuara). Kjo bashkëfajësi nuk ka pikë rëndësi. Ne thjesht regjistrojmë se ka pasur të vdekur, me pasivitet, duke nënkuptuar se gjithmonë do të ketë vdekje në ato anë, dhe se ka probleme kulturore që këta njerëz duhet t’i zgjidhin vetë.

Nuk do të ketë asnjëherë hashtag-e për këta afganë dhe somalezë, dhe flamujt e tyre nuk do të fluturojnë askund, sepse pothuajse askush nuk e di se çfarë pamje kanë. Për një konsumator të lajmeve në Perëndim, është më e lehtë të imagjinojë veten në një bar të Parisit, ose në Ramblas. Një sulm mbi këto qytete e trondit, sepse pasqyron njerëzimin në njërën anë të murit. E ka më të vështirë të imagjinojë veten në qendër të Mogadishut ose në distriktin administrativ të Ghaznit, në anën tjetër të pengesës që ndan njerëzimit.

Po në lidhje me krizën e refugjatëve, ardhja e të cilëve do të vazhdojë të trazojë Perëndimin, çfarë mund të thuhet? Ata janë gjithashtu trupa anonimë, të bërë bashkë nga dëshpërimi. Ka një farë përjetësie në poezinë e Salah Jaheen, mbi një refugjat palestinez: “Vuajtja e tij e ngecur mes brinjëve / i zhuritur dhe i uritur / rri ulur, pa asgjë për të bërë”.

Por kjo kotësi nuk mjafton. Jaheen vëzhgon refugjatët dhe shkruan: “Dhe në radhë ka mijëra familje / si dhe pesëqind mijë dhimbje”. Dhimbja është ajo që godet poetin, por ka më shumë, si e dinë mirë ata që kanë shkruar një artikull për refugjatët. Ka shpresë, pritje, sepse nëse nuk do të kishte, refugjati nuk do të kishte ikur kurrë.

Migrimi dhe lufta janë fakte të pamohueshme. Por arsyet për migrimin dhe luftërat janë shqetësuese. Na volit gjithmonë të fajësojnë kulturën: shiitë dhe sunitë nuk bashkëjetojnë, turqit urrejnë kurdët, Islami ka një shpirt të dhunshëm që nuk mund të zbutet. Janë shpjegime raciste për një realitet që duhet të kuptohet, jo vetëm përmes përshkrimit kulturor, por edhe përmes analizës së faktorëve të tjerë, që zakonisht injorohen.

Akt-akuzë e padëgjuar

Më 16 tetor, FAO festoi themelimin e saj në 1945, me Ditën Botërore të Ushqimit. Muajin e kaluar, organizata botoi një raport alarmant, që nuk tërhoqi shumë vëmendje. Në dokument, FAO raporton se uria në nivel global po rritet për herë të parë në dekadën e fundit: 815 milionë njerëz vuajnë nga uria, ose më shumë se 10 përqind e popullsisë globale. Numri u rrit me 38 milionë, krahasuar me vitin e mëparshëm. Programi Botëror i Ushqimit i Kombeve të Bashkuara ka përcaktuar përfundimet e këtij raporti, si “një akt padi kundër njerëzimit”.

Brenda raportit ka një shifër veçanërisht të rëndësishme: 489 milionë njerëz që nuk kanë qasje të mjaftueshme në ushqim, ose që janë analfabetë, jetojnë në vendet e prekura nga konfliktet e armatosura. Kjo do të thotë se shumica e atyre që vuajnë nga uria, jetojnë në zona lufte. Tre të katërtat e fëmijëve që janë të pazhvilluar në moshën 5 vjeç ose që vuajnë nga kequshqyerja akute, jetojnë në po këto zona, kryesisht të vendosura në Azinë Perëndimore, Afrikën e Veriut dhe Azinë Qendrore, në një rrip toke të thatë, që është veçanërisht i ndjeshëm ndaj pasojave të ndryshimeve klimatike, si dhe për luftërat që duket se s’kanë fund.

FAO thotë se rritja e urisë në botë është “kryesisht për shkak të përhapjes së konflikteve të dhunshme dhe fatkeqësive klimatike”. Në Irak, për shembull, dy rajonet e Ninevas dhe Salah al-Dinit, prodhuan një të tretën e grurit të vendit dhe 40 përqind të elbit. Sot, për shkak të luftës së paligjshme, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kundër Irakut në vitin 2003, prodhimi i ushqimit në rajon është kompromentuar rëndë. Në rajonin e Ninevas, 68 për qind e tokës së përdorur për kultivimin e grurit është shkatërruar, ndërsa 57 për qind e tokës së elbit është e papërdorshme. Zia e bukës në Sudanin e Jugut dhe Jemen është pasojë e drejtpërdrejtë e luftës. Somalia vuan nga uria për shkak të luftës dhe thatësirës, me gjashtë milionë njerëz (në një popullsi prej 14 milionësh) të cilët kanë nevojë jashtëzakonisht të madhe për ushqim. Përparimi i Boko Haramit në Nigerinë veriore dhe rreth basenit të Liqenit Çad, është i lidhur me shndërrimin e rajonit në shkretëtirë.

Lufta prodhon uri dhe uria, nga ana e saj, prodhon luftë. Presioni i ushtruar mbi bujqësinë botërore nga ndryshimet klimatike është një fakt i pranuar. Por kjo nuk mjafton. Kompanitë e agrobiznesit, që përfitojnë nga të drejtat e pronësisë intelektuale, kanë goditur pa mëshirë fermerët. Disa studime tregojnë se kriza e urisë mund të zgjidhet vetëm duke favorizuar fermat e vogla, të drejtuara nga njerëz që janë nën anën e viktimave të krizës së urisë (tre të katërtat e të uriturve në botë jetojnë në zonat rurale).

Edhe Bill Gates ka sugjeruar se zgjidhja e krizës së urisë është biznesi i vogël agro-ushqimor. Por si mund të dalin prodhuesit e vegjël si shpëtimtarë të botës, kur ata janë goditur nga bujqësia kapitaliste, që ka krijuar një zinxhir global prodhimi, nga i cili përfitojnë kompanitë e mëdha, në dëm të bizneseve të vogla? Këto kompani kapitaliste përpunojnë ushqime që shkojnë përtej të ushqyerit, dhe kështu shkaktojnë krizën perëndimore të obezitetit, një pasqyrë e krizës së urisë në jug të botës. A do të vendosë dikush për të vënë në qendër të vëmendjes veprimtarinë e tyre?

Konsiderata

Perëndimi beson se është bamirës dhe filantrop. Por vendet perëndimore nuk kanë nxituar për të ndihmuar Mogadishun. Stafi mjekësor erdhi nga Gibuti dhe Turqia, me një ambulancë ajrore turke që transportoi të plagosurit rëndë në Stamboll.

Dashamirësia perëndimore matet nga fuqia shkatërruese e industrisë së vet agroushqimore dhe të armatimeve. Busulla morale rrotullohet rreth farave Monsanto dhe helikopterëve Sikorsky. Trump do të dërgojë ushtarë të tjerë në Somali. Ky është kontributi perëndimor, për uraganin që po e shkatërron planetin. / “Alternet” – Në shqip nga Bota.al

* Në respekt të punës së personave që kanë punuar për ta sjellë në shqip këtë material, Bota.al lutet që të mos KOPJOHET

Leave a Reply

Back to top button