Analiza

Një operacion i dyshimtë për shpëtimin e pengjeve

Nga Hasnain Kazim, Spiegel

Turkish PM Davutoglu kisses Turkish Consul General of Mosul Yilmaz on the forehead during a welcoming ceremony at Esenboga airport in AnkaraËshtë një pamje që gëzon Turqinë: Kryeministri Ahmet Davutoglu, që ka pak javë në detyrë, mban në duar kokën e Oeztuerk Yilmaz dhe e puth në ballë. Yilmaz qesh dhe ndjehet i çliruar.
Yilmaz është konsulli i përgjithshëm i Turqisë në Mosul, në fakt ishte deri më 11 qershor, kur luftëtarët e Shtetit Islamik sulmuan përfaqësinë diplomatike dhe morën peng 49 persona, mes tyre Yilmaz dhe familjen e tij. Të shtunën, Davutoglu dhe presidenti Recep Tayyip Erdogan bënë të ditur se pengmarrja kishte përfunduar.
Erdogan bëri me dije se pengjet janë shpëtuar gjatë një operacioni të organizuar natën. Duket se operacioni u udhëhoq nga shërbimi sekret MIT, por aty morën pjesë edhe trupa të ushtrisë. Shtetasit turq udhëtuan të shtunën në mëngjes nga Siria në drejtim të kufirit në Sanliurfa, ku i priste Davutoglu. Së bashku me ta, kryeministri udhëtoi drejt Ankarasë. Një zyrtar i Ministrisë së Jashtme tha se bëhet fjalë për 46 persona, tre të tjerë ishin irakianë, që punonin në konsullatën e përgjithshme. Ata nuk u sollën në Turqi.
Qeveria dhe opozita u shprehën me të njëjtën gjuhë. Davotuglu tha se është një lajm i gëzuar dhe lideri i opozitës, Kemal Kilicdaroglu tha se ishte një gëzim i madh. Ai tha se ka folur në telefon me kryeministrin dhe e ka uruar. Por askush nuk flet për detajet e operacionit. Mediat turke thonë se nuk është paguar para për lirimin e pengjeve. Po ashtu nuk ka pasur shkëmbim të burgosurish. Pengjet thuhet se janë sjellë deri në kufi nga luftëtarët e ISIS. Nuk ka pasur shkëmbim zjarri. Edhe Davutoglu shprehet i lumtur për këtë. Ai tha se lirimi është rezultat i një pune të gjatë. Sipas tij, kontaktet kanë ndihmuar. Të gjitha pengjet janë shëndosh e mirë.
Ministri i Jashtëm, Cavusoglu tha se se ISIS caktoi datën 20 shtator për lirimin e pengjeve. Sipas tij, mes ISIS dhe Ankarasë ka pasur negociata. Kriza e pengjeve e ka vendosur në një situatë të sikletshme qeverinë turke: ata kanë refuzuar vazhdimisht që ta quajnë ISIS një organizatë terroriste. Erdogan kishte deklaruar se nuk do linte që një fjalë të vinte në rrezik jetën e pengjeve turke. Kur Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry udhëtoi për në Ankara një javë më parë për të kërkuar ndihmë në luftën ndaj ISIS, hasi në refuzim. Aleati i NATO-s nuk lejoi që baza ajrore Incirlik, pranë kufirit me Sirinë, të përdorej për sulme ajrore ndaj ISIS.
Ky ngurrim i politikanëve turq lidhej gjithmonë me shqetësimin e tyre për pengjet. Portali turk i lajmeve Takva Haber thotë se një hezitim i tillë ka sjellë një sukses: Duke negociuar për lirimin e pengjeve, Turqia e ka njohur jozyrtarisht Shtetin Islamik. Ky është një shpërblim për ISIS. Se si janë zhvilluar negociatat, nuk dihet. Po ashtu nuk dihet se si ka ndodhur pengmarrja në një konsullatë të sigurisë së lartë kur dihet se 30 nga pengjet ishin forca speciale që kujdeseshin për sigurinë e përfaqësisë. Diplomatët perëndimorë thanë të shtunën se Turqia i ka mbështetur më parë luftëtarët e ISIS në betejën e tyre për të rrëzuar sundimtarin sirian, Bashar al- Assad. Një prej tyre, që do të mbetet anonim, tha se është i kënaqur që kjo dramë u mbyll kështu, por shtoi se është i shqetësuar që pengjeve amerikanë dhe britanikë u pritet koka para kamerave, kurse ata turq lirohen.
Tani që justifikimi i pengmarrjes nuk ekziston më, Turqia duhet ta përcaktojë veten se në krahun e kujt qëndron. /gazetatema.net/

Leave a Reply

Back to top button