Jo shumë kohë pasi Steve Jobs u martua, në 1991, ai u zhvendos me bashkëshorten në një shtëpi të viteve ’30 në Palo Alto. Jobs e kish gjithmonë të vështirë të mobilonte vendet ku jetonte. Shtëpia e tij e mëparshme kishte vetëm një dyshek, një tryezë dhe karrike. Ai donte që gjërat të ishin perfekte, dhe duhej kohë për të gjetur se çfarë ishte perfekte. Këtë herë, ai kishte një bashkëshorte dhe fëmijë pas vetes, por pak ndryshim bënte. “Teorikisht, ne folëm për tetë vite për mobiljet”, i thotë bashkëshortja e tij, Laurene Powell, shkrimtarit Walter Isaacson, autor i biografisë me titull “Steve Jobs”. “Ne kaluam shumë kohë duke pyetur veten: “Cili është qëllimi i një divani”?
Megjithatë, ajo që rezultoi më e ndërlikuar ishte zgjedhja e një lavatriçeje. Jobs kishte zbuluar që lavatriçet europiane përdornin më pak detergjent dhe më pak ujë se sa ato amerikane, dhe ishin më të lehta ndaj rrobave. Por atyre u duhej dy herë më shumë kohë për të përfunduar ciklin e larjes. Çfarë duhej të bënte familja? Siç shpjegonte Jobs, “ne kaluam më shumë kohë në familje duke pyetur se çfarë zgjedhje do të donim të bënim. Përfunduar duke folur shumë për dizenjon, por edhe për vlerat e familjes. A na interesonte më shumë që larja të bëhej për një orë dhe jo për një orë e gjysmë? Apo donim më shumë që rrobat të ndiheshin vërtetë të buta në trup dhe të zgjasnin më shumë? A donim më shumë ne, që të përdornim çerekun e sasisë së ujit? Kemi kaluar deri dy javë duke folur për këtë çdo natë në tryezën e ngrënies”.
Biografia e Walter Isaacson e bën të qartë që Jobs ishte një njeri shumë i ndërlikuar dhe i lodhshëm. “Ka pjesë të jetës dhe personalitetit të tij që janë tejet të rrëmujshme, dhe kjo është e vërteta”, i thotë Powell Isaacsonit. “Nuk duhet ta pastrosh”. Dhe Isaacson, me thënë të drejtën, nuk e bën këtë. Ai ka folur me këdo në karrierën e Jobs, duke rregjistruar me përpikmëri biseda dhe takime që mund të kenë ndodhur edhe njëzetë apo tridhjetë vjet më parë.
Në libër mësojmë që Jobs ka qenë një njeri imponues. “Ai kishte aftësinë e mistershme që të mësonte me saktësi cila ishte pika jote e dobët, të dinte se çfarë të bën të ndihesh i vogël, apo të strukesh”, i thotë një miku i tij autorit. Jobs lë shtatzënë të dashurën dhe pastaj mohon që fëmija të jetë i tiji. Ai parkon në vendet e rezervuar për invalidë. Ai u ulëret vartësve. Jobs qan si fëmijë i vogël kur nuk i del e tija. Ai ndalet për faktin që po ecën me 100 milje në orë, i ulëret si i tërbuar policit kur ai nuk e shkruan gjobën aq shpejt sa duhet, dhe pastaj vazhdon udhëtimin me njëqind milje në orë. bota.al
Ulet në një restorant dhe e kthen tre herë ushqimin. Ai mbërrin në suitën e Hotelit të tij për intervista në New York, dhe në 10 të mbrëmjes vendos që pianoja nuk është në vendin e duhur, që luleshtrydhet nuk janë të mira dhe që lulet janë të gjitha të gabuara: kishte kërkuar zambakë të veçantë. “Makineri dhe robotë ishin lyer dhe rilyer disa herë teksa ai, në mënyrë të ethshme rishikonte skemën e ngjyrave të fabrikës”, shkruan Isaacson për fabrikën që ndërtoi Jobs, pasi themeloi kompaninë NeXT në fund të viteve tetëdhjetë. “Muret ishin ngjyrë të bardhë muzeu, siç kishin qenë në fabrikën e Macintosh, dhe kishte 200 karrike me lëkurë të zezë si dhe një shkallare e bërë me porosi…
Ai këmbënguli që makineria e linjës së montimit të konfigurohej në mënyrë që qarqet të zhvendoseshin nga e djathta në të majtë teksa ndërtoheshin, me qëllim që procesi të dukej më mirë në sytë e vizitorëve që do të shihnin nga galeria e ekspozimit”.
Mendoni origjinën modeste të Jobs në Silicon Valley, triumfin e hershëm tek Apple, si dhe dëbimin poshtërues nga kompania që vetë e kishte krijuar. Më pas, triumfet edhe më të mëdhenj tek Pixar dhe tek Apple i rilindur, pas kthimit të Jobs në vitet nëntëdhjetë, dhe pritshmëria jonë e natyrshme është që Jobs do të rishfaqet më i mencur dhe më i butë nga udhëtimi i tij i trazuar. Nuk ndodh asnjëherë. Në spital, në fundin e jetës së tij, ai ndërron 67 infermiere përpara se të gjejë tre që i pëlqejnë. “Në një pikë, pulmologu u përpoq të vendoste një maskë në fytyrën e tij kur atë e dëndën me qetësues”, shkruan Isaacson: Jobs e shkuli dhe mërmëriti që e urrente dizenjon e maskës dhe nuk pranoi ta mbante. Ndonëse mezi fliste, i urdhëroi të sillnin pesë variante të ndryshëm për maskën dhe do të zgjidhte dizenjon që pëlqente… Urrente gjithashtu monitorin e oksigjenit që i vunë në gisht. U tha që ishte i shëmtuar dhe shumë i ndërlikuar.
Një ndër pikëpyetjet e mëdha të revolucionit industrial, është përse nisi në Angli. Përse jo në Francë, apo Gjermani? Janë ofruar shumë arsye. Britania kishte sasi të mëdha furnizimi me qymyr, për shembull.
Kishte një sistem të mirë patentimi. Kishte kosto relativisht të larta të punës, gjë që nxiti kërkimet për risi që reduktonin punën. Në një artikull të botuar në fillim të vitit 2011, ekonomistët Ralf Meisenzahl dhe Joel Mokyr fokusohen në një tjetër shpjegim: roli i avantazhit të kapitalit human të Anglisë. Ata besojnë se Britania e dominoi revolucionin industrial sepse kishte një popullsi shumë më të madhe inxhinierësh të aftë dhe artizanësh se sa konkurentët e saj: njerëz plot burime dhe krijues, të cilët morën shpikjet e epokës industriale dhe i përsosën.
Në vitin 1779, Samuel Crompton, një gjeni në pension nga Lancashire, shpiku mushkën që rrotullohej, gjë që bëri të mundur mekanizimin e prodhimit të pambukut. Megjithatë, avantazhi i vërtetë i Anglisë ishte që ajo kishte Henry Stones, nga Horwichi, i cili i shtoi cilindrat metalikë mushkës; dhe James Hargreaves nga Tottingtoni, që gjeti se si të zbuste përshpejtimin dhe uljen e shpejtësisë së rrotës; dhe William Kelly, nga Glasgow, i cili gjeti si të shtonte fuqinë e ujit; dhe John Kennedy nga Manchester, që e përshtati më tej rrotën; dhe së fundi, Richard Roberts edhe ai nga Manchesteri, një mjeshtër i precizionit – një përsosës i të përsosurve. Ai krijoi mushkën rrotulluese automatike: një rishikim më i saktë dhe i besueshëm i shpikjes origjinale të Cromptonit. Njerëz të tillë, thonë ekonomistët, sollën “mikroshpikjet e nevojshme për t’i bërë më produktive dhe fitimprurëse makroshpikjet”. bota.al
A ishte Steve Jobs një Samuel Crompton apo një Richard Roberts? Në elegjitë që pasuan vdekjen e tij, ai është përmendur vazhdimisht si një vizionar i madh dhe shpikës. Por biografia e Isaacson tregon se ai ishte më shumë një perfeksionues. Ai i huazoi tiparet kryesore të Macintoshit – mausi dhe ikonat në ekran – nga inxhinierët tek XEROX Parc, pas vizitës së tij të famshme atje, në vitin 1979. Luajtësit e parë të muzikës dolën në 1996. Apple e nxorri iPod në 2001, sepse Jobs i pa ata që ishin në treg dhe konkludoi që vërtetë “ta shpifnin”. Smart-phone-t nisën të dalin në fundin e viteve nëntëdhjetë. Jobs e nxorri iPhone në 2007, më shumë se një dekadë më vonë, sepse “ai kishte vënë re diçka të çuditshme tek smartphonet që ishin në treg: Të gjithë ta shpifnin, ashtu si luajtësit e muzikës dikur”.
Ideja për iPad erdhi nga një inxhinier i Microsoft, i cili ishte martuar me një mikeshë të familjes Jobs, dhe i cili e ftoi Jobs në festën e 50-vjetorit të lindjes. Jobs i thotë Isaacson: “Ky tipi nisi të më mburret se si Microsoft do të ndryshonte tërësisht botën me programet e vet për tabletë dhe do të eleminonte të gjithë laptopët, dhe që Apple duhej të liçensonte programet e Microsoft që ai po prodhonte. Por, ai po e bënte shumë keq pajisjen. Kishte një laps elektronik. Në çastin që e nxjerr me një laps, je i vdekur. Në këtë darkë, ishte hera e dhjetë që ai më fliste për të. Më kishte ardhur në majë të hundës dhe kur u ktheva në shtëpi, thashë me vete: Ia tregoj unë këtij si bëhet një tablet”.
Edhe brenda Apple, Jobs njihej si njeri që merrte meritën për idetë e të tjerëve. Jonathan Ive, projektuesi i iMac, iPod dhe iPhone i thotë Isaacson: “Ai kalonte nëpër procesin e vlerësimit të ideve të mia, duke thënë: Ajo nuk është e mirë. Ajo tjetra nuk është dhe aq e mirë. Ajo më pëlqen. Pastaj, vetëm kur e shihja në skenë që flet për ato ide sikur të ishin të tijat”.
Ndjeshmëria e Jobsit ishte në rishikimin e gjërave dhe jo shpikjen e tyre. Dhuntia e tij ishte që të merrte çfarë kishte përpara – dhe ta ribënte në mënyrë të pamëshirshme. Pasi pa reklamat e para për iPad, ai i telefonoi krijuesit të tyre, James Vincent, dhe i tha: “Ta shpifin”.
“Epo, ti çfarë do?” iu përgjigj Vincent. “Ti nuk je në gjendje të më thuash çfarë do”.
“Nuk e di”, iu përgjigj Jobs. “Duhet të më sjellësh diçka të re. Asgjë që më ke treguar nuk i afrohet asaj që dua”. Vincent e kundërshtoi përsëri dhe krejt papritur Jobs nisi të ulërasë. Kur Vincent i tha që duhet të më tregosh se çfarë do, Jobs iu përgjigj: “Duhet të më tregosh disa gjëra dhe do të të them çfarë dua kur ta shoh”.
Do ta di kur ta shoh. Kjo ishte kredoja e Jobs, dhe deri sa ta shihte, perfeksionizmi i tij e mbante në ankth. Ai kish parë pjesën e sipërme që inxhinierët kishin projektuar për dokumentat që do të hapeshin në Macintoshin fillestar, dhe kish vendosur që nuk i pëlqenin. I detyroi të bënin një tjetër version, më pas një tjetër, dhe në total njëzetë përsëritje, duke këmbëngulur për një përsosje pas tjetrës. Kur inxhinierët i thanë që kishin gjëra të tjera për të bërë, ai u ulëriti: “A e imagjinoni dot të shohësh atë gjë përditë? Nuk është gjë e vogël. Eshtë një gjë që duhet ta bëjmë si duhet”. bota.al
Fushata e famshme e Apple “Think Different” erdhi nga ekipi i reklamave i Jobs, TBWA\Chiat\Day. Por ishte Jobs që u mundua shumë për të gjetur sloganin deri kur u përfundua. U debatua shumë për problemin gramatikor. Nëse “different” do të modifikonte foljen “think”, atëherë duhej të ishte ndajfolje, pra “think differently”. Por Jobs këmbënguli që donte “different”, si emër, si për shembull “think victory”, apo “think beauty”. Më vonë, Jobs shpjegonte: “Diskutuam nëse ishte e saktë përpara se të bëhej fushata. Eshtë gramatike, nëse mendon për atë që po përpiqesh të thuash. Nuk është mendo njësoj, është mendo ndryshe. Mendo pak ndryshe, mendo shumë më ndryshe, mendo ndryshe. “Think differently” nuk do ta përcillte kuptimin, për mua.
Ideja e Meisenzahl dhe Mokyr është që këto lloj përmirësimesh janë thelbësorë për progresin. James Watt shpiku motorrin modern me avull, duke dyfishuar efiçencën e motorrëve të mëparshëm. Por kur nisën përmirësimet, u katërfishua efiçenca. Samuel Crompton ishte përgjegjës për atë që Meisenzahl dhe Mokyr e quajnë “shpikja më produktive” e revolucionit industrial. Por momenti kyç erdhi disa vite më vonë, kur kishte një grevë të punëtorëve të pambukut. Pronarët e mullinjve po kërkonin mënyra për të zëvendësuar punëtorët më pak të aftë, dhe kishin nevojë për një mushkë automatike që nuk kish nevojë të kontrollohej nga shtytësi. Kush e zgjidhi problemin? Jo Cromptoni, një njeri jo ambicioz. Ishte perfeksionuesi i perfeksionuesve, Richard Roberts, që i shpëtoi duke prodhuar një prototip në 1825 dhe më pas një zgjidhje edhe më të mirë në 1830. Një njeri vizionar e nis me një copë të bardhë letre dhe e ri-imagjinon botën. Një perfeksionues i trashëgon gjërat siç janë, dhe i duhet t’i shtyjë drejt një zgjidhjeje më të përsosur. Eshtë një detyrë po aq e vështirë.
Miku i Jobs, Larry Ellison, themeluesi i Oracle kishte një avion privat, dhe ai e kish dizenjuar pjesën e brendshme me shumë kujdes. Një ditë, Jobsi vendosi që donte dhe ai një avion privat. Ai studioi atë që kish bërë Ellison. Më pas, iu vu punës të riprodhonte dizenjon e shokut të tij në tërësinë e vet – i njëjti avion, i njëjti rikonfigurim, të njëjtat dyer pas kabinave. Por, jo tamam në tërësi. Avioni i Ellison “kishte një derë mes kabinave, me një buton për hapjen dhe një për mbylljen”, thote Isaacson. “Jobsi këmbënguli që dera e tij të kish një buton të vetëm që kthehej. Atij nuk i pëlqente ngjyra e butonave kështu që i zëvndësoi me metalikë”. Ai kish punësuar projektuesen e Ellisonit “dhe shumë shpejt e luajti mendsh”. Sigurisht që kështu do të ndodhte. Arritja më e madhe e jetës së Jobsit është mënyra se si ai vinte veçantitë e tij – gërnjosjen, narcisizmin, ashpërsinë – në shërbim të perfeksionit”. “Unë shoh avionin e tij dhe timin”, thotë Ellison, “dhe çdo gjë që ai ndryshoi është më e mirë”. bota.al
Isaacson e ka parë Steve Jobsin në momentet më të zemëruar kur nisën të shfaqen telefonat e parë me sistemin Android, i prodhuar nga Google. Jobsi pa telefonat me Android, me ekranet e tyre me prekje dhe me ikonat, si një kopje të iPhone. Vendosi të padisë. Dhe i tha Isaacsonit: “Padia jonë thotë që Google, ju na vodhët iPhone”. Vjedhje e madhe. Deri në frymën e fundit, nëse do të më duhet, do të luftoj dhe do të shpenzoj deri qindarkën e fundit të pasurisë 40 miliardëshe që Apple ka në Bankë për të zhbërë këtë padrejtësi. Do të shkatërroj Androidin, sepse është produkt i vjedhur. Jam gati të nis një luftë termonukleare për këtë. Ata janë të frikësuar për vdekje, sepse e dinë që janë fajtorë. Përveç Search-it, produktet e Google – Android, Google Docs – janë m… .
Në vitet 1980, Jobsi reagoi në po të njëjtën mënyrë kur Microsoft nxorri Windows. Ajo kish të njëjtën paraqitje grafike – ikona dhe mouse – si Apple. Jobs ishte i zemëruar dhe thirri Gates nga Seattle për t’u takuar në zyrat e Apple në Silicon Valley. “U takuan në zyrën e mbledhjeve të Jobsit, ku Gates e pa veten të rrethuar nga 10 punonjës të Apple që mezi prisnin shefin e tyre ta sulmonte”, shkruan Isaacson. “Jobsi nuk i zhgënjeu trupat e tij. Ju po na vidhni! ulëriti ai. Unë të besova dhe tani ju po na vidhni”.
Gates nuk e humbi qetësinë. Të gjithë e dinë se nga vinin dritaret dhe ikonat. “Shiko, Steve”, u përgjigj Gates. “Mendoj se nuk mund ta shohësh vetëm në një mënyrë këtë situatë. Le të themi që të dy ne kishim këtë fqinj të pasur që quhej Xerox, dhe unë u futa në shtëpinë e tij për t’i vjedhur televizorin, dhe aty zbulova që ti kishe hyrë tashmë dhe e kishe vjedhur”.
Jobs ishte një njeri që merrte idetë e të tjerëve dhe i ndryshonte. Por atij nuk i pëlqente kur e njëjta gjë i ndodhte atij vetë. Në mendjen e tij, ajo që bënte ishte speciale. Jobsi bindi kreun e “Pepsi Cola”, John Sculley që të vinte tek Apple si Ceo në 1983 duke e pyetur: “A do të kalosh pjesën e mbetur të jetës duke shitur ujë me sheqer, apo do të kesh një shans për të ndryshuar botën?”
Kur Jobsi iu afrua Isaacsonit për të shkruajtur biografinë e tij, Isaacsoni në fillim mendoi, jo pa u tallur, se Jobsi kishte vënë re dy librat e tij të mëparshëm për Benjamin Franklin dhe Albert Einstein dhe që “ai kish menduar që ishte pasardhësi i natyrshëm i tyre”. Arkitektura e programeve të Apple ishte gjithmonë e mbyllur. Jobsi nuk donte që iPhone dhe iPod e iPad të ishin të hapur, sepse në sytë e tij ata ishin të përsosur. Perfeksionuesi më i madh i brezit të tij nuk donte që të perfeksionohej më tej nga të tjerë.
Ndoshta kjo është arsyeja përse Bill Gates – nga të gjithë bashkëkohësit e Jobs – i shkaktonte atij shpërthime. Gates i rezistoi romancës së perfeksionizmit. Herë pas here Isaacson pyet Jobsin për Gates dhe Jobsi nuk i reziston dot zemërimit. “Bill është praktikisht pa imagjinatë”, i thotë Jobs Isaacsonit. “Ai nuk ka shpikur asnjëherë asgjë, dhe prandaj mendoj që ai është më rehat tani me filantropinë, se sa teknologjinë. Ai thjeshtë vodhi paturpësisht idetë e të tjerëve”.
Tipike e Jobsit, do mendoni: i keq dhe plot deluzion. Eshtë e vërtetë që Gates është tashmë më i interesuar në përpjekjet për të çrrënjosur malarian se sa në mbikëqyrjen e versionit të radhës së Microsoft Office. Por kjo nuk është provë për mungesë imagjinate. Filantropia në shkallën që e përfaqëson Gates përbën imagjinatën në madhështinë e saj. Në të kundërt, vizioni i Jobs, sado brilant dhe i përsosur, ishte i ngushtë. Ai ishte një perfeksionues deri në fund, duke përmirësuar pafundësisht të njëjtin territor që kishte pushtuar që në rini.
Teksa jeta e tij i drejtohej fundit dhe kanceri i pushtonte trupin, pasioni i tij ishte projektimi izyrave të reja të Apple në Cupertino. Jobsi merrej deri me detajet. “Herë pas here ai dilte me koncepte të rinj, ndonjëherë forma krejt të reja, dhe i bënte arkitektët të nisnin nga fillimi”, shkruan Isaacsoni. “Nuk do të kish asnjë copë të drejtë xhami në ndërtesë. Të gjitha do të ishin të harkuara dhe do të lidheshin pa u vënë re”. Arkitektët donin që dritaret të ishin të hapura. Jobsi tha jo. “Atij nuk i kishte pëlqyer asnjëherë ideja që njerëzit të ishin në gjendje të hapnin gjërat. Kjo do i lejonte ata që t’i prishnin”. / Në shqip nga bota.al