Për më shumë se një shekull besohej se fundosja e “RMS Titanic” ndodhi vetëm për shkak të një përplasje fatale me një ajsberg. Tani, pothuajse 105 vjet nga fatkeqësia, kërkimet kanë identifikuar një faktor potencial të ri, që kontribuoi për fundosjen e gjigandit: një zjarr. Një studim i ri mbi fotografitë e rralla të marra nga inxhinierët kryesorë të elektroteknikës së anijes, ka treguar se një pjesë e anës së djathtë të bykës ishte e mbuluar me shenja të zeza, nëntë metra të gjata. Këto besohet të jenë gjurmët e një zjarri, që vazhdoi për disa javë pasi qymyri në një depozitë lënde djegëse u ndez gjatë testeve të shpejtësisë, ndërsa anija ndodhej ende në Southampton të Britanisë së Madhe. “ëhite Star Lines” vendosi të mos i njoftojë pasagjerët dhe anija lundroi ndërsa zjarri vazhdonte të digjej. Flaka u shua përfundimisht gjatë kalimit transatlantik, por dëmi ishte bërë tashmë dhe fati i anijes ishte vulosur.
Ekspertët pohojnë se temperatura e zjarrit arriti në 1.000 gradë Celsius, gjë që dobësoi një pjesë të çelikut në krahun e anijes, deri në 75 përqind. Shenja të zeza ka gjithashtu aty ku impakti i ajsbergut ishte në maksimumin e vet, kështu që tani spekulohet se dëmtimi nga impakti u shtua prej efekteve të zjarrit. Zjarri gjithashtu mund të jetë arsyeja pse Titaniku po udhëtonte kaq shpejtë në një vend ku dihej se kishte ajsbergë. Për të fikur zjarrin, ekuipazhi po hidhte qymyrin e djegur në kaldaja, prandaj ndodhi edhe përshpejtimi i anijes. Ekspertët ende besojnë se anija do të ishte fundosur edhe pa zjarrin, por nëse teoria e re është e saktë, dëmtimi nga zjarri përshpejtoi rënien e saj poshtë dallgëve. /bota.al